Dieta për ata që vuajnë nga tensioni i lartë

Intervista - - SHENDET -

Një nga masat që mund t’ju këshillojë doktori nëse vuani nga presioni i lartë i gjakut është të ndiqni një dietë të veçantë. Kjo lloj diete në anglisht quhet DASH (Dietary Approaches to Stop Hypertension-Dietë për të ndaluar hipertensionin). Parimet e saj janë të thjeshta: Të hash më shumë fruta, perime dhe nënprodukte qumështi me pak yndyrë. Pra, duhen pakësuar ushqimet që janë me yndyrna të ngopura, kolesterol e yndyrna të përpunuara dhe të zëvendësohen me drithëra integrale, peshk, mish pule dhe arra. Kështu, duhen kufizuar kripa, ëmbëlsirat, pijet me sheqer dhe mishi i kuq. Studimet e ndryshme kanë treguar se njerëzit që ndiqnin një dietë DASH e ulën tensionin e tyre brenda dy javëve. Sasia maksimale e kripës që duhet të merrni në ditë është 1500 miligramë (2/ 3 e një luge çaji), gjë që ndikon drejtpërdrejt në uljen e tensionit të lartë.

Si veprohet me dietën DASH?

Këshillohet të konsumohen një numër i caktuar porcionesh në ditë nga grupe të ndryshme ushqimesh. Numri i porcioneve mund të variojë, në varësi të kalorive për të cilat keni nevojë në ditë. Ju mund të bëni ndryshime graduale. Për shembull, fillojeni duke e kufizuar kripën në 2400 miligramë në ditë (afro 1 lugë çaji). Më pas, kur trupi juaj të jetë mësuar me këtë dietë, mund ta pakësoni deri në 1500 mg kripë në ditë. Këto sasi përfshijnë gjithë kripën që do të konsumoni, përfshi këtu atë që ndodhet në produktet ushqimore, si edhe atë me të cilën do të gatuani, ose që do ta shtoni në tavolinë.

Shtoni një porcion perimesh në drekë dhe në darkë. Gjithashtu, shtoni një frut pas vakteve, ose si snak. Mund të përdorni edhe fruta të thata, por kontrolloni që të mos u jenë hedhur sheqer shtesë. Përdorni vetëm gjysmën e gjalpit apo vajit që përdornit më parë në gjellë apo sallatëra dhe përdorni nënprodukte qumështi të skremuar, me pak yndyrë. Kufizojeni mishin deri në 170 gramë në ditë dhe mos e përdorni shpesh. Shtojini më shumë perime dhe bishtaja menusë suaj.

Në vend që të përdorni patatina ose ëmbëlsira si snak, zgjidhni precel pa kripë, ose arra, rrush të thatë, kos me pak yndyrë, kos të ngrirë, kokoshka pa gjalpë dhe perime të gjalla (karota, kastraveca). Lexoni etiketat e produkteve dhe zgjidhni ato me pak kripë.

Ja, një dietë tipike DASH: Drithëra integrale: 4-5 porcione në ditë. Perime: 3-4 porcione në ditë. Fruta: 3-4 procione në ditë. Nënprodukte qumështi të skremuara: 2-3 porcione në ditë. Mish, pulë, peshk: 2 ose më pak porcione në ditë. Fruta të thata dhe bishtaja: 4-5 porcione në javë.

Yndyrna: 2-3 porcione në ditë.

Ëmbëlsira: Kufizojini në më pak se 4-5 porcione në javë.

Çfarë quajmë një porcion?

Nëse jeni duke ndjekur një plan të shëndetshëm të të ushqyerit është e rëndësishme të dihet se çfarë quajmë porcion. Një porcion për ushqimet e ndryshme është: ½ filxhan çaji oriz ose makarona të gatuara. 1 fetë bukë ose 30 gramë drithëra të thata. 1 filxhan perime të freskëta. ½ filxhani perimesh të gatuara. 1 filxhan qumësht ose kos i skremuar. 50 gramë djathë me pak yndyrë. 1 lugë gjelle vaj ulliri, gjalpë, apo majonezë. 100 gramë mish i gatuar (sa madhësia e mausit të kompjuterit) ose peshk. 1 frut mesatar. ¼ filxhani fruta të thata. ½ filxhani lëng i shtrydhur frutash (pa i hedhur sheqer). 50 gramë arra, bajame, lajthi, etj. 1 lugë gjelle sheqer. 1 lugë gjellë reçel. 1 filxhan limonatë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.