Stilet më të mira, sipas llojit të flokëve tuaj

Intervista - - ESTETIKE -

1. Me rrica

Sekreti më i madh i stilimit të flokëve tuaj është t’i stiloni ato sa më pak. Mos i grumbulloni produktet njëri sipër tjetrit. Gjithçka që ju nevojitet është një balsam për të stiluar tufat e flokëve. Një sasi sa një monedhë 100 lekëshe është e mjaftueshme. Shpërndajeni atë në mënyrë të njëtrajtshme në flokë, nga rrënjët në maja, kur flokët janë ende të njoma. Përdorni një krehër me dhëmbë të rrallë dhe shpërndajeni balsamin në gjithë flokët. Thajini flokët me tharëse, ose më mirë, lërini të thahen vetë dhe mbajini duart larg! Sa më shumë t’i prekni rricat, aq më shumë fryhen ato.

2. Me onde

Ruajtja e formës së ondeve tuaja është më e thjeshtë sesa mendoni. Për t’i stiluar më mirë ato, filloni duke përdorur një sasi të mjaftueshme kremi për kaçurrela në tufat ende të njoma të flokëve. Pastaj vini një difuzor (shpërndarës) te tharësja dhe përdoreni derisa flokët të jenë 50% të thata. Nëse doni t’i theksoni edhe më shumë ondet, përfundojeni stilin duke përdredhur disa tufa me një mashë të gjerë.

3. Flokë të drejtë

Shumë njerëz mendojnë se po t’i bëjnë flokët me shkallë dhe t’i dredhin ato, do të duken më të dendur. Nuk është e vërtetë. Duke u dhënë kaq shumë lëvizje flokëve të drejtë, mund t’i bësh ata të duken edhe më të hollë. Çelësi është të mos i bësh me shumë shkallë, sa të duken të hollë, por t’i presësh me një gjatësi që t’u japësh më shumë dendësi tufave të flokëve. Për shembull, pritini në një gjatësi deri te supet.

4. Flokët e trajtuara me mjete stilimi

Një gjë është e sigurt; nëse do që t’i këputësh apo të të bien flokët, përdor shumë mjete stilimi. Kini kujdes nga tharëset dhe mashat e flokëve. Mbajini flokët e butë dhe të drejtë ( pa përdorur nxehtësi!) duke i mbështjellë natën me një peshqir ose napë. Thjesht, krihini flokët nga rrënja në majë dhe mbështillini me peshqir.

5. Flokët e thatë dhe të elektrizuar

Në daç besojeni, në daç jo, ju mund t’i mbani nën kontroll flokët e elektrizuar kur flini gjumë. Meqë elektrizimi i flokëve është ankesa më e shpeshtë e grave me kaçurrela, ekspertët këshillojnë të ndërroni këllëfin e jastëkut dhe në vend të atij prej pambuku, të përdorni një prej mëndafshi. Ky i fundit shkakton më pak fërkim te flokët kur flini dhe kjo pakëson elektrizimin dhe fryrjen e tyre.

6. Flokët e yndyrshëm

Meqë lëkura e kokës është ajo që yndyroset më shpejt, aplikoni produktet e stilimit, si serumet dhe spërkatësit vetëm nga gjysma e flokut deri në majë. E njëjta gjë vlen edhe për balsamin. Mos e vini atë në rrënjë ku lëkura prodhon yndyrën. Këshillë: Në përgjithësi, evitoni prekjen e flokëve me duart. Vaji i mollëzave të gishtave mund t’i bëjë flokët të yndyrosen edhe më shpejt.

8. Flokët si litarë

Shumë gra, flokët e të cilave bëhen si litarë (pra, grumbullohen tufa-tufa, sikur janë të palarë), mendojnë se duhet t’i lajnë ato çdo ditë, por larja e shpeshtë i than ato. Në vend të kësaj, provoni një shampo të thatë, ose spërkatës që i fryn. Këto mund të përdoren midis dy larjeve. Përdorni shampo të thatë në flokët e thatë, në rrënjë, masazhojini ato me gishta dhe pastaj shkundini mirë flokët.

9. Thinjat

Flokët e thinjur kanë tendencë të bëhen më të ashpër dhe si tela. Nëse përdorni balsamin e duhur, mund të zbusni fijet e bardha. Kërkoni balsamë që kanë vaj xhoxhobe, farash lini, ose avokadoje. Ato mund të ndihmojnë në hidratimin e flokëve. Balsami gjithashtu u jep shkëlqim, sepse drita pasqyrohet më mirë në flokët e butë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.