Pandeli Majko: Do bëhem balerin

Intervista - - AKTUALITET -

Kur Pandeli Majko pa foton e kopertinës së Facebookut që Edi Rama postoi këtë javë, iu mbushën sytë me lot. Dhe, me mishin e bërë “kokërr” nga emocioni u ul dhe i shkroi Kryeministrit një email për ta përgëzuar dhe për t’i shprehur përshtypjet e tij lidhur me këtë vepër arti…

Pandeli Majko i shkruan Edi Ramës

Shef, i dashur shef. Shef i dashur shumë. E pe liken që të bëra te fotoja e “koverit” në Facebook? Kam mbetur i pataksur nga ajo foto. Çfarë fotoje! Na ke trajnu krejt, siç thonë vëllezërit tanë kosovarë. Në fillim, në pamje te parë m’u duk sikur kishe nxjerrë në kopertinë pallatin me shigjeta, por, kur vura syzet e qorrit, e dallova se ishte tavolina juaj e punës me bojërat e hapura.

Unë shpresoj shumë që Lulzim Basha të marrë një mësim të mirë me këtë rast dhe të kombinojë foton e profilit me atë të “koverit”... Ti shef, je bërë shembull për gjithë Freshin. Pasi panë “koverin” tënd, çunat dhe gocat e Freshit menjëherë ndryshuan fotot e Facebookut të tyre dhe tani kanë në kover vetëm foto artistike të mara nga ato faqet e hipsterave. Po bëhemi dita-ditës më modernë në parti dhe kjo, falë teje… Jemi bërë të gjithë artistë të vërtetë. Ua kemi marrë në kthesë atyre të PDsë, që ngelën me ato dy gishtat lart gjithë jetën e tyre.

Unë, shef, kohët e fundit jam bërë njeri shumë romantik. Dhe kjo, falë teje. Kam filluar të ndjek preferencat e tua artistike. Kanë filluar të më pëlqejnë vetëm ato lokalet me dërrasa të lyera ngjyra - ngjyra, si pallatet që leve ti.

Desha të të shkruaj dy fjalë edhe për Ilir Metën, meqë kemi qenë shokë të ngushtë dikur. Unë kam një strategji të mirë për të bërë për vete Ilir Metën. Mendoj që të përdorim me të, të njëjtën taktikë që përdorëm për ato pjeshkat e vogla që u antarësuan në Fresh. Ta afrojmë Metën drejt artit. Mendoj që Meta ka nevojë të mësojë dhe të ketë njohuri mbi artin. Duke i bërë trajnime të veçanta mbi artin, ai ka për t’u dashuruar pas tij, njësoj si ne. Kështu, do të afrohemi më shumë, derisa të bëhemi të pandarë…

Dua të them diçka edhe për Koçon. Gazeta “Shekulli” kohët e fundit ka filluar të shajë qeverinë. Ndaj them që krahas Ilir Metës, t’i paguajmë disa kurse pianoje edhe vëlla Koços. Le t’i bashkohet edhe ai tufës së mirë të artistësh e njerëzve artdasës brenda partisë. Kështu do të jemi solidë dhe nuk do të jetë njeri që të na përçajë…

Në fakt, shef, ne të gjithë kemi ndryshuar e po ndryshojme nën shembullin tënd. Ja, unë kam filluar të perfeksionoj firmën që e kisha ku thërret qameti. Erjon Braçe ka filluar të thurë poezi në Facebook, ndërsa Sajmiri ka filluar të bëhet këngëtar. Po, po, këngëtar. E kam dëgjuar të këndojë në zyrë atë këngën “O Monda, ti pse më le”. Më ka magjepsur njësoj si fotoja jote e koverit në Facebook. Pastaj kemi Ilir Beqajn violinist dhe Spartak Ngjelën, adhurues së trompës.

I dashuri im shef. Këto ditë jam marrë me Fresh Voice. Ky është problem i ditës sot. Mendoj se, sot shqiptarët nuk kanë shqetësim tjetër përveç ankthit se kush do ta fitojë Fresh Voice. Kemi kandidatë të mrekullueshëm. E di ç’më ndodhi, shef? I thashë njërit me shaka që si kover ne Facebook të vinte foton e Niko Peleshit nëse donte të mblidhte sa më shumë vota. Të nesërmen, të gjithë kishin vënë si kover e si foto profili foton e Nikos. Rrezik se zgjidhet Nikoja si kryetar i Freshit.

Po e mbyll këtu shef, duke uruar që të mos jesh mërzitur përsëri nga këto problemet që na kanë dalë me reformën dhe të mos kyçesh prapë në shtëpi e të mbyllësh ditën duke u rënë pianos. Të të këshilloj diçka tjetër po të jesh i mërzitur? Bëj balet, shef. Unë e kam vendosur, do të bëhem balerinë, për vete, se vetëm me art bën hajër sot…

Edi Rama i kthen përgjigje Pandeli Majkos:

Unë, foto koveri vura ato bojërat se nuk doja që të ma merrnin në sysh Niko Peleshin nëse vija foton e tij. Ti nuk e di, por sa herë vë Nikon në Facebook, ndodh diçka e mirë. Ja, dje e vura dhe bëra kosh…

Të uroj, vëlla, për punën e mirë që po bën me Fresh Voice. Nuk e di a të kam thënë se si u bë përzgjedhja e këtyre kandidatëve të FRESHI- it. Ju kemi bërë kontroll një më një në Facebook. Në fakt, kontrollin ua ka bërë Endri Fuga. Ka ndenjur deri natën vonë duke kontrolluar profilet dhe ka bërë përzgjedhjen. Dhe, ia ka dalë mbanë.

Janë përzgjedhur kush ka bërë fotot më të bukura, kush ka kompozuar më mirë foton dhe normalisht, kush kishte kombinuar foton e profilit me atë të koverit. Jemi njish, Pandi. Jemi artistë…

Ky art po na e mban qeverinë më kombë, po futju punës e bëhu balerinë sa je në kohë. Të puth. Edi

PS. Marrë nga emaili. kryeministri@kryeministria.al

PS. Çdo ngjashmëri me WIKILEAKS-in e vërtetë është e rastit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.