Xhihani zbulon sekretin e Dilarës

Intervista - - TELENOVELA -

I zemëruar keq me Hazallin, Xhihani nuk pranon asnjë justifikim prej saj dhe e mbyll brenda në shtëpi, me dënimin që të mos dalë derisa ai t’i japë leje dhe të jetë gjithë kohës e shoqëruar nga Azmiu. Në shtëpinë e Xhihanit, të gjithë e kalojnë natën zgjuar, të shqetësuar për Dilarën, e cila nuk i ka treguar askujt se ku është dhe nëse është mirë.

Denizi grindet me Xhansunë

Në mëngjes, Dilara zgjohet në shtëpinë e gjyshes së saj dhe i telefonon Xhansusë, për t’i treguar se ku ndodhet. Ajo nuk pranon të flasë me njeri tjetër përveçse me Xhansunë. Kjo e fundit e fton Denizin të hajë mëngjesin në shtëpinë e saj, gjë që nuk i pëlqen aspak Ozkanit, por nuk ka zgjidhje tjetër përveçse ta pranojë. Nga ana tjetër, Rahmiu, kur e shikon këtë, i telefonon mamasë së Denizit dhe i kërkon të vijë ta takojë në shtëpinë ku po qëndron ai. Ndërsa pastron në shtëpinë e Rahmiut, Kerimani shikon kur brenda futet Bejazgyli. Ajo e dëgjon Rahmiun ta kërcënojë atë se nëse nuk e ndan Denizin nga Xhansuja, ai do të tregojë gjithçka për të kaluarën e saj të errët. Bejazgyli dihet shumë keq dhe i lutet të mos e bëjë këtë, por Rahmiu ia pret shkurt dhe e nxjerr nga shtëpia. Ozani bisedon në telefon me të ëmën dhe e thërret Xhansunë të bisedojnë së bashku. Ata nisin të grinden, gjë që e dëgjon Denizi, i cili ndihet i tepërt dhe largohet nga shtëpia. Kjo gjë shkakton një zënkë tjetër mes Ozanit dhe Xhansusë.

Gylsereni sulmon një burrë dhe burgoset

Ndërsa kërkon për diçka në sirtarët e Dilarës, Xhihani gjen ekon e saj dhe tronditet kur mëson se Dilara është shtatzënë. Ai vendos të shkojë menjëherë drejt saj. Nga ana tjetër, Gylsereni po e vuan shumë largimin e Xhihanit, pa e ditur në çfarë situatash të vështira ndodhet ai. Gylsereni mendon se tashmë dashuria e tyre ka marrë fund dhe ndihet e dëshpëruar. Xhihani shkon në shtëpinë ku po jeton Dilara dhe i kërkon asaj të bëjnë një shëtitje në pyll. Azmiu nuk e lejon Hazallin të dalë nga shtëpia dhe ajo i ankohet Xhihanit, por ky i fundit i thotë se është e detyruar të bëjë siç thotë Azmiu. Hazalli, e tërbuar, nuk di se si të dalë nga kjo situatë. Ajo, përpiqet të manipulojë Gylserenin dhe i telefonon asaj duke qarë e duke i kërkuar ta bindë Xhihanin ta lërë të lirë, por Gylsereni i thotë se duhet të vuajë pasojat e gabimeve të saj. Gylsereni bën edhe një përpjekje për të biseduar me Xhihanin, duke shkelur krenarinë e saj, por i telefonon atij pikërisht në momentin kur ai ka shkuar te Dilara dhe ai është i detyruar t’ia mbyllë telefonin. Atëhere, Gylsereni bindet se përfundimisht ata të dy janë të ndarë. Ndërsa pret në stacionin e autobusit, ajo sheh një burrë që po keqtrajton të shoqen dhe shkon ta ndihmojë. Burri plagos gruan e tij me thikë, por Gylsereni ia merr atë nga dora dhe ia vendos atij në fyt. Në atë moment, vjen policia dhe gruaja çohet në ambulancë, ndërsa Gylsereni përfundon në rajonin e policisë.

