A përfitoj pension social në Itali?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam një emigrante me banim në Piaçenca të Italisë, që prej vitit 1998. Sapo kam mbushur moshën 65 vjeçe dhe marr një pension të pjesshëm pleqërie në Shqipëri. Dua të di, a përfitoj Pension Social në Itali dhe cilat janë kushtet për ta përfituar?

- E nderuar letërshkruese, pensioni social, apo siç emërtohet tani, pagesa sociale, është një përfitim ekonomik që jepet sipas aplikimit të bërë në favor të qytetarëve në gjeëndje ekonomike jo të favorshme, me të ardhura jo më të mëdha se kufiri i përcaktuar vjetor nga ligji. E drejta për këtë përfitim përcaktohet në bazë të të ardhurave personale për qytetarët, në bazë të të ardhurave totale dhe me atë të bashkëshortit për qytetarët e martuar. Pagesa sociale jepet me karakter të përkohshëm dhe verifikimi i të ardhurave dhe banimi i përfituesit, konfirmohen çdo vit. Kjo pagesë nuk shërben për familiarët mbas humbjes së jetës të mbajtësit dhe nuk jepet jashtë vendit. Qëndrimi jashtë shtetit i titullarit mbajtës të kësaj pagese me një kohëzgjatje më shumë se 30 ditë sjell pezullimin e pagesës. Duhet patur parasysh se një vit pas pezullimit, përfitimi anulohet. Vlen të theksohet se mosha e përfitimit ka ardhur duke u rritur krahasuar me vitet e mëparshme. Në vitet 2016 dhe 2017, mosha për këtë përfitimin e pagesës sociale do të jetë deri në 65 vjeç e 7 muaj, ndërsa në 2018 dhe të bëhet 66 vjeç e 7 muaj. Për të përfituar pagesën për vitin 2016, është e domosdoshme të plotësohen këto kërkesa: - mosha 65 vite e 7 muaj - statusi në nevojë ekonomike - shtetësia italiane - për qytetarët e huaj anëtarë të BE-së, të jenë regjistruar në komunën e zonës së banimit.

- për qytetarët ekstrakomunitarë, me leje qëndrimi në BE për qëndrim për një kohë të gjatë (ish-karta e qëndrimit)

- banim efektiv të qëndrueshëm, që të ketë vazhduar jo më pak se 10 vite në territorin shtetëror italian.

- Përfitojnë personat jo të martuar që kanë një të ardhur vjetore më të vogël se 5.830.76 euro, e barabartë me 448.52 x 13 muaj.

- Personat e martuar që kanë të ardhura familjare më të vogla se dyfishi i shumës vjetore të pagesës 11.661.52 (5.830.76 x 2). Në rast se një qytetar ka të ardhura nën këtë shumë, atëherë nga shuma e pagesës sociale ( ish- pensioni social), i zbriten këto të ardhura. Nisur nga ky kusht, në shumën e përcaktuar si pagesë sociale, do të zbritet shuma e pensionit që merrni në Shqipëri. Pra, nga shuma 448.52 euro do të zbritet shuma e pensionit që merrni në Shqipëri. Aplikimi për përfitimin e pensionit social mund të paraqitet vetëm në mënyrë elektronike nëpërmjet kanaleve të mëposhtme:

- ueb – duke aplikuar shërbimin telematik të arritshëm direkt nga qytetarët nëpërmjet PIN dhe portalit të INPS, www.inps.it

- telefonit, duke telefonuar në numrin 803164 në rrjetin fiks falas, ose numrit 06164164, duke paguar sipas tarifave telefonike.

- nëpërmjet patronateve, si ndërmjetës të INPS– së, duke përdorur shërbimin telematik të ofruar nga këto institucione.

- Duhet theksuar edhe një herë se pagesa sociale në Itali është plotësisht e lidhur me rezidencën dhe qëndrimin brenda shtetit italian. Kjo do të thotë se në rast se largohesh nga Italia, automatikisht humb e drejta për ta përfituar pagesën. Për procedurat e përfitimit të pagesës sociale, mbasi të plotësosh moshën 65 vite e 7 muaj, mund të kërkosh asistencë dhe ndihmë nga zyra e Patronatit INAS të zonës suaj, ndihmë e cila është krejtësisht falas, pa asnjë pagesë. Ju falënderoj për besimin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.