Ish- gruaja më shpëtoi nga humbja e kujtesës

Intervista - - FAQE 1 -

Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një burrë 55 vjeç. Kam patur një jetë me peripeci, prandaj edhe kjo historia ime do t’ju lërë një shije të hidhur e të ëmbël të përzier bashkë. Tani jam pjekur, por në rini kam qenë shumë i hedhur. Kam patur një jetë të vështirë dhe sidomos me femrat, kam patur probleme. Problemet më të mëdha i kam patur për tradhti. Nuk e di pse nuk mund të rrija pa patur një shoqe, edhe pse isha i lidhur me gruan. Edhe më shumë do të habiteni kur t’ju them se gruan e parë e mora me dashuri. Duheshim shumë, mirëpo unë, si tip feminist që jam, në punë pata zënë një të dashur. Edhe kur u bëmë me fëmijë, nuk zura mend, madje shkak i ndarjes së parë ishte se vajza i tha gruas: “Mami, kjo është ajo teta që po puthte babi”.

Në fakt, kjo ishte një tjetër e dashur me të cilën unë nuk kisha bërë kushedi se çfarë, vetëm ndonjë të puthur e asgjë më shumë. Fati i keq ishte se ajo e kishte shtëpinë përballë nesh dhe unë sa herë dilja për të shkuar ndokund, më takonte ta shihja, gjë që më bëri të dashurohesha me të. Mirëpo fëmijët janë të padjallëzuar dhe tregojnë gjithçka, ashtu siç e shohin. Gruaja ishte shumë e urtë dhe për momentin nuk më tha asgjë, as se kush ishte ajo grua e as nëse ishte apo jo e vërtetë ajo që po thoshte vajza. Pas njëfarë kohe, ajo më kërkoi të ndaheshim.

- Besoj dhe ti nuk je pishman për këtë ndarje! - më tha ajo me gjysmë zëri.

- Po, jam dhe shumë madje. Ne jemi martuar me dashuri, si të mos jem?!

- Eh, dashuria mbeti në fillimet e martesës. Tani jemi si dy të panjohur.

Në fakt, kur e mendova... kishte kohë që ne nuk dilnim bashkë, nuk uleshim në shtëpi të bisedonim, se unë isha dhënë pas femrave, ndiqja çdo ndeshje futbolli dhe çfarë të ishte vetëm të mos shkoja në shtëpi, madje ne kishim kohë që nuk flinim bashkë. Sa idiot! E kisha lënë kaq shumë pas dore dhe bëja sikur më vinte keq që po ndaheshim, mirëpo si “tip” që isha, unë nuk e vrava shumë mendjen, bile ndihesha më i lirë se tani do të ndërroja femër përnatë, nëse doja.

Eh, ç’peripeci kalova! Nga më të ndryshmet! Meqenëse edhe pamjen fizike e kisha të mirë, pata shumë femra. Me gjithë qejfin e madh, siç ju thashë edhe më lart, kishte edhe shumë xhelozira. Njihja ndonjë femër e lidhesha jo vetëm për një natë, por për më shumë. Ama nuk mund të kaloja shumë pa e tradhtuar dhe ajo bëhej xheloze e shkoja në ndarje. Në gjithë këtë vorbull kënaqësie, qejfi e xhelozie, mua asnjëherë nuk më shkoi ndërmend të kujtohesha për gruan e parë, madje as për vajzën tonë. Qëkur ishim ndarë, ajo kishte shkuar tek i vëllai në Itali dhe unë nuk kisha marrë asnjë lajm as për të, as për vajzën. Kur më pyesnin nëse kisha qenë i martuar më parë, u thoja jo.

Me gjithë qejfin e madh, unë nuk e lashë asnjëherë pas dore punën. Merresha me furnizimin e biznesmenëve me mallra nga jashtë; nga Italia, Kosova e sidomos nga Turqia. Kisha vite që shkoja në Turqi, madje nga kjo kisha raste të njihja femra sa të duash.

Por, edhe në Itali e Kosovë i kisha lidhjet e mia, madje në Kosovë kisha një të dashur me të cilën kisha vite dhe i kisha blerë edhe shtëpi. Vetëm nuk kisha fëmijë me të. Mirëpo, erdhi koha kur unë duhet të “paguaja”. Gjatë një furnizimi në Itali më ra në kokë një kuti nga lart. Isha hutuar duke folur në telefon dhe nuk i kisha dëgjuar as paralajmërimet e të tjerëve që të largohesha.

U zgjova dhe e gjeta veten në spital. Nuk mbaja mend as kush isha dhe asgjë për veten time. Me anë të të dhënave të pasaportës, mjekët më bënin pyetje që të kujtohesha për ndonjë gjë, por edhe shokët me të cilët punoja, më dukej sikur nuk i kisha parë kurrë. Pas një kohe në spital, mjekët më thanë se isha mirë fizikisht, përveç kujtesës që do të më riparohej nëse do të rrija me të afërmit e mi.

