Pandora: Kanë thënë gjëra absurde për mua...

Intervista - - MUZIKE -

Pas suksesit me klipin “Mos nënshkruaj”, këngëtarja nga Mirdita që jeton në Zvicër, i rikthehet ekranit. Këtë herë me këngën “Kafja e mëngjesit”, një dedikim bashkëshortit, për të cilin thotë se i është dashur shumë ta bindë të marrë pjesë në klip. Pandor vazhdon të jetë e thjeshtë, e hapur dhe e drejtpërdrejtë në mënyrën si i thotë gjërat. A e ka bërë të pasur ky profesion, a i është nënshtruar ndonjë operacioni, cilin koleg vlerëson dhe çfarë e nervozon? Kjo intervistë ju vjen në ndihmë për ta njohur akoma më nga afër këngëtaren.

Ariana Bregu: - Pandora, me kë e pive sot kafen e mëngjesit?

Pandora: - Si gjithmonë, edhe sot, me burrin tim.

- Paraqitja jote në klip reflekton shumë feminilitet. Je vërtet kaq e përkushtuar dhe e dashur ndaj bashkëshortit sa të shohim në këngë?

- Kush më njeh në jetën private, e di shumë mirë se jam po ajo që është paraqitur në videoklip. Aty vetëm aktrim nuk ka, gjithçka është reale.

- Fakti që djali në klip është bashkëshorti yt, e bën akoma më interesant klipin. Mund të na thuash si jeni njohur, çfarë të tërhoqi në fillim tek ai dhe çfarë është ai për ty sot?

- Betimin, më është dashur kohë ta bind që të dalë në videoklip sepse ai është gjithmonë në prapaskenë duke u marrë me organizimin, detajet etj. Bashkë kemi 14 vite që njihemi, profesioni na bashkoi. Fillimisht më tërhoqi bukuria, sinqeriteti, kurse sot, ai është gjithçka për mua.

- Cila do të ishte këshilla jote si femër për të gjitha femrat në raportet bashkëshortore?

- Të jenë të sinqerta dhe besnike.

- Çfarë është dashuria për ty?

- Një njeri që nuk dashuron, kot jeton.

- I kujton fillimet e tua në muzikë?

- I kujtoj shpesh… Nisi gjithçka kur isha një vajzë e re që rrinte 24 orë me kufje në vesh, duke dëgjuar, studiuar dhe mësuar sa më shumë këngë.

- Ke ndonjë trashëgimi familjare me muzikën?

- Mendoj se e kam trashëguar nga nëna.

- Kënga e parë me të cilën ke dalë përpara publikut?

- Me sa më kujtohet, ka qenë kënga “M’i ke buzët moj si qershi”.

- Duket se e preferuara jote mbetet muzika popullore. Je tunduar ndonjëherë që ta ndryshosh kursin dhe të vazhdosh me muzikën e lehtë?

- Unë i këndoj thuajse të gjitha zhanret, kam kënduar edhe muzikë të lehtë, zakonisht nëpër festivale, por nga muzika popullore më njohin më shumë dhe nga ajo jetoj.

- Cili është koncerti apo dasma më e veçantë në të cilën ke marrë pjesë?

- Zakonisht këndoj nëpër të gjitha trevat ku ka shqiptarë dhe çdonjëra ka zakonet e veta, veçantinë e vet.

- Më shumë i ke dhuruar ti profesionit si këngëtare apo më shumë të ka dhuruar ai ty?

- Nga profesioni i këngëtares unë jetoj, kurse këtij profesioni mendoj se edhe i kam dhuruar sepse kam krijuar stilin tim që nuk e kam kopjuar askund, kurse tash po dëgjoj të thonë “Stili i Pandorës”.

- Të ka bërë të pasur ky profesion?

- Më sjell të ardhura për të bërë një jetë të mirë.

- Kujt ia dedikon suksesin në muzikë?

- Së pari, Zotit që më fali zërin e pastaj burrit, që menaxhon punën time prej kaq vitesh.

- Koncepti yt për bukurinë...

- Tani për tani, ky profesion kërkon të jesh e bukur dhe në formë, por mbi të gjitha, të kesh zërin dhe talentin.

- Ke bërë apo do të bëje ndonjë ndërhyrje plastike?

- Kam operuar kanalin e frymëmarrjes në hundë, mirëpo jo ndërhyrje plastike. - Cili është parfumi që përdor?

- Momentalisht po përdor BLACK OPIUM. - Hobi yt i preferuar? - Hobi im është kuzhina. - Pija e preferuar? - Zakonisht, pi ujë. - Çfarë jete bën Pandora?

- Jetë normale, asgjë ekstra.

- Çfarë do të të nevrikoste?

- Më bëjnë nervoze njerëzit që pas shpine mundohen të bëjnë keq e më keq, kurse para syve bëhen sikur të duan dhe të kanë për zemër.

- Për çfarë je e lumtur sot?

- Jam e lumtur që kam krijuar një familje të shëndoshë.

- Kush i menaxhon paratë që fiton?

- Unë me burrin kemi të njëjtin profesion dhe të ardhurat tona i menaxhojmë bashkë.

- Cila ka qenë gjëja më absurde që është thënë nga të tjerët për ty?

- Unë jam mirditore dhe puro shqiptare. Absurde ka qenë kur kam dëgjuar të thonë që jam rome ose “kjo që këndon kështu me këto nuanca, është dorë e zezë”. (Buzëqesh)

- Karriera e cilit këngëtar të bën përshtypje?

- Të them të drejtën, nuk më bën përshtypje karriera e askujt tani për tani. Bëjnë karrierë pa meritë, me servilizëm, me lekë… Janë krijuar klane të ndryshme ku e kanë shumë të vështirë të depërtojnë ata që e meritojnë me të vërtetë.

- Cilat janë planet më të afërta?

- Mendoj që gjatë dimrit të nxjerr një baladë, mirëpo jam në kërkim të tekstit sepse mundohem të prek tema të veçanta.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.