Jeta ime, nuk është më e imja

Intervista - - MUZIKE -

Fabjola Kuburi: - Orgesa, çfarë do të kishe dëshirë të bëje në një ditë si kjo e sotmja?

Orgesa Zaimi: - Duke qenë se është shumë vapë dhe unë jam ende në punë në radio, do të doja të isha në plazh. Verën s’e imagjinoj dot kurrë pa plazhin, detin, rërën e zhytjet. (Qesh)

- Cila ka qenë ëndrra jote më e madhe dhe a e ke realizuar?

- Mund të duket utopike ose e mbipërdorur, por ëndërr kam pasur gjithnjë të jem e lumtur dhe e realizuar. Deri tani, pjesa më e madhe e kësaj “ëndrre” është realizuar, por e mira s’ka fund. Megjithatë, e them me bindje se çdo gjë e kam arritur deri tani, të paktën nga ato që kam ëndërruar. E kam prekur ëndrrën.

- Së fundi, ti ke ardhur me një stil origjinal në bashkëpunimin me Kamela Islamajn. Cili është rrugëtimi që ndoqi kënga “Lëviz me mua”, derisa doli në versionin përfundimtar?

Ky projekt na ka marrë pothuajse 2 vjet, derisa u finalizua. Në fillim, nisi si një mbështetje e jona ndaj fushatave sensibilizuese dhe koncerteve të zhvilluara nga fondacioni Dovvn Syndrome Albania, me drejtoreshë Emanuela Zaimin. Kënga ka qenë pjesë e Top Festit në vitin 2010 dhe ne vendosëm që këtë këngë t’ua dhuronim atyre. Më pas menduam të bënim edhe një videoklip.

- Si lindi ideja për t’u kushtuar një këngë personave me sindromën Dovvn?

- Komunitete të tilla kanë nevojë për mbështetje dhe ajo çfarë artistët mund të japin është muzika e tyre. Nevojat e tyre janë të shumta, por ne menduam që me anë të sensibilizimit dhe përkrahjes tonë, të tërhiqnim vëmendje në mënyrë që ata të trajtohen njësoj si të gjithë dhe t’u lejohet një gjithëpërfshirje, që të ndihen të pranuar e të sigurt. Është diçka që si mua, ashtu edhe Kamelës, na ka dhënë më shumë se

-

ç’kemi dhënë. Këtë e them në aspektin njerëzor dhe emocional.

- Pse zgjodhët pikërisht këtë periudhë për të sjellë këngën?

- Kishim dy data që mendonim ta publikonim këngën, 21 marsin, që është Dita Botërore e individëve me Sindromën Dovvn dhe 1 qershori, festa e fëmijëve. Zgjodhëm pikërisht 1 qershorin, për t’i sjellë të barabartë me të gjithë fëmijët.

- Kjo këngë ka një tekst që të rrënqeth... A është ndier kjo gjë edhe nga publiku?

- Mund të them me bindje se teksti i këngës ka shkuar mjaft mirë edhe me pamjet e videos dhe mbase më prekës ose rrënqethës e ka bërë pikërisht përfshirja e fëmijëve me sindormën dovvn ose siç quhet, sindroma e dashurisë. Ndihet në mënyrë të pastër sinqeriteti i atyre fëmijëve dhe dëshira e madhe që ata kanë për të jetuar njësoj si të gjithë, me të gjitha të drejtat, pa u lënë mënjanë. Kemi marrë shumë përkrahje dhe mesazhe nga njerëz të njohur e të panjohur, të cilët na komplimentojnë.

- Me Kamelën ke edhe një miqësi shumë të fortë. Të ndihmoi kjo për ta realizuar më lehtë gjithçka?

- Patjetër që po, jemi argëtuar pa masë dhe kemi kaluar një dyditësh të paharruar në këto xhirime, por edhe më pas, me promovimin televiziv të këngës dhe të videos. Është e vërtetë, me Kamelën tashmë kemi gati 11 vjet që njihemi dhe duhemi (qesh) dhe ishim të bindura që do t’ia kalonim shumë mirë në këtë projekt kaq të ndjeshëm. - Kjo është një këngë e veçantë, e dedikuar dhe mjaft interesante sipas stilit tënd… Do ta lësh me kaq për këtë verë?

- Besoj se po, edhe pse e kam theksuar gjithnjë që nuk bëj hite vere. Kënga ishte menduar të dilte më 1 qershor dhe jo në bazë të klishesë së “hitit të verës”, megjithatë, deri tani është pritur mjaft mirë dhe duhet thënë që na ka marrë shumë kohë. Tani dua të shijoj pak pushimet dhe mbase kthehem në vjeshtë me diçka të re.

- Për çfarë do ta kujtosh këtë verë, kur të intervistohesh vitin tjetër?

- Patjetër, një nga gjërat më të bukura është ky projekt, “Lëviz me mua”, që deri tani ka qenë ndër më të dashurit për mua. Ndërkohë, vera akoma s’ka mbaruar dhe unë shpresoj të ndodhin gjëra të bukura për të cilat të flasim vitin tjetër.

- Di që je shumë e lidhur me të shkruarin...

