Po të më jepte një mundësi, do rikthehesha tek ish-bashkëshorti

Intervista - - MËKATE -

(Vijon nga numri i kaluar)

Kaluan dy vite dhe unë ngela përsëri shtatzënë, këtë herë ishte djalë. Bashkëshorti sillej ...

shumë mirë me fëmijët, ndërsa me mua bëhej shpeshherë nervoz. Ndoshta edhe për faktin se edhe unë xhelozoja shumë. Fundjavat e tij ishin më të ngarkuara mbrëmjeve dhe femra të bukura kishte rrotull kudo, kështu që mua nuk më zinte gjumi natën. Tentoja ndonjëherë të shihja fshehur telefonin e tij kur i vinte ndonjë mesazh, por ai i kishte të gjitha të koduara. Ndërsa shtriheshim për të fjetur, ai rrinte me telefon në dorë dhe komunikonte me njerëz të ndryshëm në internet. Marrëdhënia jonë pa e kuptuar ishte ftohur totalisht. Ne rrinim për kohë të gjatë pa kryer marrëdhënie, madje që nga momenti kur ai mësoi se mbeta shtatzënë me fëmijën e dytë, ai nuk më preku më me dorë. Sa herë që e hapja këtë temë, ai merrej me fëmijët dhe gjithçka mbyllej sikur s’kishte ndodhur asgjë. Unë vazhdoja të bëhesha xhe- loze, filloja të shihja çdo gjë me lupë.

Një ditë arrita t’i dalloja një aromë parfumi femëror mbi këmishën e tij, por nuk i thashë gjë sepse nuk doja të nisja sherrin kot, duke e fajësuar shpeshherë veten si dyshuese pa prova.

Një ditë tjetër pashë që i bëri “tag” në Facebook një vajzë shumë e bukur. Nga fjalët që ajo kishte shkruar, kuptohej që mund të kishte diçka midis tyre. Kur e ngacmova më shumë për këtë person, ai u nevrikos shumë, duke m’u drejtuar:

- Ti nuk ke besim tek unë?! Po nuk më besove mua, ik dhe jeto te prindërit e tu!

Si përfundim, ia hoqi “tag- un” asaj vajzës. Kjo ishte një ndër zënkat tona, të cilat sa vinin dhe bëheshin të shpeshta. Lindi fëmija e dytë dhe ne vazhdonim thjesht të ndanim krevatin së bashku. Unë bëhesha gjithmonë e më xheloze dhe shkoja e shpërtheja në lot. Ai më bërtiste gjithmonë për arsye se qaja në sy të fëmijëve. U bënë vite dhe ne ende nuk flinim më bashkë, gjithçka u ftoh përfundimisht. Ai shpesh më gjykonte për faktin që unë isha pa punë, nuk arrija të isha e zonja e vetes, ndërkohë që ai ishte një person i formuar dhe në karrierë. Ditët e mia ishin shumë të zakonshme, pothuajse më kapte e njëjta rutinë e përditshme. Kisha kryer një universitet, por nuk kisha punuar asnjë ditë në jetën time, i isha përkushtuar vetëm rritjes së fëmijëve, por sigurisht që dilja sa herë të doja me shoqet sepse m’i mbante mamaja ime fëmijët. Ai dilte me shokët dhe unë me shoqet.

Fundjavave ai merrte herë djalin, herë vajzën dhe dilte me ta, i çonte në këndin e lojërave, në pishina, por mua nuk më bënte asnjëherë ftesë. Ne ishim bërë të huaj për njëri-tjetrin. Sa herë mendoja të largohesha nga shtëpia, sprapsesha me mendimin se gjërat do të ndryshonin. Po filloja të mos ndieja gjë për të, ndoshta edhe ai për mua, por duke qenë në mes fëmijët, nuk guxoja të bëja asnjë hap më tej.

Një ditë ai u bë shumë agresiv, duke më qortuar mua dhe karakterin tim. Aty unë nuk munda të duroja dot më. Shpërtheva në lot dhe nuk mund të pushoja. Ai vazhdonte të më qortonte se pse qaja në sy të fëmijëve. Ndërsa qaja, fillova të bëja gati valixhet. Vendosa që të merrja me vete dhe fëmijët e të jetoja me prindërit. U përgatitëm dhe u nisëm. Ai nuk e kundërshtoi këtë gjë duke thënë:

- Meqenëse ti nuk më duron dot mua, do të thotë se nuk më do. Atëherë, shko e mos u kthe më!

Fëmijët nga ana tjetër, të mërzitur që na shihnin ne teksa ziheshim, filluan të qanin dhe nuk po kuptonin gjë se çfarë po ndodhte.

Së bashku me fëmijët, duke qarë, u nisëm drejt shtëpisë së prindërve të mi. Ata u habitën kur më panë në derën e shtëpisë me valixhe të ngarkuar dhe me fëmijët. Babi direkt reagoi duke më pyetur se çfarë kishte ndodhur. Ata nuk e pranonin këtë që po ndodhte, por donin s’donin unë isha e vendosur që nuk do të kthehesha më në atë shtëpi.

Të them të drejtën, deri në momentin që u largova, nuk ndieja shumë për të, por pas largimit nga shtëpia sikur po e ndjeja më shumë mungesën e tij. Është e vërtetë që atëherë kur nuk e ke pranë personin e zemrës, e kupton se sa i rëndësishëm është ai për ty. Të jetuarit vetëm ishte shumë e vështirë, më duhej të përballesha me fëmijët për gjithçka, por nga ana ekonomike dhe argëtimi në fundjavë atyre nuk u mungonte nga i ati.

Fëmijët tashmë janë rritur, shkojnë në shkollë, ndërsa ai ndërkohë është martuar me një vajzë të re dhe kanë një fëmijë së bashku. Unë, edhe pse kanë kaluar disa vite, kujtoj momentet e bukura që kemi kaluar së bashku përpara se të martoheshim. Ndonjëherë mendoj: “A ishte martesa një ogur i keq për lidhjen tonë?!”. Sa e çuditshme që është jeta, në momente të vështira xhelozie dhe nervozizmi, largojmë nga vetja personat më të dashur, prindin e fëmijëve. Po të më jepej mundësia edhe një herë, do të rikthehesha me ish-bashkëshortin tim, por qëkur ai krijoi një familje të re, shpresa ime u shua përfundimisht.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.