Kaltrina Selimi: Po kaloj ditët më të bukura të jetës...

Intervista - - MUZIKE -

Alma Buci: - Kaltrina, “Po du” është kënga që të rikthen sërish në ekran. Si do ta konsideroje këtë projekt krahasuar me të tjerët paraardhës?

Kaltrina Selimi: - Jam shumë e kënaqur. E dashuroj këtë projekt në përgjithësi, duke marrë parasysh këngën, tekstin e videon, pra, të gjitha përbërësit.

- Krahas këngëve dhe klipeve, a u je rikthyer edhe koncerteve tani që po jeton në Londër?

- Varësisht punëve, planeve dhe largësisë, kam gjetur kohë edhe për koncertet të cilat nuk i kam ndërprerë asnjëherë.

- Duke folur për Londrën, si e prite shkëputjen e Britanisë nga BE-ja dhe si votuat ju?

- Në fakt, unë nuk kam ende të drejtë vote… Se si e prita dhe çfarë mendoj se do të jetë më mirë apo më keq, sigurisht që është një temë e gjerë, prandaj po presim se çfarë do të bëhet konkretisht.

- Dje ishe thjesht këngëtarja e njohur, kurse tani je edhe mamaja e Tristanit të vogël. Në ç’mënyrë ta ndryshon jetën një fëmijë?

- Jemi të mbushur plot jetë; është ndjenja më e mirë në botë që mund ta përjetojë një qenie njerëzore. Jo vetëm për ne si prindër jeta ka marrë një kah krejt tjetër, por ka ndryshuar edhe për një pjesë të familjes. Tani është Tristani dhe, gjithçka tjetër është e vogël, krahasuar me të.

- Pjesa më e bukur e të qenit mamaja e Tristanit?

- Gjithçka është e bukur. Vetëm se jam nëna e tij ndihem e bekuar. Tristani shpreh shumë interes për gjithçka që e rrethon. Unë rri 12 orë duke folur dhe shpjeguar gjëra sepse vetëm vë gishtin, prek diçka dhe pastaj kërkon shpjegim se çka janë, si bëjnë.

- Cila është bëma e fundit e tij?

- Ishim te një kopsht fëmijësh dhe po loznim. Diku ishin të renditura shkronjat e alfabetit dhe kot e pyeta për dy a tre shkronja se ku ishin. Ai shkoi i preku dhe më befasoi. (Buzëqesh)

- Nëse do t’i jepje dikujt një këshillë për fëmijët, cila do të ishte ajo?

- Është e vështirë të japësh këshilla sepse secili prind ka metodat e veta të edukimit e megjithëse ndonjëherë mund të veprojmë gabim, në fund të fundit secili mundohet për më të mirën për fëmijën e tij.

- Në intervistën e kaluar më ke thënë që e përsosura nuk ekziston, por marrëdhënia jote me bashkëshortin, Dritonin, është shumë afër saj. Ka diçka që do të doje ta ndryshoje tek ai?

- Përderisa askush nuk mund të jetë i përkryer, kuptohet se diçka që nuk e pëlqej, e gjej edhe te Dritoni, por gjithsesi, janë gjëra të pranueshme.

- Të vjen keq që je sh- këputur pak nga intensiviteti me të cilin sillje materiale të reja më parë?

- Vetë të qenurit larg Prishtinës të largon paksa nga bota e shoubizit dhe mund të jem larguar paksa më shumë nga ekrani sa u përket pjesëmarrjeve nëpër emisione, intervista e projekteve, ama, përveç fillimeve me grupin që sillnim shpesh këngë, nuk është se kam qenë shumë aktive edhe viteve të tjera me nga dy ose më shumë këngë.

- Cila nuk i shpëton dot në punën tënde?

- Intervistave. (Buzëqesh)

- Si e mat suksesin Kaltrina?

- Nga këngët që po sjell viteve të fundit, nuk është se pres miliona klikime sepse janë këngë jo shumë ritmike dhe e di sa mund të ndiqen, mirëpo më mjafton aq sa arrijnë shikueshmëri, njerëzit që më shkruajnë, që takoj dhe më komplimentojnë. Mendoj se edhe këto këngë e kanë një vend të veçantë sepse janë këngë që mbesin dhe dëgjohen më gjatë, pa t’u mërzitur.

- Për sa kohë që ti do të jesh kjo që je, me talentin, dëshirën për punën dhe pozitivitetin, besoj se suksesi do të vazhdojë të jetë në anën tënde…

- Mua kjo më mjafton. Faleminderit dhe uroj të kem suksesin aq sa unë synoj.

