“Dalin në dritë” valët gravitacionale të parashikuara nga Ajnshtajni

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

“Valët gravitacionale hapësirë-kohë që ishin parashikuar nga Albert Ajnshtajni para një shekulli janë vënë re për herë të dytë brenda tre muajve”, kanë deklaruar shkencëtarët.

Një ekip ndërkombëtar, që përfshin kërkues nga e gjithë bota, e vuri re këtë fenomen një ditë pas Krishtlindjeve, por vetëm tani e bëri atë publik. Fenomeni u vu re së pari në shtator 2015 dhe shkaktar i tij ishte përplasja dhe shkrirja në një e dy vrimave gjigante të zeza, gjë që çliroi një forcë të madhe. Evenimenti që ndodhi 1.4 miliardë vite dritë larg, bëri që një sasi energjie e barabartë me masën e Diellit të shndërrohej në valë gravitacionale. Pasi udhëtuan një distancë të paimagjinueshme nëpër hapësirë, valët u kapën nga detektorët e dy LIGO-ve (Observatori Interferometër me Lazer i Valëve Gravitacionale) në Livingstoun (Luiziana) dhe Hanford (Uashington). Pjesëtari i ekipit, doktor Stefen Ferhast, nga universiteti i Kardifit, tha: “Ky eveniment përbën fillimin e vërtetë të astronomisë së valëve gravitacionale dhe hapjen e një dritareje të re mbi universin. Masat e ndryshme dhe rrotullimet që vumë re në dhjetor tregojnë se ne kemi filluar të grumbullojmë informacione jetësore për grupin e vrimave të zeza që ekzistojnë në univers. Vrojtimet e ardhshme të valëve gravitacionale do të na lejojnë të kuptojmë se si formohen vrimat e zeza nga vdekja e yjeve të mëdha dhe të testojmë nëse ato janë ashtu siç janë parashikuar në teorinë e Ajnshtajnit”.

Valët gravitacionale janë parashikuar në Teorinë e Përgjithshme të Relativitetit të Ajnshtajnit, që tregon se si graviteti rritet kur masa kurbëzon hapësirën dhe kohën. Janë disa valëzime në hapësirë-kohë që shpërndahen si valë. Çdo gjë në rrugën e tyre, që nga planetët e deri te njerëzit, tërhiqet dhe mblidhet lehtësisht gjatë shtrembërimit të “pëlhurës” hapësirë-kohë. Secili nga detektorët LIGO ka një sistem shumë të ndjeshëm pasqyrash e lazerash dhe gjithashtu është bërë që të lëkundet, por efekti është vërtet shumë i vogël.

Lëvizja është një mijë herë më e vogël sesa gjerësia e bërthamës së një atomi. Shkencëtarët shpresojnë që valët gravitacionale do të ofrojnë një pamje krejt të ndryshme të universit, duke i lejuar ata të studiojnë evenimente që mund të jenë të fshehura nga optika e zakonshme dhe radioteleskopët.

Një ilustrim i kësaj u vu re në 26 dhjetor, prezantuar në një mbledhje vjetore të Shoqatës Amerikane të Astrologjisë, në San Diego, SHBA. Duke analizuar sinjalin, shkencëtarët mund të thonin se vrimat e zeza që u përplasën ishin 14 dhe 8 herë më të mëdha se Dielli. Ato u rrotulluan rreth njëra-tjetrës të paktën 27 herë para se të shkriheshin në një vrimë të vetme rrotulluese, 21 herë më e madhe se Dielli. Duke përdorur dy detektorë, të aftë të dallonin valë me frekuencë 1.1 milisekonda, u bë i mundur pozicioni i përafërt në qiell. Doktor Çad Hana, nga Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë, tha: “Ne tani jemi të aftë t’i dallojmë valët gravitacionale. Ato do të jenë një burim fenomenal studimesh të reja mbi galaktikën tonë dhe një kanal i ri zbulimesh për universin”.

Në çdo bashkëpunim shkencor LIGO marrin pjesë më shumë se 1000 shkencëtarë nga 17 vende, përfshi këtu edhe nga 10 universitete britanike. Çdo sit LIGO ka dy tuba, që të dy nga 4 km të gjatë, në formë L-je. Një lazer është vendosur në çdo tub për të monitoruar me shumë saktësi distancën mes pasqyrave në secilin fund. Nëse paraqitet një valë gravitacionale, ajo do të ndryshojë distancën mes pasqyrave me një minutë. “Detektorët e përparuar LIGO janë një kryevepër e fizikës eksperimentale, më të ndjeshmit që janë ndërtuar ndonjëherë. Vrojtimi i përplasjes së një pale vrimash të zeza ishte diçka e pabesueshme, ndërsa vrojtimi i dytë ishte spektakolar, sepse tregon se sa shumë gjëra ndodhin në univers. Por kjo ka ngritur gjithashtu pyetje të reja: Nga se përbëhen këto vrima të zeza? Sa të tilla ka në univers? A mund të fillojmë të testojmë tani teorinë e relativitetit të përgjithshëm në detaje?”, ka thënë doktor Hana.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.