Një jetë mes kërcënimesh...

Intervista - - FAQE 1 -

Ajo është Silva M. dhe vjen nga një qytet verior i Shqipërisë... Historia e saj është një paradoks i vërtetë, për një liri që s‘ mund ta shijojë si gjithë nënat e tjera, për një familje të ndarë dhe për shpresën që ajo ka për të ardhmen e saj... Ju ftoj të lexoni rrëfimin e saj prekës...

Intervista: - Përshëndetje Silva. Përse iu drejtove gazetës “Intervista” për të treguar historinë tënde?

Silva: - Përshëndetje! Në fakt, ju nuk jeni e vetmja gazetë ku jam drejtuar për të trajtuar problemin tim. Jam drejtuar edhe në të paktën tre media shqiptare, por thjesht e kanë dëgjuar historinë dhe nuk kanë pranuar të shkruajnë, apo të flasin për çështjen time. Ndoshta, ngaqë e cilësojnë si problem politik dhe ne e dimë që në vendin tonë nuk para pranojnë të trajtojnë çështje të tilla. Duke mos pasur njerëz të njohur që të më ndihmojnë që të paktën ta bëj publike historinë time, iu drejtova gazetës tuaj, për t’ju kërkuar të flas për çfarë po më mundon prej kohësh dhe s’po gjej dot një zgjidhje. Unë ju falënderoj. - Atëhere, cila është historia jote?

- Në moshën 17 vjeçare unë u njoha me Gentjan M., burrin tim dhe mes nesh lindi një dashuri e zjarrtë, e cila më vonë u kurorëzua me fejesën tonë. Në fakt, familja ime nuk ishte dakord që ne të dy të vazhdonim së bashku, pasi ata e njihnin familjen e tij prej kohësh dhe i dinin problemet që kishin pasur si familje të përndjekurish dhe me probleme të forta partiake, por pavarësisht qëndrimit të familjes sime, unë vendosa të bëja hapin më të madh të jetës dhe në gusht 2009, ne të dy u martuam. Deri këtu çdo gjë dukej si në përralla; unë isha e lumtur pranë bashkëshortit tim dhe çdo gjë shkonte për mrekulli. Në vitin 2010, sollëm në jetë vajzën tonë, E. Mua më dukej sikur mrekullitë nuk kishin fund, por jo, gabohesha. Në vitin 2013, Genti, si çdo herë në zgjedhje, u angazhua në zonën tonë si vëzhgues i votave për një parti të djathtë. Pasi filloi fushata, Genti vinte çdo ditë i stresuar në shtëpi dhe e kuptoja se diçka nuk po shkonte me të. Mundohesha shumë ta pyesja se çfarë e stresonte kaq shumë, por më përgjigjej shkurt: “Jam vetëm i lodhur, s` kam asgjë tjetër!”. Burri vazhdonte angazhimet e tij të ditës normalisht, ndërsa te shtëpia vinin njerëz të panjohur dhe gjoja kërkonin Gentin. Burri ishte në dijeni të kësaj situate, por më qetësonte duke më thënë se do ta rregullonte shumë shpejt. Unë nuk isha më e qetë dhe, sa herë binte dera, më dridhej zemra... Në familje nuk kishte më qetësi... Ndërkohë, më kujtoheshin bisedat që kisha bërë me familjen time para se të martohesha, në lidhje me problemet e Gentit dhe të familjes së tij. - Dhe, si shkuan gjërat?

- Për disa ditë, ra çdo gjë në qetësi, por kjo nuk vazhdoi shumë gjatë, pasi në një darkë, pak ditë pasi u mbyllën zgjedhjet 2013, disa persona e sulmuan Gentin me thika. Ne thirrëm ambulancën dhe e shoqëruam në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai u përmend pas pak orësh dhe kërkoi që të mos rrinte më në spital, pasi nuk ndihej i sigurt. Të gjithë ishim të frikësuar dhe nuk e dinim se çfarë do të ndodhte më pas me familjen tonë. Nuk kaloi shumë kohë dhe vendosëm që ai të largohej jashtë vendit, pasi kërcënimet vazhdonin ditaditës. Vendosëm ta bënim këtë hap pasi shpresuam që do të qetësoheshin gjërat e një ditë do të kthehej që të vazhdonim jetën tonë normalisht, si më parë, mirëpo u bënë rreth tre vite që kjo situatë, jo vetëm që nuk është qetësuar, por përkundrazi, na mundon përditë e më shumë. Unë u detyrova të hiqja edhe vajzën nga kopështi e ta mbaja në shtëpi. Nga kërcënimet, u detyrova të lija edhe punën, pasi shikoja përditë persona që më ndiqnin nga pas kur shkoja dhe kur dilja nga puna. Nuk po shtyhej më një jetë e tillë dhe vendosëm të shkonim për të jetuar në një qytet tjetër. - A e rregulloi kjo problemin tuaj? - Fatkeqësisht, jo. Kemi një vit që jetojmë në një qytet tjetër, por nuk ka ndryshuar asgjë. Përsëri e hoqa vajzën nga kopështi dhe u detyrova të shkoja për të jetuar te prindërit. Nuk e di kur do të mbarojë ky makth dhe kur do të bashkohemi, që të më kthehet jeta që kisha...

- Ti, si e mendon zgjidhjen?

