Një jetë e kërcënuar nga dhimbja

Intervista - - FAQE 1 - Nga Hysen Kica

Jeta dhe rastësia janë të çuditshme. Një ditë të shtune, në tregun e një qyteti italian, dëgjova një vajzë që foli shqip. Kur i fola, në fillim më shikoi si me frikë, por nuk e harrova. Gjeta gjurmët e saj dhe e përshëndesja çdo herë që e takoja. Pas shumë lutjesh dhe kërkesash, ajo pranoi të pinte një kafe me mua dhe të më fliste për jetën e saj.

- Më thërrasin Laura, - filloi ajo, - dhe jam e detyruar ta pranoj këtë emër.

- Do të doja të më thoje se pse je e detyruar ta ndërrosh emrin? - e pyeta unë.

- Një histori e gjatë, miku im,- tha Laura. – Më fal! Mos vallë bëra gabim që të quajta “miku im”?

- Jo, Laura, - i thashë unë. - Ne tani jemi miq. Në dhé të huaj, të gjithë shqiptarët janë miq. Aq më tepër që ti pranove të flasësh për jetën tënde para meje dhe e meriton sinqerisht miqësinë time.

- Mos u ngut, - më ndërpreu Laura. – Unë nuk jam më një njeri që ta meritoj miqësinë tënde. Unë nuk meritoj miqësinë e askujt. Unë jam një krijesë shumë e poshtër. Unë jam një femër shumë e ulët. Unë jam një prostitutë rrugësh.

- Prit, Laura, - e ndërpreva edhe unë. – E kishim fjalën tek emri yt...

- Vërtet do kesh durim të më dëgjosh?

- Ndërsa mua më vjen keq që po të detyroj ta zgjosh të kaluarën tënde dhe kjo ndoshta të sjell shumë dhimbje.

- Jo, miku im. Kur bise- don me një mik, atëherë edhe dhimbja ndahet përgjysëm dhe unë do ta përgjysmoj peshën e rëndë që mbaj në zemrën time.

- Mua po më duket se po më vlerëson shumë...

E ashtuquajtura Laura ktheu kokën anash sikur donte të bindej se nuk e shikonte askush. Mezi e kisha bindur të bisedonte me mua. Kishte një frikë të madhe në shikimin dhe në sjelljen e saj, pavarësisht se i isha betuar disa herë se askush në botë nuk do ta mësonte takimin dhe bisedën tonë. Ishim të bindur se askush nuk të na kishte diktuar, por Laura nuk shpëtonte dot nga frika.

- Edhe unë isha një vajzë, - foli ajo pasi e kapërceu goditjen. – Ndoshta isha edhe e bukur.

- Ti je shumë e bukur, Laura.

- Jo, miku im. Unë nuk jam më e bukur, por… Iku jeta ime. Pra, isha edhe unë një vajzë plot me ëndrra të bukura dhe doja të vrapoja si një flutur në rrugën e jetës.

- Fluturat janë gjithmonë të bukura, - i thashë unë.

- Por janë budallaqe. Ashtu edhe unë fluturova rreth flakës së qiririt, duke shpresuar se ajo flakë ndriçonte rrugën e jetës sime me dritën e saj, por u mashtrova, rashë në flakë dhe u dogja.

- Mos e bëj tragjedi, Laura.

- Isha pra një vajzë budallaqe që u njoha me një djalë dhe kujtova se jeta kishte rezervuar për mua një lumturi përrallore. E dashurova si e çmendur dhe i dhurova gjithçka. Nuk besoj se ka tragjedi më të madhe në jetën e një vajze sesa shkatërrimi i ëndrrave të saj. - Si e njohe? - Ç’vlerë ka?! Kur një vajzë dashuron, i verbohen sytë. Mu lutën prindërit, por unë u bëra karagjoze. Ua përplasa në fytyrë injorancën time se gjoja isha e rritur dhe se dija dhe doja të vendosja vetë për jetën time. Isha çmendur, por e bindur se isha e dashuruar. Babai im, që më donte shumë, kishte varur kokën, ndërsa nëna ime e dashur më luste që të qetësohesha dhe ata ta njihnin djalin. Ata nuk e njihnin djalin dhe dyshonin se ndoshta më dër- gonte në Itali për prostitutë. Hodha shqelma si mushkë se po ofendonin njeriun që më dashuronte shumë.

