Lauresha Ramadani: Bashkëpunim i vështirë...

Intervista - - MUZIKE -

Lauresha ka qenë pjesë e “The Voice of Albania” ku spikati për zërin e saj të veçantë dhe drithërues, ndërsa sot e shohim përkrah vëllezërve korçarë në “Bang Bang”, një realizim që është pëlqyer nga publiku që në momentet e para të publikimit të tij. Lauresha flet me superlativa për bashkëpunëtorët e saj, vëllezërit shpërthyes, që sjellin vetëm suksese.

Sadri Kuburi: - Laureshë, kënga “Bang bang”, në vetëm pak ditë, është në vendin e parë të playlistave muzikore… Zgjedhje e bukur për një sukses të garantuar, apo jo?

Lauresha Ramadani: - Absolutisht. Jam shumë e lumtur që për një kohë kaq të shkurtër, kënga ka arritur një sukses kaq të madh, por të them të drejtën, nuk është se nuk e prisja. Me dy vëllezërit në krah, s’kishte si të ndodhte ndryshe.

- Cili ka qenë urimi i parë e më i rëndësishëm, pas daljes së këngës dhe klipit?

- Urimi i parë më ka ardhur nga motra ime, e cila më uroi me gjithë entuziazmin e mundshëm për klipin. Sigurisht që familja do të ishte mbështetja kryesore.

- A të është dashur të presësh shumë për këtë sukses?

- Që në fëmijëri e kam pasur ëndërr të bëhem këngëtare. Nuk kam luftuar asnjëherë për famë dhe sukses. E kam bërë, sepse e dashuroj dhe më përmbush ndjenja që provoj kur njerëzit kënaqen me këngët e mia.

- E ke pasur të vështirë me Endrin dhe Stefin?

- Me Endrin dhe Stefin, jo. E vështira e këtij bashkëpunimi ka qenë përgjegjësia që mbaja mbi supe. Duke qenë se janë artistë shumë të njohur dhe me eksperiencë, kurse unë jam në fillimet e karrierës, duhej të jepja maksimumin tim, që sadopak të arrija në nivelin e tyre. Ata qëndrojnë shumë lart artistikisht, kështu që për mua është privilegj bashkëpunimi me ta.

- Lauresha, ti ke q en ë konkurrente në “The Voice of Albania”. A mendon se suksesi yt lindi aty?

- Pa dyshim që “The Voice of Albania” ka qenë motivues për të vazhduar, por suksesi erdhi nga përkushtimi, puna dhe durimi. Duhen gërshetuar shumë elemente që të arrish rezultate.

- Pas këtij spektakli ke realizuar disa këngë të tuat. A je e kënaqur nga arritjet në një kohë kaq të shkurtër?

- Shumë e kënaqur. Janë këngë që i kemi punuar me shumë dëshirë dhe janë pëlqyer.

- “Veshur me tradhti”, “Pa limit”... Çfarë e shtyn një vajzë të re t’i këndojë kaq thellë dashurisë?

- Dashuria, mbase! Dashuria, është temë universale, por edhe baza e jetës, kështu që shtysë më të mirë, nuk kisha ku të gjeja. (Buzëqesh) Jeta ime është e mbushur me dashuri. Dashuri reciproke nga i dashuri im Valoni, dashuri ndaj familjes, muzikës dhe jetës.

- Të ka penguar apo mbështetur kjo dashuri në rrugën tënde?

- Jo, nuk më ka penguar asnjëherë, përkundrazi, më ka mbështetur maksimalisht.

- Deri tani, gjithçka që i ke premtuar publikut e ke realizuar...

- Kur i futem një pune, e mbaroj. E kam parim dhe nuk kam si t’u shmangem parimeve të mia.

- A mban kontakte me miqtë e tu të “The Voice”?

- Mbaj kontakte me disa nga ata, por ngaqë jetoj në Zvicër, i shoh shumë rrallë.

- Tani që je personazh publik, ke dëgjuar thashetheme për veten?

- Akoma jo, por në të ardhmen edhe mund të ndodhë sepse janë pjesë e të qenit personazh publik.

- Do të doje të ishe model për femrat e tjera? Si do të doje të të shihnin ato?

- Në fakt, nuk bëj asgjë në jetë me idenë që duhet të jem model për dikë. Unë mundohem të jem thjesht vetja dhe bëj atë që dashuroj. Por, nëse kjo do të ishte arsyeja që të jem model për dikë, atëherë do të isha shumë e lumtur.

- Janë ëndrrat dhe këmbëngulja fort në to apo talenti që e sjellin suksesin?

- Talenti është diçka e lindur. Këmbëngulja, puna dhe dëshira janë ato që sjellin suksesin.

- Ma përshkruaj të lutem jetën tënde si këngëtare dhe thjesht si Lauresha...

- Është e njëjta. Jam po ajo Laureshë, në të dyja rastet. I vetmi dallim është që Lauresha këngëtare është më e përmbushur shpirtërisht.

- Lauresha, shpesh femrat etiketohen si të bukura, të zgjuara dhe seksi. Cili nga përcaktimet të përshtatet më tepër?

- Në fakt, këto etiketime nuk janë të rëndësishme për mua. E rëndësishme është të jem e dobishme.

- Cila fjali është absolutisht e padobishme në fjalorin tënd?

- Nuk di të them “nuk mundem”.

- Talenti yt i fshehur?

- Grimi. Jam shumë e apasionuar pas tij.

- Çfarë apo kush të zgjon në mëngjes?

- Telefoni ose i dashuri. (Buzëqesh)

- Nëse dikush të zhgënjen, e meriton një shans të dytë?

- Varet nga shkalla e zhgënjimit.

- Cilat ishin ngjyrat që i dhe ti ditës së sotme? - I dhashë ylberin. - Çfarë do të kujtosh gjithnjë me nostalgji nga e kaluara?

- Përqafimin e gjyshes sime të ndjerë dhe këngët që këndonte nëpër shtëpi.

- Nëse do të doje të eleminoje një gjë të vetme në jetën tënde, cila do të ishte ajo?

- E jetoj jetën pa pendime dhe s’do të eliminoja asgjë.

- Në fund, një vajzë si Lauresha Ramadani, do të thoshte…

- Puna, përkushtimi dhe besimi në vetvete, bashkë me një dozë të fortë dashurie, janë çelësi i suksesit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.