- Dikur po, kam shkruar poezi në adoleshencën time dhe më pas, gjatë studimeve për Gjuhë-Letërsi, kam shkruar gjëra të cilat s’kam ndërmend t’i ndaj me askënd, jo sepse s’janë të mira, por sepse janë pjesë të një faze të jetës sime, të cilën dua ta mbaj shumë private. Ndërkohë, më pëlqen të kem shumë dorë në tekstet e mia. Së bashku me bashkëpunëtorin tim, poetin Agron Tufa, kemi sjellë tekste të cilat flasin e tregojnë diçka dhe që i qëndrojnë në thelb fjalës dhe poezisë së mirë.

- Kush e ka fajin nëse dikush bie në dashuri?

- Askush nuk është fajtor. Besoj se procesi i të rënit në dashuri është i paevitueshëm, ndodh dhe pikë, nuk i shpëton dot. (Qesh)

- Ti, kur e ke kuptuar se ke rënë në dashuri me bashkëshortin tënd?

- Kjo është histori tjetër, që sillet me vite e vite me radhë. Unë kisha një njohje të gjatë me tim shoq, ishim miq të mirë dhe vazhdojmë të mbetemi, por dashuria erdhi si një rrufe, që na la të dyve me pasoja dhe na mori tutje. S’e prisnim, por ndodhi dhe mendoj se është gjëja më e mirë që më ka ndodhur. (Qesh)

- Për martesën ekzistojnë disa këndvështrime. Ti, si e sheh atë?

- Martesa mendoj se është një sfidë dhe mision shumë i vështirë, por edhe i rëndësishëm në jetë. Unë kam gati 9 vite e martuar...

- Je më shumë një mikeshë apo një partnere e mirë?

- Mendoj se jam të dyja dhe tashmë, edhe një nënë e përkushtuar ndaj fëmijëve të mi.

- Si e menaxhon kohën mes fëmijëve, punës në media dhe aktivizimit në muzikë, që do kohën e tij?

- Më karakterizon një vendosmëri, vullnet dhe përkushtim për t’i bërë të gjitha. Kam edhe ndihmën e mamit tim dhe të bashkëshor- tit, që më përkrahin shumë.

- Je një vajzë me karakter të fortë, por edhe shumë e brishtë njëkohësisht. Cila është arma jote më e fortë në skenë dhe në jetë?

- Besoj se jam prezantuar që në fillim si një njeri i sinqertë dhe i vërtetë; nuk jam shtirur asnjëherë për çdo gjë në jetën time, si profesionale, ashtu edhe personale. Më karakterizon gjithnjë energjia pozitive dhe ajo më ndjek në çdo hap.

- Në këto momente, do të doje një biletë avioni për në...

- Kam shumë vende të preferuara dhe disa të pavizituara ende. Nëse do të ndodhte kaq shpejt, do të doja të isha në Firence, pasi më pëlqen shumë qyteti dhe atmosfera e tij. Në këtë qytet kam xhiruar edhe dy video. Në përgjithësi, zona e Toskanës, është e preferuara ime.

- Jeta do të ishte e mërzitshme pa…

- Për mua, jeta ime do ishte asgjë pa fëmijët e mi. Këtë e kam jetike tani. Vogëlsirat dhe detajet s’kanë asnjë lloj vlere për mua, jeta ime tashmë është e fëmijëve të mi.

- Çfarë duhet për një jetë me dashuri?

- Durim, pasion, këmbëngulje dhe andrenalinë.

- Më trego të gjitha gjërat që të bëjnë njeri të mirë...

- Pyetje interesante... Askush nuk është perfekt, megjithatë e them me bindje që mëmësia më ka bërë njeri më të mirë.

- Nëse qëllon të kesh një ditë të tërë për veten, pa asnjë impenjim, ku të çojnë këmbët dhe çfarë të thotë zemra?

- Do të doja të rrija një ditë në një Spa, masazh, qetësi, relaks, sepse jeta dhe përditshmëria ime s’më lë shumë mundësi që t’i dedikohem 100 % vetes.

- Fundjavat e tua, çfarë kanë ndryshe nga ditët e tjera të javës?

- Fundjavat e mia janë ekskluzivitet për familjen dhe fëmijët, u dedikohem tërësisht atyre dhe çdo punë apo impenjim mundohem ta shtyj gjatë javës. Edhe pse ka raste kur më duhet të punoj, në përgjithësi, fundjavat e mia janë me familjen dhe më pëlqen kjo gjë.

- Ke qenë gjithmonë e mendimit se çdo fillim i vështirë e ka edhe një fund të lumtur?

- Jo gjithmonë, megjithatë, e tillë është formula. Di të them me bindje që nëse punon shumë, arrin atje ku synon. Vetëm me punën dhe sakrificat, gjërat që fiton bëhen më të merituara dhe të arrira.

- Cili është personi që i përshtatet më tepër botës tënde?

- Bashkëshorti im. Deri tani ka arritur të më kuptojë në çdo aspekt, kështu që po zgjedh atë si katalizatorin tim. (Buzëqesh)

- Një shprehje thotë: “Të jesh femër është art”. E mendon kështu?

- Jo vetëm... Të jesh femër është një kompleks gjërash, të cilat e bëjnë botën të rrotullohet.

- Ka diçka së cilës do të kishe dashur t’i kishe kushtuar më tepër kohë?

- Nuk e di, sepse siç e thashë edhe më sipër, deri tani kam arritur synimet e mia, por mbase do të kisha dashur t’i përkushtohesha më shumë profesionit tim me diplomë, që është i lidhur me gjuhën dhe letërsinë. Gjërat shkuan ndryshe për mua, megjithatë, letërsia mbetet një pasion i hershëm.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.