Fatmir Xhafaj: S’dua ta prish me Metën, se një ditë mbase kaloj edhe unë me LSI-në

Intervista - - AKTUALITET -

Një nga personat që mbajtën peshën e tyre në bisedimet midis partive për Reformën në Drejtësi, ishte Fatmir Xhafaj. Pikërisht për këtë menduam ta intervistojmë këtë javë. E gjeta në zyrën e tij, në selinë e partisë.

Kaso Kosa: - Përshëndetje zoti Xhafaj! Mund të hyj?

Fatmir Xhafaj: - Hajde, Kaso, hajde! Aman, ç’je edhe ti, të ngjitesh dhe nuk shqitesh. Edhe në moment lodhjeje...

- Urime për miratimin e Reformës në Drejtësi, ose siç e quaj unë shkurt RD.

- Apapapa, mos ma kujto atë gazetë, Kaso. S’kanë lënë gjë pa thënë për mua. Thonë që gjasme kam ndërtuar pallate... - Nuk keni ndërtuar, domethënë… - Unë jo. Për familjarët e mi s’mbaj përgjegjësi ç’bëjnë. Nuk jemi më në kohën e poshtër të diktaturës ne, kur e hante vëllai për vëllanë. Meqë jemi tek ajo kohë, Kaso... ulu të të them një ndodhi. - Unë ulur jam, zoti Xhafaj… - E Kaso, më bëjnë sytë “xhoko”, si i thonë. S’shikoj qartë nga lodhja.

- S’keni faj, zoti Xhafaj. Bisedime të vështira keni kryer.

- Nejse, e kisha llafin te koha e diktaturës. Ata gazetarët e RD-së më akuzojnë që kam qenë enverist. Pika t’ju bjerë! Ata e kanë Saliun sa një mal që ka qenë sekretar partie e merren me një ish-sekretar rinie.

- Për këtë, të drejtë keni…

- Saliu bridhte pas Enverit. Unë edhe njëherë që e takova në podium, kur po parakalonte rinia jonë, s’doja t’i jepja karafilin. - S’donit t’ia jepnit?! - Po, pra, s’doja t’ia jepja. Shiko, tani të gjithë hiqen sikur s’e kanë dashur atë kohë. Unë, ama, s’e kam dashur vërtet.

- Si qëndron puna e atij karafilit? - Cilit karafil? - Karafilit që do t’i jepnit shokut Enver, pra.

- A, po! Kujtova se e kishe llafin për vetë Enverin. Se ai, karafil ishte nga mendtë. S’më dëgjoi… - S’ju dëgjoi!? Përse? - I thashë kur e takova: “O shoku Enver, bëj reformë në drejtësi se le nam. Po ua nxjerr qumështin e nënës njerëzve që thonë që s’ka qumësht. Hiq dënimin me vdekje. Vendos avokatët”. - Ju ia thatë këto?! - Ia thashë, posi! - Po ai, ç’ju tha? - “S’kam energji, më tha. U plaka. Ti, si rini socialiste, bëji vetë më pas”.

- E çuditshme! Mendova se do t’ju ndëshkonte që ia thatë copë. - Kë të ndëshkonte, mo Kaso?! Enveri të ndëshkonte nëse doje t’i merrje pushtetin, apo i prekje fëmijët. Unë as njërën, as tjetrën s’doja të bëja. Unë desha vetëm të reformoja drejtësinë socialiste. S’e bëra atëherë, por po e bëj tani me drejtësinë kapitaiste, si pjesëtar i Partisë Socialiste. - E lum ju, o shoku Xhafaj. Të parët atëherë, të parët tani! Po me zotin Meta, përse “bëtë fjalë”? - I ngeli qejfi se thanë ndërkombëtarët që Fatmiri po mban peshën më të madhe në RD. Domethënë, në Reformën në Drejtësi, se s’dua ta quaj RD. - I ngeli qejfi Ilirit!? - Po pra. I kishte thënë atij Hannit… Se u kujtova. E di ti Kaso ç’ka bërë vaki me këtë Hannin? - Ta dija, do ta dija o zoti Xhafaj. - Ja, ta them unë. Ka filluar Hani të falet si myslimanët. - Është konvertuar në mysliman Hani?! Po ky qenka lajm! - Për konvertimin nuk e di unë. Di që sa herë që më merrte në telefon e më pyeste se ku ishin bisedimet për Reformën në Drejtësi, më thoshte: “Ishallah e bëni! Marshallah pas- ka shkuar sot! Gjynah që s’e keni miratuar akoma! Shyqyr…”. - Si është e mundur kjo, zoti Xhafaj? - Po vend gallatë, o Kaso. Këtu te ne edhe liderët e komuniteteve fetare flisnin për atë reformë, pa e ditur ç’kishte në të. Nejse, meqë e kishim te ky Hani. Ky i kishte thënë Ilirit që Fatmiri ka mbajtur peshën më të rëndë. “Ku mban pesha Fatmiri?”, i kishte thënë Iliri. “Nga gjithë pozita, vetëm unë kam qenë peshëngritës! Ngre dhjetë herë më shumë se Fatmiri unë”, kishte thënë. “Dhe pa bukë madje. Ndërsa Fatmiri ha e ngjishet me peshk e fruta deti kur ka për të ngritur ndonjë dosje që ta vërë në raft”...

- Domethënë, e paska personale me ju, jo me Ramën…

- Me mua e ka dhe bën sikur e ka me Ramën. I vjen inat që jam më i zoti se ai… - Jeni më i zoti se Meta? - Do thosha që jam më i zoti se ai që mban Meta nga pas për çështjet ligjore. Po ku të lë ti të mbarosh fjalinë?! E kam llafin për atë Ylli Manjanin... - Me të e keni kunjin, domethënë. - Më të, posi. Nuk e kam me Metën unë. S’dua ta prish me Metën se, ku i dihet. Një ditë shkoj te partia e tij...

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.