- Në fakt, nuk e kuptoj... A mos është problemi im kaq i vështirë për të gjetur një zgjidhje që të jetoj e lumtur me familjen time, apo mos gjërat në këtë vend nuk funksionojnë ashtu siç duhet? - Si ndihesh pas gjithë këtyre që kanë ndodhur?

- E si të ndihem ndryshe?! Nuk e them dot me fjalë sa e dëshpëruar, e zhgënjyer dhe e pasigurt ndihem. Si do të ndihej një nënë ku e sheh vajzën e saj 5 vjeçare të rritet pa praninë e babait?! Si do të ndihej një grua të kalojë vitet më të mira të jetës pa bashkëshortin?! - Si është marrëdhënia juaj?

- Në fakt, ne shkojmë shumë mirë si çift, por e gjitha kjo në distancë, pasi fati duket sikur na ka dënuar të jemi larg.

- Kur lidhe martesë me Gentin, si e kishe menduar të ardhmen tende?

- Nuk doja asgjë më shumë sesa të jetoja pranë burrit tim dhe fëmijëve që do të kishim. Akoma vetëm këtë i kërkoj Zotit! ( Përlotet) - Je e zhgënjyer? - Shumë! - Nga kush? - Nga drejtësia shqiptare.

- A ke provuar të kërkosh ndihmë nga shteti e nga policia?

- Po, kam shkuar në polici disa herë brenda këtyre tri viteve dhe nuk kam gjetur zgjidhje. Ankohesha për sigurinë time dhe të vajzës. Ua shpjegoja që persona të panjohur më ndiqnin sa herë që dilja nga shtëpia. Në polici më përcillnin duke më thënë të qetësohesha, sepse do të merreshin me këtë çështje, por deri tani nuk ka ndryshuar asgjë. Nuk mund të duroj dot më! - Si është një ditë normale e jotja dhe e fëmijës?

- Dita fillon dhe përfundon në shtëpi. Ndonjë pasdite rrallë, marr vajzën dhe dal. Si gjithë fëmijët e tjerë, ajo do që të lozë e të argëtohet me bashkëmoshatarët e vet. Duke e pasur të pamundur që ta çoj vajzën në një kopësht, kam marrë libra shkollore të moshës së saj e disa orë të mira i kalojmë në shoqërinë e tyre. Orët më të bukura të ditës për ne janë kur flasim me Gentin në Skype. - Si reagon vajza?

- Gëzohet shumë dhe njëkohësisht, mërzitet. Më pyet: “Pse nuk vjen babi? Pse nuk ikim ne te babi?”. Këto janë pyetjet që më mundojnë më së shumti, por mundohem të gjej forcë e të mbaj lotët, sepse s` dua ta mërzis vajzën. - A e kupton ajo gjendjen tënde emocionale?

- Edhe po, edhe jo... Kupton që nuk është si gjithë moshataret e veta pranë babait, por nuk e kupton pse ndodh një gjë e tillë dhe pse nuk është pranë babait të vet. Shpeshherë më sheh të mërzitur, nganjëherë edhe me lot në sy e vjen më merr me të mira: “Mami, a po qan për babin?”, pyet. Detyrohem t’i fsheh lotët për hir të vajzës sepse s` dua ta shoh atë të mërzitur... të paktën jo për lotët e mi. - Ekonomikisht, si je?

- Nuk punoj, pasi e kam lënë punën qëkur na filluan problemet në familje. Nuk është se jemi keq ekonomikisht, sepse Gentjani punon në vendin ku ka shkuar dhe falë të ardhurave që ka ai, neve nuk na mungon gjë tjetër përveç pranisë së tij dhe lumturia e një familjeje normale, si gjithë të tjerat.

- Silva, çfarë shpreson të ndryshosh me këtë rrëfim?

- Unë jam e sigurt se ka plot histori të tilla, mbase edhe më të vështira, por mua mu bë jeta ferr dhe e vetmja forcë që kam është të bëj publike situatën në të cilën ndodhem. Shpresoj shumë që këtë artikull ta lexojnë zonjat parlamentare e ta vënë pak veten në vendin tim. - Ndihesh deri diku e çliruar kur flet me dikë?

- Po, ndihem e çliruar për momentin, por më vonë e kuptoj që nuk ndryshon asgjë, thjesht nxjerr mllefin që kam brenda. - Si e imagjinon vazhdimin e jetës tënde?

- Nëse vazhdon kështu dhe nuk ka një zgjidhje, jeta ime është një ferr i vërtetë. Normalisht, e imagjinoj një jetë të qetë dhe pa probleme pranë familjes sime, por situata ku ndodhem më bën të besoj se është shumë e vështirë të arrihet një gjë e tillë. - E ke menduar ndarjen?

- Asnjëherë. As nuk e mendoj një gjë të tillë. Unë e dua burrin tim dhe vetëm vdekja na ndan. - Ke menduar të shkosh tek ai?

- Për mua, mjafton që të jetoj me familjen time ku të na garantohet të paktën siguria. - Si do të veprosh ne vazhdim?

- Nuk e di a do të ketë një zgjidhje për mua dhe sa do zgjasë ky makth. Përveçse të bëj publik rastin tim, unë nuk kam forcë të zgjidh asgjë sepse në vendin tonë është bërë e modës që njerëzit e zakonshëm që nuk kanë mbështetje të mos dëgjohen, pavarësisht problemeve që kanë.

- Ke ndonjë mesazh për zonjat që janë deputete në Parlament? - Ta vënë veten pak në vendin tim...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.