Je e ndrojtur dhe je lidhur me një djalë të hedhur?

Intervista - - INTIMITET -

Bëhu gati për...

Nëse je tip i ndrojtur dhe i mbyllur në vetvete, nuk është e lehtë të lidhesh me një burrë të shkathët. Megjithatë, ti e do, sepse ta ka zgjedhur zemra. Epo atëhere, ja, disa gjëra të pashmangshme që ndodhin në këto lloj lidhjesh...

1. Ai do të të kërkojë të dilni, kur ti do të rrish në shtëpi.

Sa kohë keni që jeni lidhur? Ai e di shumë mirë që ty të pëlqen të rrish në shtëpi. Megjithatë, ti je një partnere super, që bën lëshime dhe do ta shoqërosh atje ku do ai.

2. Sa herë dilni së bashku, do të bini në kompromis.

Për shembull: “Okej, jam dakord të dal me shoqërinë tënde sonte, por më premton se do të qëndrojmë në shtëpi gjithë fundjavën. Kjo më pëlqen dhe ti e di mirë”.

3. Në një dhomë të mbushur me njerëz ai fillon menjëherë bisedën.

Si mund të jetë ai kaq i hedhur? Ti qëndron e vetmuar në një cep të dhomës, ose fillon bisedën me një njeri të vetëm gjithë siklet dhe në fund të bisedës ndihesh e lodhur. Ndërkohë, ai e ka tërhequr tashmë vëmendjen e gjithë njerëzve të ftuar, me të cilët flet sikur i njeh prej kohësh.

4. Kur i thua se të pëlqen të rrish vetëm, ai kujton se do të ndahesh.

Për të, të rrish vetëm do të thotë: “Të urrej, lamtumirë”, ndërsa për ty është një pjesë jetësore e karikimit të baterive. Me kalimin e kohës ai do ta kuptojë këtë, por sa herë ta thuash, ai do të pyesë veten nëse je zemëruar me të, gjë që s’është aspak e vërtetë.

5. Të vjen ta mbysësh kur të thotë se ti mendohesh shumë...

...ose se duhet të jesh më e relaksuar. Ose të nënkuptojë se ti duhet të jesh si ai. Mos i dukesh gjë anormale? E pse të mos jetë ai si ti?

6. Kur shkoni në një festë së bashku, ndihesh sikur e pengon të zbavitet.

Në shumicën e evenimenteve shoqërore, ti thua: “Më lër këtu afër tavolinës së koktejlit dhe shihemi kur të mbarosh”. Por sigurisht, atij i vjen keq të të lërë vetëm dhe të rri pranë: “Jo, jo, do të rri me ty, derisa të zësh shoqëri”. Në këtë moment, ti fillon të mendosh se po e pengon të zbavitet dhe se ishte më mirë mos të të kishte marrë me vete.

7. Të përpiqesh të njohësh gjithë shoqërinë e tij...

...është njëlloj si të bëhesh shok me të gjithë në Instagram. E kush ka nerva dhe fuqi emocionale të njohë një e nga një të 17 kolegët e tij të punës? Ti jo njëherë!

8. Njerëzit do t’ju pyesin si funksionon lidhja juaj, kur jeni kaq të ndryshëm...

Është e çuditshme të dëgjosh dikë të thotë “Nuk e di si jeni lidhur ju të dy” dhe në njëfarë mase të jesh dakord me të. Jo se nuk e do, por teorikisht, kjo është e pamundur. Megjithatë, kush e vret mendjen? Mjafton që ju të dy jeni të lumtur.

9. Ti rri pa folur në prani të familjes dhe të shoqërisë së tij...

...dhe ai ndihet në siklet. Pastaj, ti do ta ndjesh veten në faj pse je ajo që je. Ti nuk mund ta ndryshosh kaq lehtë karakterin tënd, vetëm sepse është e rëndësishme për të që ti të ndryshosh. Megjithatë, do të përpiqesh.

10. Jeni në rrugë dhe ai të kërkon të pyesësh kalimtarët për një adresë.

Ai duhet ta dijë tashmë se ti nuk flet me të panjohur. E pse të mos pyesë ai, kur e ka aq të lehtë? E njëjta gjë edhe kur të kërkon të flasësh në telefon. Tashmë duhet të ishte mësuar. Ti e kupton se nuk ka asnjë turp të pyesësh, por hajde thuaji ndrojtjes se...

10. Ai të tërheq zvarrë në një festë...

Në fillim, ti nuk doje të shkoje, për në fund, zbavitesh. Sigurisht që do ta dashurosh edhe më shumë, pikërisht për këtë arsye.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.