Eduard Shalsi: Drejtuesit socialistë më qëllojnë përherë

Intervista - - AKTUALITET -

Pardje, që thoni ju, shkova te Stadiumi Dinamo të shikoja ndeshje. Luante përfaqësuesja. Ajo e Partisë Socialiste, ndaj Ambasadorëve. U ula dhe po vështroja më kujdes. Nga ana teknike këta të PS-së ishin më lart. Vetëm se përdornin shumë shqelmat. Dhe, për çudinë time, jo ndaj kundërshtarit, por ndaj një lojtari të tyre. “Më jep pak syzet, të lutem!”, i thashë një të moshuari që kisha aty pranë. Si duket, ishte ndonjë aktivist i PPSH-së, se qëndronte tamam si ata. M’i dha syzet dhe çfarë pashë, thoni ju. Lojtari që i binin shokët me shkelm, ishte deputeti Eduard Shalsi. Prita sa të mbaronte ndeshja dhe iu afrova... si! Kaso Kosa: - Përshëndetje zoti Shal- Eduard Shalsi: - Oh, Kaso, vdiqa nga dhimbjet. Më dërrmuan fare. - Po pra, e pashë, zoti Shalsi që ata të ekipit tuaj ju qëllonin juve dhe u habita... - Kështu ma bëjnë përherë, Kaso. Se mos vetëm sot! Sot është lule, krahasuar me herët e tjera. Lëre, lëre, ç’më ka gjetur! - Përse nuk i qëlloni edhe ju? - Ç’është ai llaf, Kaso?! Edhe ajo më duhet e ta ha fare. I vendos zoti Rama që të më gjuajnë, Kaso.

- Kanë inat që luani mirë futboll, ndoshta…

- Ç’futboll thua edhe ti?! S’ka të bëjë me futbollin kjo gjë, o Kaso xhani! Më qëllojnë se thashë atëherë që, “kur të vijmë ne në pushtet, nuk do të vjedhim në mënyrë kaq flagrante sa ata të PD-së”.

- Aha, për këtë ju qëllokan?! Epo, më fal që ta them, por kanë të drejtë. Si mund ta thoshit atë gjë ju?!

- Më shkau goja Kaso dhe për këtë po e pësoj tani. Kot nuk thonë “goja llap e dora bap”. Eh, ç’m’u desh mua të shkretit, thuaj...

- Po mbase nuk ju rrahin më, zoti Shalsi...

- Keq të më rrahin e keq të mos më rrahin, Kaso. Nëse nuk më rrahin, domethënë se nuk më duan. “Kush të rreh, të do”, thotë populli. Nëse nuk më duan, domethënë se nuk do të më bëjnë më deputet. Pra, mua më mirë më del të më rrahin. - Kush e ka dorën më të rëndë kur ju godet? - Ai Ilir Beqaj e ka dorën çekiç fare. - Meqë është përfolur për më shumë tendera besoj... - Ore, atë s’ma mban ta them unë, por që e ka dorën e rëndë me mua, e ka. Më futi një grusht para disa muajve kur i doli ajo çështja e tenderit të dializës, që më la top në vend. Erdhi ambulanca e më çoi në spital, se s’po merrja dot frymë. - Erdhi shpejt ambulanca? - Erdhi, erdhi. Mos t’ua hamë hakun punonjësve të ambulancës. Shpejt erdhën. Më çuan më nxitim në spital. Pesë infermiere po më rrinin te koka. Ishte edhe mjeku. - Bravo zoti Beqaj. Megjithëse ju qëlloi, e kishte kuptuar gabimin si duket dhe kishte marrë masa në spital, për shëndetin tuaj. - Ashtu mendova edhe unë Kaso. “Shyqyr, thashë është bërë pishman e s’do të më qëllojë më”, por kur u bëra pak më mirë, mora vesh që më kishin çuar në një spitali privat. Lashë leshtë aty. Tre mijë euro më vajti trajtimi. Do thuash ti: “Hë, se ke lekë ti!”. E ku i gjeta, Kaso? Se mos jam ministër unë! Ama, më i poshtri është Arben Ahmetaj. Ai më qëllon gjasme me marifet. - Si është ky qëllimi me marifet?! Më vjen pranë dhe më thotë: “Hë, Edi, o gjigand, si po ia kalon?”. Sa bëj t’i përgjigjem unë, më fut një pas koke duke më thënë: “Hë, se mirë je ti! Gjithë Shqipëria, falë Rilindjes, mirë është”. Çfarë të bëj?! T’i them që s’jam mirë, ai e përhap duke thënë që Shalsi është kundër nesh. Le aman, se më ka gjetur belaja e madhe. A m’u thaftë kjo gojë që e thashë atë fjali! E pe sot te ndeshja ç’më bënë? Më ngopën në shqelma. S’lëviz dot.

- Po mos lëvizni ca ditë, zoti Shalsi. Rrini në shtëpi!

- Ç’thua, Kaso?! Edhe ajo më duhet mua, të mos shkoj në Parlament. I thonë Ramës këta, që Shalsi të ka dalë kundra. S’kam çfarë të bëj. Do të shkoj edhe kështu i dëmtuar, ndryshe më piu e zeza…

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.