Më rriti vëllai i njerkës

Intervista - - FAQE 1 -

E nderuar redaksi! Lexoj vazhdimisht historitë në faqet e gazetes tuaj dhe, ndonëse mundohem të ngushëlloj veten me fatkeqësinë time, sërish nuk gjej prehje. Prandaj vendosa ta ndaj me ju dhimbjen e mungesës së familjes për tridhjetë vite rresht. “Jetimi është si bima në mes të rrugës, e shkel kush të mundet”, thoshte e ndjera gjyshja ime. E unë jam jetime, por me baba e mama gjallë.

Jam nga Shqipëria e Mesme dhe sot jam tridhjetë e nëntë vjeçe. Jetoj në emigrim me familjen të cilën e krijova vetë. Kam tre djem dhe e kuptoj që i kam llastuar, por kjo ka ndodhur për shkak të mungesave të mia. Meqenëse mua më ka munguar dashuria e mamasë sime, jam përpjekur që fëmijëve të mi jo t’u mungojë, por ta kenë me bollëk dashurinë.

Prindërit biologjikë i kam nga fshati që të dy. Ata u fejuan e u martuan me shkuesi këtu e dyzet vite përpara, por ndodhi që jo vetëm nuk e deshën, por e urryen njëritjetrin dhe mua që isha në mes tyre.

Pas martese, mamaja ime mbeti shtatzënë menjëherë e mua më duket se qysh kur kam qenë në barkun e saj, i kam dëgjuar sherret e tyre. Unë linda në muajin prill dhe sapo mbusha katër muaj, mamaja ime pas një sherri me babanë kishte mbledhur ato pesë rroba të sajat e kishte ikur te prindërit e saj.

Sherri mes tyre kishte qenë për një xhelozi të mamasë time. Sot, duke qenë se kam mundësinë të lexoj, mendoj se ajo do të ketë qenë me depresion, sindrom i njohur për gratë pas lindjes. Sigurisht, para dyzet vitesh, kush e dinte?! Thjesht, babai im e quajti të çmendur mamanë time, gjyshja u përpoq t’i ndante e të shuante shamatën, por ishte e pamundur.

- Bija ime, - më thoshte gjyshja me lot në sy kur më shihte gjithmonë të mënjanuar, - më vjen keq që nuk bëra dot asgjë. Duhet të kisha gënjyer dhe jot ëmë do të zbutej.

- Po pse duhej të kishe gënjyer, - e pyesja kur isha ende e vogël.

- Po unë e pashë që ajo është budallallepsur... Pse të mos i thoja që im bir ishte në shtëpi me mua, po i thashë që ishte vetëm? Ja, vetëm kaq duhej të kisha thënë e do mbyllej atë moment. Ndoshta ajo prapë do kishte ikur, por të paktën sherret do ishin shuar një herë.

Kështu, ime më u kthye te prindërit e saj, por sigurisht, në fshat, ku jetonin dajat e mi, ishte turp i madh të ndahej vajza. Kështu, pas tre muajsh që mori dokumentet e divorcit, ajo u martua me një burrë tjetër, sigurisht, në një fshat. Ai ishte burrë i mirë, por fatkeq. Qysh kur e kishte falur Zoti e kish falur me kocka të imëta, të shëmtuar dhe aspak të zotin. Mamaja ime nga shiu ra në breshër.

Babai im ndenji katër vjet pa u martuar sepse gjyshja ime ishte natyrë e fortë, si plakat e qëmotit. Të gjithë historinë ma ka treguar gjyshja, i vetmi person që më deshi për sa kohë mori frymë për veten e saj.

- Mendo ti të paktën për këtë fëmijë, ose të ishe menduar para se të lije gruan shtatzënë, - i kish thënë babait, qysh kur e dëgjoi të fliste për herë të parë që donte të martohej sërish.

- Epo, edhe e ëma u martua. E përse unë duhet të kem përgjegjësinë kryesore, apo se ajo ishte budallaqe? - sigurisht, kjo ishte përgjigjja në majë të gjuhës.

- Mendo sikur e ëma e vajzës të kishte vdekur në lindje, ti do kishe ndenjur të paktën një vit pa u martuar për të respektuar zinë, atëherë një vit zi, nja dy vite sa të gjesh një grua tamam e të mos gabojmë sërish e vajza do jetë bërë të paktën trekatër vjeçe. Do kujdesem unë për të, por nëse ti martohesh e do kesh fëmijë të tjerë, atëherë s’do të di për kë të kujdesem më parë, - ishte përgjigjur gjyshja.

Dhe kështu, babai im, gruan e dytë e gjeti vetë pas tri vitesh. Ai punonte ekska- vatorist e shkonte në punë nga njëri vend në një tjetër, në të gjithë Shqipërinë. Gruan e dytë e mori nga jugu. Është grua e mirë, por sigurisht, për mua, ajo është njerka e jo mamaja ime.

Meqenëse babai kishte rrogë të mirë, ai përshtati shtëpinë që unë me gjyshërit të jetonim nën një çati me të, por të ndarë. Gjithsesi, do të kishte mundësi të na shihte dhe gjyshja do të kujdesej për fëmijët e tjerë. Si fillim, gruaja e babait më fliste e më qeshte, më mblidhte fruta në pemë e m’i jepte. Kur ajo mbeti shtatzënë dhe më vonë lindi, nuk kishte më kohë të merrej me mua. Sigurisht, donte më shumë fëmijët e saj. Gjithsesi, kur bënte ndonjë ushqim që gjyshja nuk e bënte dot, ajo më thërriste edhe mua të haja me fëmijët e saj. Ajo s’më ka urryer, s’ka mundur të më dojë se helbete s’isha e saja, por nuk është sjellë asnjëherë keq me mua.

Te prindërit e saj ishin shumë fëmijë. Ajo kishte pesë vëllezër e gjashtë motra dhe vetë ishte fëmija më i vogël. Të gjithë ishin të martuar e ishin shpërndarë në qytete e fshatra të ndryshme. Në fillim më merrte edhe mua në fshatin e saj te prindërit e vet dhe jo pa qëllim. Vëllai i saj i madh kishte dhjetë vite martesë dhe nuk kishte fëmijë.

Babai im kishte folur me gjyshin e gjyshen dhe meqenëse ata po plakeshin dhe e shihnin se nuk kujdeseshin dot për mua, ishin dakord që mua të më adoptonte vëllai i nuses së babait. Kështu, kur unë mbusha dhjetë vjeçe erdhën për të festuar vëllai dhe gruaja e tij e më kishin një sjellë një kukull dhuratë. Ndërsa më uruan, gjyshja ime me lot në sy më tha:

- E vogla, e mira ime, a të pëlqen të jetosh më xhaxhin e tetën? Ata nuk i ka gëzuar Zoti me fëmijë, por ti je vajza ime e ëmbël e unë jam plaka që s’kam më fuqi të kujdesem për ëmbëlsirën time. Edhe gjyshi, po ashtu si unë s’të çon dot në shkollë e s’të merr dot. Pastaj, në fshatin e tyre shkolla është afër... - e ndërsa më përkëdhelte flokët me njërën dorë...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.