Enver Hoxha: Ja, përse amerikanët na prekin sovranitetin!

Intervista - - AKTUALITET -

Intervistën e mëposhtme e realizova me vetë shokun Enver, teksa po dremisja nën një pemë.

Enver Hoxha: - Hë mo Kaso, mirë je? Qish të kam? Kaso Kosa: - Përshëndetje komandant! Ju betohem që nuk po flija. Ju pashë që po afroheshit, por bëra sikur s’ju pashë. Ku e ul vigjilencën unë, o shoku Enver?!

- E mo mirë edhe tinë, se e do njeriu një si gjumë. Unë për shembull, kur isha në kohë të luftës, ia fusja me gjumë gjithë ditën. - Po natën, ç’bënit, shoku Enver? - Natën thurja triko me Nexhmijen. 10 muaj këtë punë bëja. - Ç’punë? - Këtë punë që të thashë, mo Kaso, thurjen! Nga maji i vitit dizet e di e deri në mars të dizet e treshit kur dolla në mal…

- 10 muaj me radhë! E çuditshme zoti Enver... Domethënë, shoku Enver. Kushedi sa triko keni bërë. - Një bëmë. - Si një?! Vetëm një triko, për kaq muaj punë?

- S’na pëlqente modeli i atire që bënim, o Kaso. I prishnim dhe i bënim përsëri derisa më në fund e bëmë një golf. Doli alamet trikoje. Ia fala një amerikani.

- I falët trikon që mezi bëtë, një amerikani! Po ky qenka lajm ekskluzivisht i thënë tek unë, shoku Enver.

- Ia fala, posi. Atëherë i kishim miq. Ramë dakord me Nexhmijen që t’ia jepnim një misionari ushtarak amerikan. Po dridhej nga të ftohtit. I ishte mavijosur buza fare, gjatë operacionit të dimrit. - S’kishte rroba ai? - Eeee i hidhnin avionët englezë dhe amerikanë, por ata hidhnin bluza me mëngë të shkurtra. Mbaj mend në shtator të vitit dizet e tre, i kam shkruar Nexhmijes: “Shoqja Delikate. Kam atë bluzën që kemi punuar bashkë kur qëndronim ilegalë. Të kujtohet besoj… A t’ia jap atij amerikanit, se u karrkallos mavriu fare?”. - Po zonja Nexhmije, ç’tha? - E gatshme ishte, sigurisht. Në letrën e saj të 13-të që më dërgoi në muajin maj të dizetë e katrës, më shkruante: “I dashur Taras! Sa për pyetjen që më bëre në shtator, nëse mund t’ia japësh bluzën e leshtë amerikanit, unë mendoj që t’ia japësh. Fundja, përse të mos ia japësh?”. Ia dhamë bluzën, që thua ti, por këtu lindi kontradikta me amerikanët. - Ç’kontradiktë? - Kontradikta me amerikanët pra. - Përse pra? - Ky misionari amerikan filloi të vishte në behar, bluzën e leshit që i dhashë unë. S’e hiqte nga trupi. “Ty, Enver, të vlerësoj më thoshte, se je luftëtar i madh”. Nejse... Një ditë, teksa po bisedonte me mua, u plas në tokë si qyp. Thashë ç’pati. - E ç’pati? - E kishte qëlluar një snajper gjerman. Kishte kujtuar se amerikani ishte unë dhe unë isha amerikani. Bam-bam-bam ca të shtëna gjermani e ra në tokë amerikani. E hëngri vate për lesh, vetëm se mbante bluzën time të leshit. - Histori e dhimbshme… - E dhimbshme vërtet. Por s’mbaron këtu, Kaso. - Pse, ka akoma, shoku Enver? - Si s’ka?! Këtu fillon historia. Amerikanët më akuzuan mua sikur vrava misionarin e tyre. - Ju nuk e vratë, sigurisht. - Po ta vrisja unë, s’do ta vrisja me bluzë veshur, o Kaso. Sa keq më erdhi mua si gjirokastrit i vërtetë, që u prish nga plumbat ajo bluzë! Nejse... Plasën notat e protestës nga qeveria amerikane: “Enveri na çoi për lesh një misionar tonin”, thonin. “Enveri po vendos diktaturën. Po fut në burg deputetë”. E mbushën botën me të tilla gënjeshtra. Kështu kanë qenë përherë ata. - Kush ka qenë përherë kështu? - Amerikanët, pra. Me të futur ia kanë pasur këtij vendi. Siç e kam thënë edhe në s’mbaj mend se te sa vepra të miat: “Ata janë e keqja e këtij vendi”. Por, sovranitetin tonë s’kanë mendere ta prekin dot ata, o Kaso...

Sa përmendi Komandanti fjalën “sovranitet”, mua më doli gjumi i lemerisur. Më doli para syve Lul Basha që s’do të preket sovraniteti i vendit, nëse dëgjojmë amerikanët për reformën në Drejtësi.

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.