E ku ishin të afërmit?! Unë nuk kisha në portofol asnjë foto. Më sollën në Shqipëri në shtëpinë time ku jetoja vetëm. Nëna e babai kishin kohë që më kishin vdekur dhe disa njerëz që më vinin për vizitë, unë nuk i mbaja mend, por edhe kur më tregonin se kush ishin, asnjë nuk ishte shumë i afërt me mua. Kisha kaluar një jetë me qejfe dhe tani po paguaja haraçin.

Një nga djemtë e xhaxhait ishte më i lidhur me mua. Ai më rrinte më shumë gati dhe madje më kishte gjetur një grua që kujdesej për mua. Ai më kishte bërë të firmosja një prokurë që të përdorte lekët në emrin tim, se ishte shumë e vështirë që unë të shkoja në bankë, sepse edhe më kishte ngelur një si çalim. Me këto lekë ai më blinte çfarë ishte nevojshme dhe bënte të gjitha pagesat në emrin tim, kështu që ishte një lloj ndihme. Nuk kisha nevojë të dilja fare nga shtëpia si invalid që isha. Gjithë ditën në shtëpi më dukej se kujtesa po më humbte më tepër e jo më të më kthehej. Pas disa muajsh më trokiti në derë një grua. Ishte mosha ime, por shumë e mbajtur.

- Si je? - më pyeti sapo hapa derën me vështirësi nga këmba që mezi e tërhiqja zvarrë.

- Mirë, faleminderit! Kush jeni ju se unë kam humbur…

- Ke humbur kujtesën, e di! - Po, ka disa muaj... - Në fakt, kujtesa ka vite që të ka humbur, po eja të ulesh se mezi po qëndron në këmbë.

Nuk bëra zë se vërtet kisha vështirësi të rrija shumë në këmbë. U ula në divan i habitur ende.

- Po kush jeni ju njëherë, se qenkeni…

- Si fytyrë e parë? - ajo qeshi me të madhe. – Shumë gjëra mund t’i harrosh, po gruan tënde nuk mundesh. Ja, të ta kujtoj pak.

Pasi tha këto fjalë, më puthi me një puthje që më la pa frymë. Kisha kohë që nuk isha puthur dhe më kishte marrë malli.

- Pse, kam qenë i martuar? - pyeta pasi e mora veten nga puthja.

- Po, i martuar ke qenë. Të paktën derisa jemi ndarë, për më tej nuk e di se nuk të kam parë më.

- Asgjë nuk po më kujtohet. Nuk kam as foto nga dasma e asgjë në shtëpi. Kam muaj që mundohem të gjej ndonjë shenjë nga jeta ime, por asgjë.

- Prandaj të thashë që kujtesa jote ka humbur shumë vite përpara. Tani ke humbur kujtesën nga aksidenti, por atëherë e kishe humbur nga mendtë e adoleshentit. Ja, të ta kujtoj unë. - Ajo hapi çantën e saj dhe nxori një bllok me foto. Ishin të vjetra, por të ruajtura mirë. - Ja ky je ti, në fejesën me mua. – pasi shfletoi disa fletë tha - Ky je ti dhëndërr dhe unë nuse. - Shfletoi përsëri dhe më zunë sytë një grua shatzënë dhe një ngjitur me të, foton e një vajze të vogël. - Po kjo? - Kjo është vajza jonë! Këtu është para njëzet vjetëve. - Po tani, ku është? - Ja, po merr ndonjë gjë për të ngrënë se kushëriri yt na tha se e ke frigoriferin bosh. - Pse, ai ju solli? - Po, ai u lidh me ne, se ti që në momentin e ndarjes nuk je munduar asnjëherë të na telefonosh apo të marrësh vesh ndonjë gjë për ne.

Në këto fjalë, u fut brenda një vajzë si engjëll; e gjatë dhe e bukur sa nuk përshkruhet me fjalë.

- Babi! - kjo thirrje sikur më goditi në kokë. – Ç’ke babi? Nuk je mirë?

- Silli pak ujë, - i tha ish- gruaja.

Pasi piva ujin, e pashë mirë këtë vajzë që ishte vajza ime dhe po e shihja pas shumë viteve. Në sytë e saj nuk kishte aspak qortim për sjelljen time, por vetëm lot malli.

Ishin këto dy femra që më bënë të kthehesha siç isha, por me një ndryshim të madh nga të gjitha femrat e jetës sime. Të dyja, si ish- gruaja, si vajza, u munduan me mua duke më çuar për fizioterapi që të ecja normalisht dhe duke më kujtuar të shkuarën. Ishte një dhuratë për mua, të cilën duhet ta çmoj e të mos e përbuz si herën e parë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.