Spartak Ngjela: “Reformën në Drejtësi e kam përpiluar unë”

Intervista - - AKTUALITET -

Këtë fundjavë, për ju lexues besnikë të gazetës, po sjell intervistën që kreva me zotin Spartak Ngjela. Vërtet ai nuk është ministër, por është një nga njerëzit më flokëbardhë të politikës shqiptare, e për këtë e meritonte të intervistohej.

Kaso Kosa: - Përshëndetje, zoti Ngjela! Spartak Ngjela: - Dëgjo, djalë i mbarë! Kur më përshëndet mua, duhet të ulësh kokën në shenjë respekti. Po s’ke nga ta dish këtë gjë ti…

- Unë e ula, zoti Ngjela, por s’e keni vëne re. E kush nga gazetarët nuk duhet ta ulë, përpara jush?!

- You are right! Ke të drejtë! Po ku di ti anglisht, që ta dish këtë…

- Le ta lëmë për një çast mosditjen e anglishtes nga unë, zoti Ngjela dhe kalojmë te pyetjet. Para disa ditësh u miratua “Reforma në Drejtësi”. Juve përse s’morët pjesë në përpilimin e saj?

- Dukesh që je i painformuar fare, djalë i mbarë. Unë s’kam dashur vetë të merrja pjesë… - Përse jo, zoti Ngjela? - Ku i kam bërë unë këto ligje, të tjerët i binin miut me lugë.

- Deshët të thoshit: “i binin maces me lugë”…

- Jo maces, por miut. Këtë ligj e kam patur në kokë unë qëkur isha në burg. Që në kohën që më kalonte miu pranë e rojet e burgut i binin me lugë, që ta vrisnin… - Harrova fare, zoti Ngjela… - Mos harro pra, se, siç thonë edhe latinët, “Qesh mirë kush qesh i fundit”.

- Unë kujtoja se kjo thënie është shqiptare, zoti Ngjela. Kjo paska qenë latine!

- Qytetërimi latin i ka dhënë vlera qytetërimit botëror, por s’ke nga ta dish ti, Kaso…

- Përse zoti Rama nuk ju ka vendosur juve Ministër të Drejtësisë, zoti Ngjela?

- Sepse nuk kam dashur unë. Po ku di ti gjë, Kaso. Unë jam njeriu që kam qenë Ministër i Drejtësisë më shumë se çdo tjetër. Po s’ke nga ta dish këtë fakt ti…

- Ju keni qenë Ministër i Drejtësisë më shumë se çdo tjetër?! Po më habisni, zoti Ngjela. Me sa di unë, ju keni qenë Ministër i tillë vetëm për disa muaj në vitin 1997…

- Questo es marrëzius. Kjo është marrëzi, thonë latinët. Po s’ke nga ta dish këtë thënie ti. Unë, Kaso, kam qenë Ministër i Drejtësisë për vite më radhë. Që prej 1974 e deri në mars 1991. Pra, gjatë gjithë kohës kur isha në burg. - Keni qenë Ministër i Drejtësisë gjatë kohës që keni qenë në burg, zoti Ngjela dhe publiku nuk e ka ditur këtë fakt? Po ky qenka lajm ekskluzivisht i thënë vetëm tek unë, atëherë. - Kam qenë, posi! Kur ne të burgosurit zgjidhnim qeverinë në burg, unë vendosesha Ministër i Drejtësisë. Madje, shpeshherë nuk pranoja të zgjidhesha, por ma jepnin këtë post me pahir të burgosurit e tjerë. “Merre, Taku, më thoshin, se vetëm ti mund ta bësh këtë detyrë.” Detyrohesha dhe e merrja, se s’doja t’i lija shokët në baltë. Megjithëse ne në baltë ishim atëherë. Dy herë më zgjodhën Ministër të Ekonomisë. “Ti, Taku, ke ide liberale për ekonominë, më thoshin shokët e burgut, ndaj mund ta bësh këtë detyrë”. Për hir të tyre e pranoja edhe këtë post. Ja, kështu Kaso, por s’ke nga i di këto gjëra.

- Si qëndron puna me atë propozimin që për Reformën në Drejtësi të bëhet një monument? Dëgjova që ishit dakord për këtë gjë, zoti Ngjela...

- Isha në fillim, por tani nuk jam më, Kaso. Siç thonë latinët: “Vetëm budallai nuk ndërron mendim”. - Përse e keni ndërruar mendimin?! - Ku dimë ne të mbajmë monumentet, Kaso. Do ta prishim që ditën e parë. Ne edhe atij monumentit që bëmë për 100 vjetorin e Pavarësisë, i hoqëm pllakat prej bronxi. Jo më këtij të Reformës, që do ta heqin me gjithë kandar.

- E keni menduar monumentin në formë kandari, domethënë?

- Sigurisht, Kaso, në formë kandari. Lart kandari që do të simbolizojë elitat, pra, mua dhe ca të tjerë. Poshtë saj do jetë kokrra e kandarit, që do të simbolizojë njerëz si ti, Kaso…

- Faleminderit për intervistën zoti Ngjela!

- Ta kesh për nder që më intervistove, Kaso. Një shans i tillë jepet vetëm një herë në javë.

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.