- Ka një këngë që do të mund ta kishe bërë më mirë?

- Ka edhe këgë në të cilat do të ndërhyja për përmirësim, mirëpo janë shumë pak në numër, kurse në pjesën më të madhe të këngëve mendoj se kemi dhënë maksimumin.

- Cilën nga ato gjëra që i ke tani, mendon se duhet ta kishe bërë më parë?

- Jam person që kurrë nuk bëj plane. Unë ia lë gjithçka kohës, momentit dhe në përgjithësi, nuk bëhem pishman.

- Cilat mbeten dashuritë e tua të përjetshme?

- Dashuri të përjetshme do të kem për Tristanin dhe familjen time të ngushtë. Vetëm këta janë njerëzit që nuk do resht së dashuruari, pavarësisht gjithçkaje, deri në frymën e fundit.

- Çfarë të bën ta bësh gjumin e qetë në mbrëmje?

- Çdo ditë për mua është e bukur, por edhe e stërngarkuar, andaj pas gjithë asaj lodhjeje, sigurisht që bëj gjumë të qetë.

- Në cilën garë do të kishe fituar po të kishe marrë pjesë?

- Hahaha Për të ngrënë ushqim pikant ndoshta. (Qesh)

- Çfarë të surprizon më shumë?

- Gjithçka që nuk e pres të ndodhë në atë moment.

- Pa çfarë veçanërisht, nuk do të ishe Kaltrina që njerëzit njohin sot?

- Pa këngët e bukura që besoj se kam sjellë dhe sa i përket anës praktike dhe pozitiviteti që kam.

- Cilat janë teknikat e tua për ta qetësuar veten në momentet kur duhet?

- Eh, nuk kam teknika të mira, vështirë e qetësoj veten, sidomos kur bëhet fjalë për gjëra të kota që ndodhin e nuk duhej të kishin ndodhur.

- I ndan gjërat me të tjerët?

- Të them të drejtën po, jam shumë e hapur dhe vësh- tirë mbaj gjëra për vete.

- Cila është puna më interesante e më e bukur që dikush mund të ketë?

- Nuk quhet interesante mirëpo ua kam lakminë atyre që merren me patinazh. Do të më pëlqente edhe mua të patinoja siç dinë ata. Aty më duket sikur fluturon njeriu, më pëlqen jashtëzakonisht shumë ndjesia. - Qan shpesh? - Më pak se dikur, por jam e ndjeshme. - Kur bëhesh nervoze? - Më irriton shumë padrejtësia, andaj atëherë bëhem shumë nervoze.

- Çfarë do të doje të ndryshoje tani në jetën tënde?

- Më mungon vendi im dhe do të doja të isha atje, por sigurisht, këtë po e bëjmë për një të ardhme më të sigurt, prandaj po e mbaj njëherë për njëherë vetëm mallin e më vonë shohim si do rrjedhin gjërat.

- Ke një filozofi jete rreth së cilës rrotullohet besimi yt?

- Po citoj një thënie nga Uilliam Shekspirit, që mua në fakt ma mësoi jeta: “Duaji të gjithë, besoju disave, mos i bëj keq askujt”. - Si ishte dita jote sot? - S’ka si të mos jetë e bukur me Tristanin, çdo ditë.

- E sheh veten më shumë me dashuri apo si një kritikuese?

- Nuk më pëlqen roli i kritikueses, preferoj të dhuroj vetëm dashuri. - I ke kapur majat e tua? - I kam kapur dikur, po. - Kujt i mungon më shumë Kaltrina dhe kush të mungon më shumë ty tani?

- Është e dyanshme kjo, familja më mungon dhe i mungoj, patjetër.

- Ke bërë gjëra që kanë qenë jashtë dëshirës tënde në jetën personale dhe në atë profesionale?

- Po, kam bërë në të dyja perspektivat. Ndonjëherë në jetë duhet të veprosh edhe kundër dëshirës.

- Çfarë është për ty kohë cilësore, e kaluar bukur dhe që të mbush shpirtërisht?

- Dukem përsëritëse ndoshta në përgjigjet e mia, por është një gjë që nuk e ndryshoj dot dhe ka vetëm një emër, Tristan. Po të kisha mundësi, do ta bëja kohën që të ecte më ngadalë dhe ta shijoja më gjatë çdo sekondë me Tristanin si bebe sepse po kaloj ditët më të bukura të jetës dhe është qenia e vetme që më ka plotësuar me një dashuri kaq të madhe.

- Kjo me ty, ishte vërtet kohë cilësore. Suksese më tej!

- Faleminderit shumë, është gjithmonë kënaqësi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.