Dashuria jonë shkatërroi dy familje

Intervista - - FAQE 1 -

Unë që po ju shkruaj jam një burrë që i shtyrë nga dashuria pasionante, shkatërrova jo vetëm familjen time, por dhe familjen e një gruaje shumë të mirë, punëtore e shumë hallexhie.

Unë kam një post shumë të mirë. Kam prestigj dhe të ardhura. Edhe gruaja ime gjithashtu është e punësuar siç duhet. Jemi moshatarë dhe jemi dashuruar që në shkollë të lartë. Nga kjo, ju besoj e kuptoni se jemi pak të lodhur nga gjithë ajo kohë së bashku. Ka patur një rast kur donim të ndaheshim, por ndërruam mendje dhe vendosëm të jetonim pak si të lirë nga njëri-tjetri, në kuptimin që të mos kërkonim shumë llogari. Mirëpo këto gjëra me femrat nuk janë shumë strikte. Ato, kur vjen puna për xhelozi, e harrojnë fjalën e dhënë.

Ne kishim një grua që kujdesej për shtëpinë. Ajo ishte një grua e rregullt dhe shumë e zonja, por me kalimin e kohës u mund nga tensioni i lartë dhe diabeti, kështu që na u desh të merrnim një tjetër. Gruaja e gjeti nëpërmjet një shoqes së saj. E kishte intervistuar dhe i kishte pëlqyer. Unë nuk merresha me këto punë se nuk marr vesh fare nga punët e shtëpisë e për më tepër, jam shumë i ngarkuar me gjëra të tjera.

Kjo gruaja vinte e pastronte shtëpinë, unë nuk kisha rastisur ta takoja pasi isha në punë. Të dielën, që ne ishim në shtëpi, ajo nuk punonte. Kur ftuam disa miq për një drekë të diele, gruaja e kishte thërritur ta ndihmonte. Me thënë të vërtetën, kur e pashë, as që e mendova se ajo ishte pastruesja jonë. Mendova se ishte ndonjë mike e miqve të ftuar.

- Po kjo kush është? - e pyeta gruan.

- Hahaha, sa budalla bëhesh nganjëherë. Është ajo që të lan rrobat e t’i vë në varëse, që zotrote të dukesh bukur. - Pastruesja?! - u habita. - Po, pse habitesh? Të kisha thënë që këtë herë na kishte rastisur super. Pastaj, nuk të duket se shtëpia ka marrë një pamje tjetër?!

- Po, po, - thashë ashtu kot. – Prandaj u habita edhe unë, se mendova se do të ishte më e vjetër.

- Po është 40 vjeçe, more! E re të duket 40?! Katër vjet më e vogël se unë...

- Po duket mi, por po tallesha. – u mundova ta fshihja habinë që sa vinte e më shtohej. Në fakt, ajo dukej sikur ende nuk i kishte kapur të tridhjetat.

- Eh, është gjynah e shkreta. Ka një histori mjaft të dhimbshme, por tani kemi të ftuar e nuk kemi kohë të merremi me të...

Në fakt, mua më shumë po më interesonte të dija për të sesa për miqtë. Nuk e di pse shastisa ashtu. Nejse, me një gllënjkë e mora veten dhe festa vazhdoi normalisht. Gjatë javës kisha shumë punë e nuk më doli koha të flisja me gruan për këtë punë. E kishim lënë të hapur bisedën për historinë e saj, por nuk na ra ta flisnim. Të shtunën duhej të shkonim në një mbrëmje që e kishin organizuar disa shokë të mitë dhe unë desha të vija një orë të shtrenjtë që e kisha blerë në Itali. Nuk e gjeta në sirtar dhe menjëherë i thirra gruas:

- Nuk po gjej orën që kemi marrë në Itali.

- Po këtu duhet të jetë, more burrë! Kërko se jemi vonë e duhet të bëhem gati.

- Kërkova e nuk e gjeta. Eja shiko ti!

Edhe ajo u habit kur nuk e gjeti.

- Po këtu ka qenë! Mos ndoshta pastruesja…

Sa përmendi pastruesen, e cila më kishte mbetur në mendje, u tërhoqa.

- Sa budalla jam! Harrova që ia kam dhënë vëllait...

- Vëllait?! - u habit gruaja dhe s’kishte faj, se edhe vëllai ishte në gjendje të mirë ekonomike si ne. - Po ç’i duhet atij ora jote? Pak ka ai?!

- Eh, ja, ashtu ishte një punë. Po eja nxito tani se u bëmë vonë e ta tregoj ndon- jëherë tjetër.

Gjatë gjithë mbrëmjes më rrinte mendja tek ora dhe te pastruesja. Më kishte thënë gruaja se kishte probleme në jetë, por që të vidhte, nuk ma merrte mendja. E mbajta si sekretin tim këtë dhe të nesërmen u mundova të vija më herët në shtëpi. Më duhej të arrija para gruas dhe para se të ikte pastruesja. Ia arrita.

- Mirëdita! - tha ajo kur po më hapte derën. - Mirëdita! Si jeni? - Mirë, faleminderit! Ja, edhe pak mbaroj dhe do të iki.

Nuk i ktheva përgjigje, por u ula në sallon. Pas pak minutash, shkova në dhomën e gjumit.

- Më falni! A keni mbaruar së pastruari në dhomën e gjumit? - e pyeta.

- Po, kam mbaruar. - u përgjigj ajo.

- Nuk po gjej një orë të shtrenjtë që e kam patur në këtë sirtar. Mos dini gjë ku është?

- Unë… nuk di gjë. Sot nuk e kam pastruar atë dhomë.

- Po ju, sapo thatë se e pastruat. Mos ndoshta ajo që po më shkon ndërmend është e vërteta? - nuk prita t’ia thoja larg e larg, sepse kisha frikë se mos vinte gruaja.

- Më falni, nuk e di se ç’po më thoni. – ajo uli sytë dhe më duket se filloi të qante.

- Unë mendoj se përveç teje nuk është futur njeri në këtë dhomë dhe mua nuk më ka humbur asnjë gjë në shtëpi kur ishte pastruesja tjetër. - Unë… - Unë, unë! Çfarë janë këto? Unë nuk i kam thënë gjë askujt, as gruas. Dua të më kthesh orën deri nesër në drekë. Unë do të vij herët si sot e pastaj do të vendos se si do t’ia bëj me ty.

Ia thashë këto fjalë dhe ika. Zbrita shkallët sa pa ardhur gruaja dhe hipa në makinë. Shkova në një lokal jo shumë larg e nga mendja nuk më hiqeshin sytë e saj të bukur, edhe pse të pushtuar nga lotët. Më erdhi keq që i thashë ashtu, por nuk kisha rrugë tjetër. (Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.