Mavraj: Kam një merak...

Intervista - - SPORT -

Kur beson në Zot, ai ta shpërblen në një formë apo në një tjetër. Mërgim Mavraj është pa dyshim shembulli i gjallë i kësaj, një person model që jetën personale e ka më të shenjtë se katrorin e blertë ku jep maksimunin e tij. “Futbolli në vete dhe jeta personale në vete”, shprehet Mavraj. Turneun e kampionatit evropian e sheh si një ndër sukseset më të mëdha të karrierës së tij dhe e përshkruan me shumë entuziazëm, por edhe me një lloj keqardhje që ëndrra e kombëtares u këput në mes, pasi mundësitë reale ishin edhe për më tepër. Rasti i Gashit, apo edhe golat në fund të lojës me Francen janë ana e errët e kësaj eksperience fantastike që kanë kaluar kuqezinjtë. Tashmë, fokusi është te karriera personale dhe duket se kjo merkato mund të sjellë ndryshime edhe në karrierën në klube, pasi në derën e Këlnit kanë vërshuar ofertat e para. Turqia dhe Italia mbeten opsione reale për të. Së fundmi, kanë qarkulluar edhe disa foto të Mavrajt me një femër, por çfarë thotë ai për këtë?

Eraldo Harlicaj: - Përshëndetje Mavraj! Çfarë po bën këtë periudhë?

Mërgim Mavraj: - Përshëndetje dhe faleminderit për intervistën. Këtë periudhë vetëm po pushoj. Jam në pritje të thirrjes nga skuadra e Këlnit për të vazhduar përgatitjet për sezonin e ri të kampionatit gjerman. - Ku po i kalon pushimet? - Festat i kam kaluar në Shqipëri dhe në Kosovë. Me këtë rast dua t’u uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar festën e Bajramit dhe sa më shumë harmoni dhe lumturi për ju.

- Mërgim, sa i lidhur je me Zotin?

- Jam shumë i lidhur, besoj shumë dhe një pjesë të suksesit tim ia dedikoj atij. Më ndihmon në shumë raste dhe ka qenë një udhërrëfyes i mirë në jetën time. Vetëm të mira kam prej tij.

- Episodi i birrës u bë trend në Evropian...

- (Qesh) Bëra vetëm diçka që e ndieja sepse nuk mund të jem larg parimeve të mia. Nuk ia vlen të diskutohet më.

- Për të kaluar tek Evropiani, si e përjetuat atë?

- Pa dyshim, ishte një ndër eksperiencat më të vlefshme dhe më emocionuese në jetë. Ishte e magjishme të luaje me skuadra të nivelit të lartë dhe në të tilla nivele. Ne e merituam dhe besoj se bëmë një paraqitje fantastike.

- E vërtetë! Çfarë të ka lënë më shumë mbresa?

- Tifozeria. Kemi tifozeri unike. Të luash në Francë dhe të ndihesh si në shtëpi. Të kesh përkrah mijëra njerëz që besojnë dhe bërtasin për ty. Madje edhe na kanë inkurajuar në momentet më të vështira. Ishte shumë emocionuese të luaje me stadiumin e mbushur me të kuqe.

- A ke ndonjë merak?

- Po, kam diçka që më ka mbetur në mendje...

- Mund të na e tregosh se çfarë?

- Mendoj se kishim mundësi për të bërë më shumë. Mund të kualifikoheshim. E bënë skuadra të vogla dhe mendoj se me pak fat mund të kualifikoheshim edhe ne. Ndoshta fati nuk ishte me ne.

- Kishte lidhje kjo edhe me mungesën e eksperiencës?

- Nuk mund të them se jo. Mendoj se të gjitha nga pak. Mos harroni se u eliminuam vetëm në fund dhe në luftën për vendin e tretë. Një gol më shumë apo një gol më pak dhe mund të ishim ne në fazën tjetër.

- Dhemb më shumë goli i dytë i Francës apo rasti i humbur i Gashit?

- Dhembin të dyja, pasi nëse do të shënonin me Gashin, do të kualifikoheshim automatikisht. Nëse nuk e pësonim me Francën, përsëri e njëjta gjë. Ishin dy momente që ndikuan në të gjithë ecurinë tonë.

- A e gjykon të drejtë formulën e Evropianit?

- Mund të them se kishim fatin e keq të luanim të parët... kaq. - Na e shpjego më qartë... - Nëse do të luanim në fund dhe të dinim rezultatet e të tjerëve, ndoshta do të ishim ne të kualifikuar.

- Ti po lë vend për kom- promise?

- Jo, jo, thjesht shpreha mendimin tim.

- Cila ishte ndeshja më emocionuese për ju?

- Të treja ishin emocionuese, pasi dihet marrëdhënia dhe emocionet me Zvicrën. Franca ishte një kombëtare me vlera dhe pa dyshim, qershia mbi tortë, fitorja me Rumaninë.

- Për të kaluar te pritja në Tiranë... Si u ndiet?

- Shumë mirë, normalisht që shumë mirë. Ishte pak e lodhshme, pasi u pritëm në pikën e vapës, por kur je me njerëzit e tu, gjithçka është e bukur.

- Nëse do të ktheheshit mbrapa, çfarë do të ndryshonit?

- Asgjë. Luajtëm shanset tona dhe jemi shumë të kënaqur të gjithë. Dhamë maksimumin dhe kjo ka më shumë rëndësi për momentin.

- Jemi në qendër të merkatos. A do të largohesh nga Këlni?

- Jam shumë mirë në Gjermani, por futbollit nuk i dihet asnjëherë.

- A është e vërtetë që ke marrë ofertë nga Turqia?

- Nuk mund të flas për këtë, më kuptoni.

- Po rinovimi të është ofruar nga gjermanët?

- Po, është e vërtetë, për këtë do të them po.

- Për të kaluar te jeta personale... Kanë qarkulluar disa foto të tuat me një vajzë...

- (Qesh) Jo, jooo... Faleminderit për intervistën. Nuk dua të flas për këtë, ju lutem. - Atëherë gjithë të mirat... - Edhe për ju.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.