Gjyste Vulaj: Pse do ia falja tradhtinë bashkëshortit?

Intervista - - MUZIKE -

Gjyste Vulaj vazhdon të shkëlqejë dhe të surprizojë ende me punën, lukun dhe me gjithçka të re që sjell. “A po keni hot” është projekti i saj më i ri, i cili përveçse gëzon pëlqimin e publikut dhe dëgjohet kudo, i ka “dhuruar” asaj si çdo herë, edhe një sezon të ngarkuar me koncerte. Sepse, aty ku është Gjystja, bëhet gjithmonë zhurmë. Ndaj, pak rëndësi ka nëse është për paraqitjen, mirësinë, talentin apo çiltërsinë e saj. Fakt është që Gjysten e duan të gjithë dhe ajo ka ditur t’ua kthejë dashurinë.

- Gjyste, ç’mund të na thuash për projektin tënd më të ri?

- Kënga “A po keni hot” është realizim i Agjencisë Mediatike “Swart” dhe vjen si një “freski” me ritme verore për të gjithë fan- sat. Teksti dhe muzika janë si gjithmonë të miat, kurse orkestrimi si gjithmonë i Sokolit ( bashkëshortit). Klipi është me pamje hot, për t’iu përshtatur sa më mirë edhe titullit të këngës e cila me sa po shoh ka gjetur menjëherë vend në zemrat e publikut dhe jam tejet e kënaqur për këtë.

- I ngjeshur si gjithmonë me koncerte dhe dasma edhe ky sezon?

- Po, kjo është periudha më e ngarkuar e vitit, por gjithçka është e justifikuar për sa kohë që publiku më jep këtë dashuri dhe më kërkon të jem aty ku ata duan të bëhet mirë.

- Sa këngë numëron Gjystja në repertorin e saj?

- Mbi 200 dhe të gjitha me tekstet e mia.

- Vazhdon bashkëpunimi i ngushtë me Sokolin. Cili është sekreti i jetëgjatësisë së dyshes tuaj në punë?

- Talenti, dëshira për punë dhe përkushtimi me seriozitet. E respektojmë punën.

- Si do ta komentoje lajmin që qarkulloi për ndarjen nga Sokoli?

- Është tërësisht i pavërtetë, por ky nuk është lajmi i vetëm i pavërtetë që ka dalë për mua. Ka dalë që jemi ndarë, ka dalë që më ka rrahur Sokoli, që kam vdekur nga dietat e plot të tjera. Por, siç e shihni jam akoma këtu dhe ne jemi akoma bashkë. (Buzëqesh)

- Komentet në videon tënde të fundit, janë më tepër të përqendruara në paraqitjen tënde. Fansat pyesin se si është e mundur që ti vit pas viti vetëm sa bëhesh më e re...

- Kujdesem për trupin. Ushqehem në mënyrë të ekuilibruar, edhe pse kjo më kushton sepse unë e dua ushqimin dhe shpesh për shkak të dietave jam e privuar nga shumë gjëra. Jam më shumë te sallatat… Kohët e fundit i jam kushtuar edhe sportit dhe është diçka që e bëj me kënaqësi.

- Të pëlqen kur thonë që Gjystja është seksi?

- Kujt nuk do t’i pëlqente?! Do të ishte një vlerësim për këdo femër. - Është xheloz Sokoli? - Jo, pasi e di që ka një grua serioze, që i rri besni- ke.

- E ke tradhtuar ndonjëherë?

- Kurrë. Unë jam martuar 16 vjeçe dhe që atëherë jemi bashkë.

- Do të ndaheshe nga Sokoli pas një tradhtie nga ana e tij?

- Mund të tingëllojë e çuditshme, por jo. Dikur as që më shkonte ndërmend kjo si përgjigje, kurse sot që e shoh djalin të rritet e ma kënaq shpirtin, them do të bëja gjithçka vetëm të mos ua prishja qetësinë e shpirtit fëmijëve.

- Kush kujdeset për fëmijët tani që ti je me koncerte?

- Vajza është e rritur, kurse Besarti më i vogël, por që të dy kanë nisur të mësohen tani me udhëtimet bashkë nëpër botë kudo ku jam e ftuar. Kur bëhet e lodhshme, është motra ime ajo që rri e kujdeset për ta.

- Cila të pëlqen nga këngëtaret e reja që kanë dalë tani?

- Enca këndon bukur, është e bukur dhe ka arritur shumë gjëra në shumë pak kohë. Era Istrefi po ashtu ka stil. Mua më pëlqejnë ato që kanë pak a shumë stilin të njëjtë me mua.

- Çfarë të sjell kënaqësi së fundi?

- Që prej lindjes së Besit, jam tërhequr pak nga bota e jashtme. Më pëlqen të rri me të, të kaloj kohë me të. Çdo gjë tjetër veç atij tani thjesht zbehet.

- Ke bërë ndonjë operacion plastik?

- Nuk kam bërë asnjë ndërhyrje as në fytyrë, as askund. Derisa qesh e më bëhen rrudha te sytë, kjo do të thotë se nuk kam bërë ndonjë ndërhyrje. Por, nuk është se jam kundra operacioneve plastike atëherë kur është e nevojshme. Kur të vijë koha, edhe unë do të shoh çfarë do të bëj.

- Është e vërtetë se aty ku është e ftuar Gjystja, është adrenalina e vërtetë?

- Tani mua nuk më vjen mbarë të flas për veten, por nëse aty ku je ti për të kënduar, ambientet mbushen plot, njerëzit këndojnë me ty, kërcejnë e hedhin valle të lumtur nën tingujt e muzikës tënde, atëherë nëse jo aty, ku tjetër është adren- alina?!

- Çfarë ndodh me veshjet të cilat nuk i përdor më?

- I fal të gjitha, jo vetëm veshjet, por edhe aksesorët bashkë me to.

- Cili është aksesori pas të cilit je më e fiksuar?

- Më pëlqejnë varëset, orët, por nëse flasim për pëlqim që shkon deri në fiksim, atëherë mund të them se jam e fiksuar pas çantave. Mbeten aksesori im i preferuar dhe nuk besoj se do të ndryshoj në këtë pikë.

- Cili është koncepti i lumturisë për ty?

- Lumturia për mua është të kem familjen të shëndetshme, të shoh Besartin që rritet dhe ma mbush me gëzim shtëpinë, të kem po këtë publik të zjarrtë që kam dhe të kem dashurinë e Sokolit që nuk më mungon kurrë.

- Si do ta cilësoje veten?

- Si një njeri me zemër të madhe, të talentuar dhe mendjehapur. - Të lodhin intervistat? - Kohët e fundit, veç koncerteve, një pjesë të mirë të kohës ma merr Besarti dhe besomë që nuk kam kohë për të gjitha, megjithatë nëse janë interesante, intervistat më pëlqejnë se në njëfarë mënyre, më shumë se më lodhin, më çlodhin. Më duket sikur po bëj bisedë me një shoqe.

- Çfarë këshillash të kërkojnë shoqet në bisedat që bëjnë me ty?

- Për shumë gjëra… Në lidhje me jetën në çift dhe të tjera…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.