Pushimet e një veline Brisi Mehmeti: Kujt s’do t’i pëlqente?!

Intervista - - TELEVIZION -

Disa i programojnë shumë kohë më parë, të tjerë në momentin e fundit. Ka mes tyre fansa të detit, por dhe nga ata që kërkojnë malin dhe natyrën. Dikush nuk e ndërron Shqipërinë, të tjerë nuk iu ndahen zonave turistike nëpër botë... Megjithatë, kur vjen puna te pushimet, të gjithëve na bashkon nevoja e pashmangshme për të shkundur lodhjen apo stresin e një viti të tërë. Velina e “Fiks Fare” është këtu me ne për të na treguar se ku e gjen ajo qetësinë, si dhe për gjithçka tjetër që duhet të dini rreth pushimeve të një veline...

Mia Buci: - Cila ishte e veçanta e ditës së sotme?

Brisi Mehmeti: - Po bëhem gati për pushimet e para të mirëfillta për këtë vit.

- Çfarë të vjen ndërmend kur mendon për verën?

- Pushimet dhe fakti që më duhen rroba banje të reja.

- Të shijojnë më shumë pushimet-paketë të organizuara nga një agjenci udhëtimesh apo ato të ideuara tërësisht prej teje?

- Parapëlqej t’i organizoj vetë pushimet e mia, por ka organizime mjaft interesante nëse gjen agjencinë e duhur.

- Pushime në hotel me 5 yje, në një shtëpi pritjeje apo në kamping?

- Sigurisht që duhen disa ditë relaksuese dhe zgjedhja më e mirë janë hotelet me 5 yje, por të gjitha kanë bukurinë e tyre. Jam e mendimit që duhen edhe pushimet më aventuriere, jo vetëm ato ku qëndron gjatë gjithë kohës ulur në shezlong.

- Cili është destinacioni i kësaj vere?

- Destinacioni i parë ka qenë jugu i Shqipërisë gjatë fundjavave, ndërsa pushimet e para të mirëfillta për këtë verë do të jenë në Antalia. Pikërisht për pushimet relaksuese, do qëndroj rreth 10 ditë.

- Pushimet më të bukura që ke kaluar ndonjëherë...

- Të gjitha kanë qenë të bukura. Secila, me të veçantat e veta.

- Preferon detin apo malin? - Të dyja. - Ç’mendim ke për pushimet në një rulot?

- Do ishin super për të vizituar vende nga më të ndryshmet.

- Çfarë mban mend nga pushimet e fëmijërisë me familjen?

- Mbaj mend prindërit që na thonin pa pushim mua dhe vëllait tim: “Dilni nga uji tani”. (Qesh)

- Tani, si i alternon pushimet e kaluara me familjen, shoqërinë dhe të dashurin?

- Gjej kohë për të gjithë e për gjithçka duhet dhe dua.

- Çfarë të pëlqen të hash dhe nuk ngopesh gjatë verës?

- Frutat janë më të mirat gjatë verës, duke qenë se janë të lehta dhe të freskëta, por nuk kam ndonjë ushqim të veçantë që e preferoj vetëm gjatë verës.

- Sa para harxhove në pushimet e verës së kaluar?

- Nuk e di saktësisht, më humbi llogaria gjatë verës. (Qesh)

- Të tremb idea e të udhëtuarit vetëm për pushime?

- Më tremb idea e të qëndruarit vetëm në përgjithësi. Aq më tepër pushimet pastaj, nuk i mendoj dot vetëm.

- Një njohje interesante gjatë verës...

- Nuk kam bërë njohje gjatë verës.

- I ruan shoqëritë e krijuara gjatë pushimeve?

- Nëse ia vlejnë, sigurisht që po.

- Sipas teje, cilat janë gjërat që duhen bërë patjetër gjatë verës?

- Vera është periudha kohore kur ke mundësinë të bësh ç’të duash, ke më shumë kohë, njerëzit janë më energjikë. Vera është për t’i kaluar pak limitet.

- Është flirtimi pjesë e “paketë s”? - Flirtimi është pjesë e paketave të të gjithë vitit. ( Qesh) Flirtimi nuk bën pjesë te gjërat që u kushtoj rëndësi apo kohë. - Sa palë kostume banje ke? - Pavarësisht numrit, kostumet e banjës nuk mjaftojnë asnjëherë. - Vaj apo krem kundra diellit? - Kremi mbrojtës nuk mungon asnjëherë për fytyrën, as në dimër e aq më tepër gjatë verës, por jam fanse më e madhe e vajit. - Nëse një mashkull aty pranë të kërkon t’i lyesh kurrizin me krem, tregohesh e sjellshme dhe e ndihmon? - Jo. Kot të them që do të tregohesha e gatshme për t’ia lyer, sa për t’u dukur e sjellshme. Meshkujt nuk të kërkojnë t’i lyesh. Kanë 100 arsye të tjera, por këtë jo. Unë vetë e lyej edhe kurrizin, kështu që edhe ai mund ta bëjë. - Për çfarë rri zgjuar vonë netëve të verës? - Unë fle shumë vonë, gjithmonë, kështu që nuk më duhet një arsye e veçantë për të qëndruar vonë gjatë verës. - Të pëlqejnë pushimet në qetësi absolute, me telefon të fikur dhe pushim total?

