Ju pyesni mjeku përgjigjet U rripet dhe u skuqet lëkura

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam nënë e dy fëmijve, vajzë e djalë dhe të dy kanë probleme me lëkurën nën gishtat e këmbëve, sidomos nën gishtat e mëdhenj. U rripet dhe u skuqet lëkura. Desha të di se si të veproj dhe, a mos është mungesë e ndonjë vitamine? Faleminderit për mirëkuptimin.

Dr. Albana Lufi, Ph.D në Dermatologji: - E nderuar zonjë, nga të dhënat që jepni këto mund të jenë shenja të lehta të ekzemës ose të infeksionit mykotik. Ekzema është sëmundja më e shpeshtë inflamatore që prek çdo moshë, shtresë shoqërore dhe grup profesioni. Ajo shfaqet në lëkurën e predispozuar e të ndjeshme alergjike, me shenja klinike të shumta disa herë me shenja të lehta si skuqje dhe rrjepje, duke u zhvilluar në mënyrë të ngadalshme ose me hope dhe në disa raste, duke u përhapur shpejt. Ekzema përhapet nga shkaqe të njëjta ose të shumëllojshme të cilat shpeshherë nuk njihen ose zbulohen me vështirësi.

- Te fëmijët me lëkurë të ndjeshme, djersitja, çorapet sintetike ose sandalet plastike mund të shkaktojnë skuqje dhe rrjepje të lëkurës. Por, ka raste që skuqja dhe rrjepja e lëkurës mund të jenë edhe shenja të infeksionit mykotik. Do t’ju këshilloja t’i dërgonit fëmijët për një vizitë te mjeku dermatolog. Nëse ai dyshon për një infeksion mykotik, do t’ju rekoman- doja ekzaminimin për mykra në lëkurën e këmbës ku është shfaqur problemi. Nëse të dhënat klinike shkojnë për ekzemë të stimuluar nga faktorë të ndryshëm alergjikë, atëherë ai do t’ju japë mjekimin e nevojshëm.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.