I bëra dokumentet burrit, deshi të më nxirrte nga shtëpia

Intervista - - HISTORI NGA -

(Vijon nga numri i kaluar)

Brenda bllokut ishte edhe një letër që ajo nuk e di kujt ia drejtonte, por ku shkruhej në anglisht: “Sot, Dorjani më tha se më do. Ai më ka premtuar martesë, pasi të ndahet nga gruaja e tij. Ai më shkroi se unë jam jeta e tij, dashuria e tij. Edhe pse kemi një diferencë moshe prej njëzet vitesh unë e ndiej se e dua, e ndiej se ai do të më bëjë të lumtur. Ai nuk e do gruan e tij, pret të marrë dokumentet dhe gruan do ta përzërë nga kjo shtëpi. Pastaj do të jem unë zonjë e kësaj shtëpie. Këtë gjë nuk ma ka thënë vetëm Dorjani, por edhe e nëna e tij, vajzën e tij do ta rris vetëm unë. Ajo më do më shumë mua sesa të ëmën, se ajo është gjithë ditën në punë e nuk kujdeset për të”. I lexoja të gjitha ato dhe duart më dridheshin, ndërsa lotët nuk më ndalonin. Ajo vazhdonte me tej duke shkruar: “Sot në ditëlindjen time, Dorjani më bëri dhuratën më të bukur që kam marrë ndonjëherë, një varëse floriri ku në një zemër ishin shkruar inicia- let tona. Është një kujtim që do ta mbaj për gjithë jetën”.

E mora vajzën në telefon dhe i kërkova që të vinte në shtëpi. Pastaj telefonova edhe policinë. Para se të vinte policia, e qëllova atë me një pëllëmbë që do ta mbajë mend gjithë jetën, ndërsa Dorjanit i thashë: “Nuk je gjë tjetër veçse një pedofil i shëmtuar që ma shpif. Do ma paguani shtrenjtë këtë që më bëtë”. Ai nuk po kuptonte asgjë dhe më thoshte: “Të lutem zemër, qetësohu, çfarë ka ngjarë? Nuk po të kuptoj!”. Më pas u hodh e ëma: “Mirë ta bëri, ti nuk e meriton djalin tim, e ke bërë si lodër në duart e tua!”. E mbërtheva edhe atë njëherë prej flokësh dhe e tunda mirë. Më pas, me bllokun e shënimeve qëllova Dorjanin në fytyrë: “Merri dhe lexoi tradhtitë e tua”.

Ai m’u ul në gjunjë dhe më betohej për kokën e vajzës se nuk më kishte tradhtuar dhe se të gjithë këtë histori e kishte filluar e ëma e tij. Ajo, për t’u hakmarrë ndaj meje, donte që djali i saj të lidhej me atë vajzë dhe unë të vuaja për këtë gjë, por unë u tregova e fortë. Pasi erdhi policia, i tregova bllokun dhe u thashë se Dorjani ishte martuar me mua vetëm për dokumente. Atij ia hoqën edhe dokumentet që i kishin dhënë dhe e kthyen në Shqipëri bashkë me të ëmën. Vajzën e kthyen në vendin e saj se ishte ilegale dhe mua më vunë një gjobë që e kisha punësuar atë në të zezë. Ja, pra, kështu u shkatërrua familja ime. Ishvjehrra deshi të më bënte gropën mua, por ra vetë brenda, bashkë me djalin e saj.

Sot ata më luten për të parë vajzën dhe më thonë se janë penduar, ama ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron, kështu edhe puna e tyre. Unë sot jetoj me vajzën time, punën e kam lënë dhe jam në asistencë. Dua të rris vajzën dhe t’i përkushtohem plotësisht asaj. Historia me Dorjanin ishte vetëm një ëndërr e keqe të cilën dua ta harroj sa më shpejt të jetë e mundur. Shpresoj që këtë histori ta lexojë edhe ai dhe të kuptojë se çfarë ka humbur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.