Ramadani sjell “ylberin” te Partizani!

Intervista - - SPORT -

Kohët e fundit me siguri që keni dëgjuar për një emër të ri në futbollin shqiptar, një surprizë të bukur si Ylber Ramadani. Kosovari doli vërtet siç kishte emrin, pasi fitoi formacionin dhe spikati në Ligën e Kampionëve me të kuqtë. “Demat” luajtën përballë Red Bull Salzburgut në njërën prej ndeshjeve më të bukura të historisë së ekipeve shqiptare në kompeticionet evropiane e pavarësisht humbjes, na bënë krenarë... Luanin përballë një skuadre me një buxhet të paktën njëzetfish më të madh dhe e dominuan në të gjitha statistikat thuajse, përveç golave, ku një episod vendosi për ndeshjen. Në një intervistë për gazetën, djaloshi rrëfen nga fusha e blertë e deri te fejesa e tij...

Eraldo Harlicaj: - Mirëmbrëma, Ylber! Na dole vërtet “ylber”, nuk të njihnim...

Ylber Ramadani: - (Qesh) Tani, do të më zbuloni.

- Si e komentoni ndeshjen e humbur ndaj Salzburgut?

- Për mendimin tim, kemi bërë një ndër ndeshjet më të mira, duke përfshirë edhe gjithë sezonin e kaluar. Jemi përballur denjësisht me një ekip që ka miliona e buxhet super të fuqishëm dhe kemi dominuar. Po, po. Nuk flas kot, flasin statistikat. Humbja erdhi si rezultat i një episodi, por për mendimin tim, ka të bëjë eksperienca. Të mos harrojmë se po flasim për një ekip që është kampion absolut i Austrisë dhe ka krijuar identitetin e tij edhe në Evropë. - Një humbje që dhemb? - Dhemb, pasi nuk ishte aspak e merituar, për mendimin tim. Nuk duhej të ndodhte, pasi kishim shanse që të kalonim të parët në avantazh, por kështu e ka futbolli dhe duhet ta pranojmë.

- Ku çaloi ekipi në këtë ndeshje?

- Mendoj se te konkretizimi, pasi duhet të jemi më të qetë dhe të shfrytëzojmë rastet përpara portës. E gjithë ndeshja luhet për gol dhe ne nuk arritëm të shënonim.

- A mund ta bëni në Austri?

- Mendoj se mund ta bëjmë dhe kam besim absolut se mund të kualifikohemi.

- E mendoni vërtet kualifikimin?

- Kemi besim se mund t’ia dalim. Ndeshja e fituar në Hungari ndaj Ferencvaroshit na ka bërë që të besojmë deri në fund. Mund të shënojmë dhe të tentojmë për më tepër. Asgjë nuk është e pamundur për skuadrën tonë, pasi kemi besim. Qëndrojmë me këmbë në tokë dhe e dimë se austriakët janë shumë më lart, por nuk na stepin aspak. Kemi ndërtuar një ekip që tremb çdo kundërshtar.

- Si është forma e ekipit për ndeshjen e kthimit?

- Skuadra është në formë dhe kemi bërë përgatitjet e duhura për këtë takim. Do të mundohemi të bëjmë maksimumin për këtë ndeshje dhe jam i sigurt se do t’ia dalim.

- E prisnit të luanit titullar?

- Të them të vërtetën, nuk e prisja të isha titullar.

- Çfarë ka ndryshuar nga sezoni i kaluar me tani?

- Kam punuar shumë dhe më në fund, rezultatet po duken.

- Kush janë personat që po të mbështesin më shumë?

- Trajneri, stafin teknik dhe presideni. Dua t’i falënderoj për këtë mbështetje të madhe.

- Një tjetër lojtar është afruar në pozicionin tuaj, Bertoni. I druheni konkurrencës?

- Nuk i trembem konkurrencës, pasi unë bëj punën dhe detyrën time. Do mundohem të jap gjithmonë maksimumin dhe në bazë të kësaj, do t’ia dal mbanë. Do të jap maksimumin për Partizanin dhe do të jem gjithmonë i gatshëm për skuadrën dhe trajnerin kur të ketë nevojë.

-A e keni ndier ngrohtësinë e tifozëve?

- Po, patjetër. Janë shumë fantastikë. Mendoj se kemi tifozët më të mirë në Shqipëri.

Ramadani dhe Shqipëria

- A jeni përshtatur tashmë?

- Mendoj se po, por jo 100 për qind!

- Qyteti më i bukur në Shqipëri?

- Tirana, se nuk kam vizituar shumë të tjerë.

- Sa qytete keni vizituar?

- Për ndeshjet që kam pasur në Superligë, pothuajse të gjitha, por jo me detaje dhe vende të bukura.

- Ushqimi i preferuar?

- Njëlloj si në Kosovë, s’kemi shumë ndryshime.

- Keni pasur probleme me gjuhën?

- Pak, po, por më kanë ndihmuar.

- Çfarë fjale nuk kuptoje?

- “Lale” e tipit si përshëndetje “He mo lale”. (Qesh)

- Keni ndonjë pseudonim?

- Jo, nuk kam.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.