Ndue Prendi (Novi): Jetoj çdo ditë me këngën

Intervista - - MUZIKE -

Ndue Prendi (ose siç njihet në botën e muzikës, me emrin e artit Novi) nga Puka, është nga ata këngëtarë që preferojnë të ruajnë një stil dhe një zhanër. Ai ka publikuar para pak kohësh klipin “Bashkimi kombëtar”, një këngë patriotike që është pëlqyer mjaft nga publiku i tij. “Këngëtar nuk bëhesh me dy apo tre vjet, të duhet një jetë e tërë që të kompletohesh”, thotë Prendi, mes të tjerave, në intervistën që realizuam me të...

Fabjola Kuburi: - Novi, ti ke vite vite në skenën shqiptare. Për ty, cila ka qenë arritja më e madhe?

Ndue Prendi (Novi): - Kam përshtypjen që arritja ime më e madhe është që jam një këngëtar profesionist në mënyrën e të kënduarit live, pasi mund të këndoj në skenë për disa orë me radhë. Kjo besoj se mund të quhet arritje jo vetëm për mua, por për çdo këngëtar që këndon në këtë mënyrë. Profesionalizmi ka të bëjë shumë me përmirësimin e përditshëm të të kënduarit.

- Këngën e ke pasion apo ajo ka lindur bashkë me ty?

- Talenti lindi me mua, këngën e kam pasion! Karriera ime nisi qëkur isha 12 vjeç, në klasën e gjashtë, kur mora pjesë në një festival për zëra të rinj, që u zhvillua në Pallatin e Pionerit. Aty u vlerësova me çmimin e parë. Që nga ajo ditë e deri sot, unë vazhdoj me aktivitetet muzikore dhe kryesisht, me këngën.

- Të pëlqen të eksperimentosh apo të mbetesh brenda së njëjtës rrymë muzikore?

- E kam edhe në karakter që, kur merrem me diçka, dua ta sjell në mënyrën më të mirë të mundshme. Zhanri im është ai të cilit unë i jam vënë ta sjell në detaje, me nivel. Më pëlqen të rri në zhanrin tim.

- A u rikthehesh herë pas here këngëve, për t’i perfeksionuar?

- Natyrisht që po. Që të jesh profesionist, duhet të punosh me orë të tëra, të studiosh, të kërkosh më të mirën dhe duhet të jetosh çdo ditë me këngën.

- Gjatë verës do të kemi një projekt tjetër muzikor nga Novi?

- Mendoj se po, edhe pse verën e kam shumë të ngarkuar!

- Sa i shpërblyer ndihesh në planin profesional? - Mjaftueshëm! - Në tregun muzikor shqiptar ka shumë këngëtarë që kanë nxjerrë edhe shumë videoklipe. Ti, ç’mendim ke për cilësinë e tyre?

- Pa dashur të ofendoj askënd, këtu do të ndaloj dhe do të them dy fjalë. Që të bëhesh këngëtar/e nuk mjaftojne 2 apo 3 vite, duhet një jetë për t’u bërë artist i kompletuar. Ka kaq shumë për të bërë që të quhesh dhe të jesh në nivel të lartë artistik. Të duhet një mal me punë, talent dhe vullnet. - Ç’do të thotë për ty të jesh artist i njohur? - Për mua, të jesh artist i njohur do të thotë të kesh nje marrëdhënie shumë të mirë me publikun, ta kthesh komunikimin me të në art më vete, sepse në fund të fundit, publiku është ai që të quan dhe të bën artist, vetëm vlerësimi i tij.

- Cili ka qenë mesazhi më i bukur që ke marrë deri sot nga publiku yt?

- Ah, më kujtove një mesazh shumë të bukur, mes të tjerëve, që thoshte: “Krenohem me ty, të adhuroj”. Këto mesazhe nga publiku im, i vlerësoj më shumë se gjithçka.

- Çfarë mund të bësh ti për ta përmirësuar imazhin tënd si këngëtar?

- Të jem sa më i thjeshtë, kjo ka qenë gjithmonë motoja ime në jetë! Thjeshtësia është gjëja më e bukur që mund të bëjë dikush për të treguar anën e tij më të mirë.

- Këngën e ushtron vetëm për pasion apo edhe për para?

- Nuk do të tregohesha i sinqertë nëse do të thoja që këngën nuk e ushtroj edhe si profesion. Ajo që unë dua ta bëj me shumë dashuri është të këndoj dhe dashur pa dashur, duke u marrë me të çdo ditë, kthehet në profesion.

- Ti këndon shumë edhe jashtë Shqipërisë. Cili është vendi apo ambienti ku je ndier si në shtëpinë tënde?

- Po, është e vërtetë, kam kënduar në disa shtete të Evropës. Në ambientet ku publiku është shqiptar, kalohet gjithmonë bukur!

- Gjëja më e bukur që të kanë thënë kur ke kënduar?

- Jo vetëm një herë, por shumë herë më urojnë: “Të këndoftë shpirti brez pas brezi” dhe urime të tilla mbeten përgjithmonë. - A ke një falënderim apo një urim për dikë? - Falënderoj Zotin që më bëri dhuratën më të çmuar, zërin dhe talentin. Falënderoj publikun tim që më mbështet gjithmonë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.