- Jo, do të çmendesha po ta bëja një gjë të tillë. Dua të lëviz, të bëj gjëra të ndryshme, të provoj gjëra të reja dhe të veçanta nëpër vendet që shkoj. - Lexon në plazh? - Po, është një mënyrë shumë e mirë për të kaluar kohën në plazh. Përgjithësisht, lexoj libra rozë, ose botimet e fundit.

- Nëse në këtë moment mbyll sytë dhe i lë rrugë të lirë fantazisë, ku të çon imagjinata për pushime?

- Në mes të detit, në një anije duke shëtitur botën. Kujt s’do t’i pëlqente?!

- Në sa shtete ke qenë për pushime deri tani?

- S’po them numër, por kam parë mjaftueshëm për moshën që kam.

- Të pëlqen t’i rikthehesh të njëjtit vend apo çdo herë kërkon të ikësh në një vend ndryshe?

- Disa vende janë thjesht dashuri, mund të kthehesh e të rikthehesh dhe nuk të mërziten. - Sa gjuhë të huaja flet? - Kryesisht, shqip (qesh), anglisht dhe italisht.

- Preferon të udhëtosh me tren, makinë, aeroplan, traget apo kroçera?

- Vende të ndryshme, mënyra të ndryshme.

- Si do ta kaloje kohën nëse je me pushime dhe moti është i keq?

- Pres derisa të rregullohet moti; shpresa vdes e fundit. Nëse është vend bregdetar dhe nuk mund të shkosh në plazh, viziton qytetin. Do të gjeja një zgjidhje duke iu përshtatur vendit.

- Çfarë nuk harron të marrësh me vete kur nisesh për të pushuar dhe sa valixhe të bëhen?

- Nuk ndodh të mos harroj gjëra nga ato më të rëndësishmet, deri tek ato më pak të rëndësishmet, sepse i lë gjithmonë për momentin e fundit. Valixhet nuk mjaftojnë asnjëherë.

- Suveniri më i bukur me të cilin je kthyer ndonjëherë nga pushimet?

- Fotot besoj janë suveniri më i bukur.

- Cili është vendi ku nuk do të shkoje asnjëherë për pushime?

- Vendet që janë ende në luftë.

- Cili është vendi që do t’ua sugjeroje të gjithëve dhe pse?

- Sigurisht që Shqipëria. Ne nuk e vlerësojmë mjaftueshëm vendin tonë, por Shqipëria është një perlë e vërtetë për natyrën që ka, pavarësisht se shumë vende i kanë trajtuar keq duke i shkatërruar. Vende të tjera pastaj kanë mungesë të madhe investimi për të zhvilluar turizmin. Por, me dëshirën e mirë, mund të shohësh mrekulli në Shqipërinë tonë të vogël.

- Çfarë këshillash do t’i jepje një miku që do të vizitojë Shqipërinë?

- Në verë, të vizitojë patjetër jugun. Gjithçka është fantastike atje. Unë i pëlqej shumë të gjitha qytetet dhe fshatrat bregdetare që ndodhen në jug, kështu që do t’ua sugjeroja të gjithëve. Do t’u sugjeroja të provonin ushqimet tradicionale për të provuar diçka të re, por mund të gjesh gatime shumë të mira italiane gjithashtu. Pjesa historike gjithashtu është shumë e bukur. Nëse do të ishin fanatikë të pushimeve malore, do t’u sugjeroja Thethin apo Valbonën. Kanionet e Skraparit, gjithashtu, janë një mrekulli. Do të doja shumë t’u sugjeroja edhe Durrësin tim, po aty deti lë vërtet shumë për të dëshiruar. Në Durrës mund të shihet amfiteatri, kalaja, muzetë, ka vende plot. Souveniri, nuk e di, mund të ishte Skënderbeu, duke qenë se është simboli ynë apo pamje të qyteteve të ndryshme.

- Kënga-kolonë zanore e kësaj vere?

- S’kam asnjë më të preferuar. Shumica e këngëve verore janë të bukura.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.