Xhandani kërcënohet sërish Jëlldërëmi vazhdon idilin e tij me Xhandanin, ndërsa Haruni më kot i bie telefonit të Dilarës, pasi ajo nuk ia hap atë. Xhihani bisedon hapur me Dilarën, e cila i kërkon të falur për gjithçka dhe i thotë se për shkak të incidentit të Ozanit, nuk i kushtoi rëndësi vonesës së menstruacioneve dhe e mësoi shumë vonë që ishte shtatzënë. Tashmë, që të dy mendojnë se është mëkat të abortosh. Xhihani e pyet nëse ndokush tjetër është në dijeni të shtatzanisë së saj dhe Dilara i tregon se vetëm Xhandani; pikërisht ajo që nuk duhej ta dinte. Xhihani i premton Dilarës se do të ketë në krah për gjithçka dhe do të mbështesë çdo vendim që do të marrë ajo. Haruni dhe Çataji shkojnë në shtëpinë e Xhandanit dhe kur nuk e gjejnë aty, kuptojnë gjithçka për arratisjen e saj. Haruni gjen pasaportën e Xhandanit dhe e merr atë me vete, e sigurt se pa të, ajo nuk ka ku të shkojë. Xhandani gjendet përsëri nga personi që po e kërcënonte. Ai e çon në mes të natës në një vend të izoluar dhe e kërcënon se do ta vrasë, nëse nuk e bën atë që do ai. Jëlldërëmi nuk e gjen në shtëpi dhe shqetësohet, por Xhandani nuk i tregon të vërtetën. Xhihani shkon te Xhandani dhe e kërcënon që kurrë të mos i tregojë askujt për këtë.

Haruni nxjerr Gylserenin nga burgu

Haruni, që mëson se Gylsereni është në burg, paguan garancinë për të dhe e merr me makinë për ta çuar në shtëpi. Gylsereni e falënderon dhe ai i thotë se e ka bërë këtë për miken e tij, që është pronarja e saj. Gjatë rrugës, Haruni përpiqet të mësojë më shumë për lidhjen e saj me Xhihanin, gjë që e habit Gylserenin, e cila tregohet e ftohtë me të. Dilara vendos t’ia hapë telefonin Harunit, për t’i thënë të mos guxojë t’i telefonojë më. Nga ana tjetër, ajo vazhdon të jetë shumë e dashuruar me të dhe po e vuan shumë gjendjen në të cilën ndodhet. Haruni, i tërbuar pasi zbulon se këtë ndarje me Dilarën e ka shkaktuar Xhandani, i kërkon Çatajit ta gjejë, pasi këtë herë ai do ta vrasë. Mamaja e Denizit përpiqet ta ndajë atë nga Xhansuja, duke i folur keq për këtë të fundit. Denizi, i dëshpëruar dehet e fle dhe kur Xhansuja telefonon, mamaja e tij i thotë asaj se Denizi është me një miken e tij...

Ozkani përpiqet të puthë Gylserenin

Komshia e Kerimanit, që po mban Xhanin, e sjell atë në shtëpinë e Gylserenit dhe kjo e fundit nuk mund të mos pranojë ta mbajë, por kjo gjë shkakton një grindje tjetër me Xhihanin. Ai e gjen Gylserenin me Xhanin e vogël dhe bëhet edhe një herë xheloz se ajo po afrohet shumë me Ozkanin. Pa pranuar asnjë shpjegim nga ana e saj, ai ikën sërish. Alperi dhe Sollmazi arrestohen me akuzën se kanë shkaktuar vdekjen e burrit që ka rritur Alperin dhe që njihet ligjërisht si babi i tij. Ozkani shkon për vizitë te Gylsereni dhe vë re se ajo e ka hequr nga gishti unazën e fejesës. Ai i bën dhuratë një varëse, që ajo mezi e pranon. Ozkani i afrohet për t’i vënë varësen dhe është gati ta puthë, por Gylsereni e qëllon dhe e përzë nga shtëpia...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.