Përsëri heshti Laura dhe fshiu sytë. Desha të shtrija dorën dhe ta përkëdhelja.

- E harrove kafen, - i thashë, për ta qetësuar pak.

- Më fal, miku im, - tha ajo dhe mori filxhanin. - Djali më kishte bërë një foto dhe më përgatiti pasaportën me vizë të gatshme për Itali. Më tha se në Itali kishte plot gjëra të bukura dhe mora vetëm ca gjëra të vogla në një çantë dore. Ika nga shtëpia si e tërbuar. Kur po hipja në makinën me të cilën më priste mashtruesi im, ktheva kokën dhe… Nëna, vëllai dhe motra e vogël po qanin te pragu i derës, ndërsa babai po më vështronte nga dritarja. Për herë të parë ndjeva dobësi dhe isha gati të kthehesha, por ai më rrëmbeu si huta zogun.

Laura u ndie shumë keq dhe filloi të qante. Kësaj radhe ia përkëdhela kokën dhe u mundova ta qetësoja, sido që edhe vetë ndihesha shumë i dobët.

- Ika, - vazhdoi Laura. - Për pak ditë mu duk se vërtet fillova një jetë të bukur dhe ndihesha e dashuruar, por shumë shpejt ai filloi të ankohej se ishte ngushtë nga ana ekonomike. Më ra si bombë kur më tha se duhej të dilja në rrugë e të fitoja para për të jetuar. Nuk pranova në asnjë mënyrë me lutjet e tij, kështu që filloi të më kërcënonte. Dhuna psikologjike filloi të shoqërohej me dhunën fizike, që bëhej çdo ditë e më e rëndë. Kur më goditi me shuplakën e parë më rrëzoi përtokë dhe mu duk sikur do të vdisja, por shpëtova. Nuk e gjen gjë gjënë e keqe.

- Më fal, Laura! A nuk kishe mundësi të largoheshe prej tij apo të ktheheshe në shtëpi?

- Jo! M’i kishte mbyllur të gjitha shtigjet. Jo vetëm që më kishte paralajmëruar hakmarrje të tmerrshme, por nuk më linte në xhep asnjë qindarkë. - Pranove! - U detyrova. Dhimbjet shpirtërore e fizike më përulën. - Kështu vazhdon? - Prit! Pasi kalova gati gjysëm viti, ai solli në banesë edhe një viktimë tjetër si unë. Shpërtheva duke u munduar të mbledh thërrimet e ndërgjegjes njerëzore që më kishin mbetur, por… Më shiti. - Ndoshta ke mundësi… - Edhe më keq. Krimineli i dytë ishte edhe më katil. Kam vdekur, miku im.

- Më dëgjo, Laura. Këto ditë do të kthehem në Shqipëri. Bëjmë një plan sekret dhe eja me mua. - E pamundur! - Do t’i paguaj unë shpenzimet e rrugës.

- Të falemnderit miku im. Nuk më shpëton dot. Nuk ka Zot në botë që më shpëton mua. Unë e kam të mbyllur rrugën e jetës sime. Unë nuk kam më asgjë në këtë botë. Unë nuk jam as prostitutë. Unë jam një skllave e shitur dhe nuk kam asnjë të drejtë njerëzore. Unë i kam poshtëruar prindërit e mi dhe nuk kam fytyrë t’u kërkoj falje. Nuk kam më as emër, as prindër dhe as atdhe.

- Ti do të më japësh adresën dhe unë do t’i bind prindërit e tu të të falin.

- Por nuk e bind dot skllavopronarin tim të mos hakmerret mbi njerëzit e mi të dashur. Më kërcënon se do të rrëmbejë motrën time të vogël dhe se do ta fshijë racën time nga faqja e dheut.

- Të mundohemi për ta gjetur një zgjidhje.

- Jooo! Iku jeta ime. Nuk ka asnjë zgjidhje për mua.

Bota e saj shpirtërore ishte shkatërruar, por e mbante gjallë dashuria e mohuar për njerëzit e gjakut të saj dhe strehohej në lotët që shpërthenin duke ravijëzuar faqet e saj të bardha.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.