Ta vazhdoj komunikimin me ish-gruan?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam një burrë 43 vjeç, i divorcuar prej 6 vjetësh. Jetoj bashkë me fëmijët e mi, njëri 13 vjeç dhe tjetri 9 vjeç. Divorcin e kërkoi ish-gruaja ime për arsye banale, por unë e respektova vendimin e saj. Mbas dy vitesh filluam të komunikonim me telefon sepse ndarja nuk ishte paqësore nga njerëzit e saj. Komunikimi ishte normal dhe ajo vinte t’i takonte fëmijët një herë në dy javë. Nganjëherë pinim edhe kafe bashkë. Para një viti më tha: “Mos më dërgo më sms dhe mos më merr ti në telefon se të marr unë”. Unë e respektova vendimin e saj. Ajo më merr në telefon dhe flasim për rreth 30 minuta, dy herë në javë dhe diskutojmë për gjithçka, por fëmijët tani i takon një herë në muaj se jeton te motra e saj. Kur pimë kafe ndonjëherë, flet pak dhe rri si në gjemba. Fëmijët nganjëherë kanë qejf ta takojnë, ndonjëherë jo, por unë ia çoj gjithmonë. Më duket se ajo i takon fëmijët vetëm kur vjen te prindërit e vet, se ata nuk vijnë dhe as nuk komunikojnë me mua. Megjithatë, kur e marr në telefon, ajo ma hap. Doja të dija nga ju: Ta vazhdoj komunikimin me të apo jo? Ndonjëherë më duket si kohë e humbur, pavarësisht se kur flas me të jam i lumtur. Mendimi dhe këshilla juaj si psikolog do të më vlente shumë, ndoshta edhe për të vazhduar një jetë të re, se jam në dilemë. Ju falënderoj për çdo mendim që do të më jepni.

Borana Marku, psikologe: -I nderuar zotëri, letra juaj është vërtet e veçantë, sado që prekni një temë që fatkeqësisht, po shndërrohet në një sëmundje në vendin tonë. Shumë çifte ndahen edhe për hiçgjë, për vogëlsira, nuk arrijnë dot të kapërcejnë as pengesën e parë që i del përpara një lidhjeje. Nuk ka asnjë marrëdhënie apo çift perfekt. Çdo martesë ka luhatjet e vetja, por kjo s’do të thotë që në pengesën e parë të kalohet në divorc, aq më tepër kur janë fëmijët në mes. Ju keni arritur në divorc dhe shkakun e dini vetëm ju, ama kuptoj nga letra juaj që mes jush ka akoma një lloj dashurie, diçka ju lidh përsëri, përveç fëmijëve. Ju e doni akoma dhe duket shumë hapur kjo gjë, sepse e pranoni vetë në njëfarë mënyre me pohimin tuaj se ndiheni i lumtur kur e takoni. Edhe ajo nga ana e saj, pra, ish-bashkëshortja juaj duket që ka tërheqje akoma për ju. Ndoshta ka qënë ajo shkaku i ndarjes dhe tashmë është penduar dhe ka kuptuar që jeni nxituar që keni arritur në divorc. Por, çfarë rëndësie ka tashmë? Ajo çfarë ka ndodhur ka ndodhur, rëndësi ka të shikoni se çfarë do të bëni në vazhdimësi. Ndoshta ajo ka edhe pengesë nga familja e saj për t’u ribashkuar me ju, sepse jo më kot ju takon, jo më kot ju ka thënë që do t’ju telefonojë ajo! Me siguri, ka frikë nga dikush për takimet që bën me ju. Të mos përjashtojmë edhe mundësinë që ajo mund të ketë një lidhje tjetër... Ndaj ju duhet të merrni guximin dhe t’i shprehni atë çfarë ndieni. Nuk ka mënyrë tjetër që ju ta merrni vesh nëse edhe ajo ndien të njëjtat gjëra për ju. Duke ia thënë troç fare se çfarë ndieni dhe çfarë kërkoni prej saj, do të kuptoni edhe qëllimet e ndjenjat e saj. Vetëm nga ajo mund ta merrni një përgjigje më të qartë.

- Ndërsa përsa i përket pyetjes nëse duhet ta vazhdoni apo jo komunikimin me të, sido që të jetë përgjigjja e saj, pozitive apo negative, ju jeni të detyruar ta ruani komunikimin sepse keni fëmijët në mes dhe janë ata që në njëfarë mënyre do t’ju mbajnë të lidhur. Ama, në varësi të përgjigjes së saj, ju do të silleni. Nëse ajo nuk ndien gjë për ju, por thjesht ka nostalgji dhe do t’ju shikojë si një shok dhe si babain e fëmijëve të saj, ju mund ta shmangni këtë gjë duke ruajtur me të thjeshtë kontakte zyrtare, le të themi, prej fëmijëve. Kjo për të ruajtur qetësinë tuaj shpirtërore. Pastaj shikoni për një lidhje tjetër. Nëse ajo ka ndjenja për ju, është penduar dhe do të rikthehet me ju, atëherë mundohuni ta zgjidhni vetë këtë situatë dhe bëhuni të fortë e mos lejoni asnjë person qoftë edhe nga familja e saj apo e juaja t’ju bëhet pengesë për ribashkimin tuaj. Mos pyesni aspak për opinionin, por mendoni për dashurinë dhe për fëmijët tuaj. Ju uroj shumë fat!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.