Egert Pano: Suksesin e arrita në Itali, por zemrën e kam këtu

Intervista - - AKTUALITET -

Ka lindur në Tiranë, por nga mosha 7 vjeçare jeton në Itali, ku u diplomua për kanto moderne në Universitetin e Muzikës në Romë e më pas edhe në konservatorin e muzikës në Frosinone. Me këto dy diploma në dorë, Egerti ka punuar si mësues i specializuar në studimet e kantos moderne, por edhe si bashkëpunëtor, orkestrues, kompozitor apo këngëtar me emra të rëndësishëm të muzikës italiane.

Egertin e njoha në dhjetor të vitit 2015 kur konkurroi në Fest’54 me këngën e bukur xhaz, “Mos ik”. Pasi përfundonim provat, në pushim ai ulej në piano dhe fillonte të luante pjesë të ndryshme që i shoqëronte me zërin e tij. Më shumë se i dashuruar me muzikën, mjaft i komunikueshëm dhe tejet xhentil erdhi ai në intervistën e parë në Radio Tirana 2, ku ndihej mjaft i emocionuar, nga pasiguria se nuk mund ta fliste mirë gjuhën shqipe. Egerti po punon intensivisht për albumin e tij të parë që do të vijë në dy gjuhë, shqip dhe italisht... Sava Lena: - Egert, për rreth dy dekada ti ke studiuar muzikë. Mendon se ka ardhur koha të kesh vëmendjen e merituar?

Egert Pano: - Është e vërtetë që kam studiuar shumë dhe mendoj se tani që jam 32 vjeç, ka ardhur koha të ndaj me publikun tim të gjithë eksperiencën time si muzikant dhe si këngëtar.

- Ti ke bashkëpunuar me emra të njohur të muzikës italiane. Si je njohur me ta?

- Kam një producent në Itali që më lidh me këta artistë. Punoj si bashkëpunëtor, orkestrues, kompozitor apo këngëtar me emra të rëndësishëm të muzikës italiane si: Analiza Mineti, Manuela Vila, Rita Forte, etj. Së fundi, kam patur kënaqësinë të hapja koncertin e këngëtarit të famshëm Italian, Mikele Xarilo.

- Sa e lehtë apo e vështirë është të jesh pjesë e stafit të një artisti të famshëm?

- Sigurisht që nuk është e lehtë. Duhet të jesh profesional dhe të kesh përgatitje shumë të mirë muzikore. Nuk mjafton vetëm të dish të këndosh mirë; duhen edhe shumë faktorë të tjerë të rëndësishëm që i përmbush vetëm një muzikant absolut.

- Më shumë mbushesh shpirtërisht në një orë mësimdhënieje apo kur këndon në skenë?

- Kjo është një pyetje mjaft e vështirë për mua, sepse mësimdhënia më pëlqen shumë, por skena për mua është në plan të parë. Është diçka shumë e veçantë të ndash me publikun emocionet që ke në zemër. Mendoj se jo të gjithë artistët mund ta bëjnë këtë.

- Ti punon prej vitesh në një shkollë muzike në Frosinone, pranë Romës. Si arrite ta fitoje këtë vend pune që do ta lakmonin shumë të tjerë?

- Arrita deri këtu ku jam duke qenë shumë i rregullt, i përpiktë në orar, besnikëri, profesionalizëm, buzëqeshje edhe në atë që është më e rëndësishme, në përgatitjen muzikore.

- Si është marrëdhënia jote me studentët?

- E mrekullueshme! Më duan dhe i dua shumë. Kemi një raport më shumë si kolegë muzikantë sesa profesor-stu- dent.

- E konsideron veten me fat për gjithçka që ke arritur deri më sot?

- Sigurisht që fati është i rëndësishëm, por mendoj se nuk kam patur edhe aq shumë fat. Gjithçka e kam arritur me shumë sakrifica, me shumë orë pune, por jam shumë i kënaqur.

- I ke zili sukseset që arrijnë pjesa dërrmuese e këngëtarëve me komercializëm?

- Kjo nuk më intereson. Nuk mund të krahasohet kurrsesi një person që ka studiuar për shumë vite muzikë, me një tjetër që nuk di as notat muzikore. Nuk flas vetëm për veten, por për të gjithë profesionistët si unë, të cilët sot e meritojnë më shumë suksesin që kanë. Muzika është një art shumë i vështirë dhe jo të gjithë mund të bëhen muzikantë apo këngëtarë. Unë kam shumë respekt për muzikën, ndaj i kam kushtuar gjithë këto vite të jetës sime.

- Sa kohë ke që po punon me albumin tënd?

- Kam rreth një vit të plotë që punoj në mënyrë intensive.

- Si lindi idea që albumi të vijë në dy gjuhë?

- E kam patur gjithmonë idenë të këndoja në gjuhën shqipe, edhe pse rreth 70 për qind të këngëve i kam shkruar italisht. Pas prezantimit në festivalin e fundvitit, së bashku me producentin tim vendosëm që albumi të vinte në të dyja gjuhët, shqip dhe italisht.

- Prezantimi yt në Shqipëri ishte vjet në Fest’54. Pse kaq vonë?

- Kam patur gjithmonë shumë dëshirë të vija në festivalin e RTSH-së, por studimet dhe puna sikur më bllokuan. Në dhjetor 2015, edhe veten e ndieja më të përgatitur e më të arrirë profesionalisht, por edhe personalisht, që t’u dedikoja më tepër kohë objektivave të mia.

(Vijon në faqen 4)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.