Disa fakte për sëmundjen e antraksit (plasjes)

Intervista - - SHENDET -

Kohët e fundit po qarkullojnë zëra mbi mishin, i cili thuhet se është i infektuar me baktere që shkaktojnë antraksin. Shpresojmë të jetë thjesht një zhurmë që qarkullon (dhe që nuk është aspak e këndshme, sepse përhap panik), por gjithsesi duam t’ju shpjegojmë diçka më shumë për këtë sëmundje të rëndë. Antraksi, apo siç quhet në gjuhën popullore, plasja, është një infeksion që transmetohet nëpërmjet bakterieve që jetojnë te kafshët. Ai shkakton infeksion të lëkurës, mushkërive dhe zorrëve, diagnostikohet nëpërmjet analizimit të indeve të infektuara dhe trajtohet me antibiotikë. Ai, gjithashtu, mund të parandalohet. Ja, çfarë duhet të dini patjetër për të: - Çfarë është antraksi? - Antraksi është një sëmundje e rëndë infektive që zakonisht prek kafshët, veçanërisht ripërtypësit (dhitë, delet, lopët dhe kuajt). Antraksi mund t’u transmetohet njerëzve nëpërmjet kontaktit me kafshët e sëmura, ose me produktet e tyre. Antraksi nuk kalon nga njëri njeri te tjetri. Vitet e fundit është folur edhe për një sulm bioterrorist ose luftë biologjike, të bazuar në këtë sëmundje.

- Çfarë e shkakton antraksin?

- Bakteri që e shkakton atë quhet bacillus anthracis. Ai është zbuluar nga disa shkencëtarë, por ishte doktori dhe shkencëtari gjerman, Robert Koh, që provoi se bakteri i antraksit ishte shkaku i sëmundjes që prekte kafshët e fermës së zonës së tij. Në mikroskop bakteri duket si një shkop i gjerë, megjithatë, në tokë, ku ata jetojnë, organizmat e antraksit ekzistojnë në një formë të fjetur, që quhet spore. Këto spore janë shumë rezistente dhe të vështira për t’u shkatërruar. Ato kanë mundur të mbijetojnë në tokë edhe për 48 vjet!

- Si prekemi ne nga antraksi?

- Antraksi i prek njerëzit në tre mënyra, ku më e zakonshmja është infeksioni nëpërmjet lëkurës, i cili shkakton disa plagë të shëmtuara. Njerëzit dhe kafshët mund ta marrin antraksin duke konsumuar kockat e kafshëve të therura që kanë qenë me antraks. Infektimi me antraks nganjëherë mund të shkaktojë sëmundje serioze, bile edhe vdekjeprurëse. Forma më fatale është me anë të thithjes. Nëse thith sporet e antraksit, ato shkojnë në gjëndrat limfatike në gjoks, ku shumohen, përhapen dhe prodhojnë helme që shpesh shkaktojnë vdekjen.

- Sa shpesh haset kjo sëmundje?

- Kjo sëmundje haset më rrallë në vendet e zhvilluara dhe më shpesh në ato të pazhvilluara, ku mungojnë rregullat e shëndetit publik që bëjnë parandalimin e ekspozimit ndaj kafshëve të infektuara dhe produkteve të tyre. Vitet e fundit kanë ndodhur raste të rralla te njerëzit që i bien daulles, për shkak të përdorimit të lëkurës së kafshëve të sëmura.

- Sa e gjatë është periudha e inkubacionit të bakteres së antraksit?

- Periudha e inkubacionit ( koha midis kontaktit me bakteren dhe fillimit të shfaqjes së simptomave), mund të jetë relativisht e shkurtër, nga një deri në pesë ditë. Ashtu si sëmundje të tjera infektive, kjo periudhë mund të ndryshojë dhe mund të kalojnë edhe javë para se personi i infektuar të sëmuret.

- Çfarë lloj sëmundjesh shkakton antraksi?

- Ekzistojnë tre forma të sëmundjes: Antraksi i lëkurës, ai i frymëmarrjes dhe gastrointestinal (i zorrëve).

Antraksi i lëkurës: Kjo formë e antraksit fillon si një njollë e kuqe në kafe mbi lëkurë, që zgjerohet duke u skuqur shumë dhe rrotull saj, krijohet një zonë e ashpër. Në qendër të njollës krijohet një krater me një kore të zezë. Në zonë krijohen gjendra (limfatike) të enjtura. Simptomat përfshijnë dhimbje muskuj sh, koke, temperaturë, të vjella dhe marrje mendsh. Sëmundja zakonisht shërohet për afro 6 javë, por pacientët e patrajtuar me antibiotikë mund edhe të vdesin.

Antraksi i frymëmarrjes. Simptomat e para janë të lehta, si ato të gripit. Megjithatë, për disa ditë gjendja përkeqësohet dhe mund të ndodhin probleme të rënda të frymëmarrjes. Për pasojë, pacienti mund të bjerë në gjendje shoku, kome dhe më pas të vdesë. Antraksi i frymëmarrjes nuk shkakton një pneumoni të vërtetë. Në fakt, në mushkëri sporet kapen nga disa qeliza pastruese, të quajtura makrofage. Shumica e sporeve vriten, por, për fat të keq, disa mbijetojnë dhe transportohen në gjëndrat e gjoksit, të quajtura gjëndra limfatike. Në këto gjëndra sporet shumëfishohen, prodhojnë helme vdekjeprurëse dhe shpërndahen në të gjithë trupin. Në këto gjëndra ndodh një hemorragji e rëndë dhe vdekje indesh (nekrozë). Nga aty, sëmundja shpërndahet në mushkëri dhe në pjesën tjetër të trupit. Antraksi i frymëmarrjes është një sëmundje shumë serioze dhe, për fat të keq, shumica e njerëzve të infektuar vdesin edhe sikur të marrin antibiotikët e duhur. Kjo ndodh sepse antibiotikët janë efikasë për vrasjen e baktereve, por nuk shkatërrojnë helmet vdekjeprurëse që janë çliruar tashmë nga bakteria e antraksit.

Antraksi i zorrëve. Kjo është një formë e rrallë e antraksit që prek njerëzit që konsumojnë mishin e papjekur dhe të infektuar. Simptomat e kësaj forme antraksi përfshijnë marramendjen, humbjen e oreksit, diarrenë me gjak dhe dhimbjet në zonën e barkut. Bakteria prek muret e zorrëve, pastaj infeksioni shpërndahet në gjithë trupin nëpërmjet gjakut (septicemi), duke shpërndarë helmet vdekjeprurëse.

- Si bëhet diagnoza e antraksit?

- Historiku, përfshi këtu edhe profesionin e personit është i rëndësishëm. Bakteret mund të gjenden në lëkurën e infektuar dhe në grykë, si edhe në pështymën e personit të sëmurë. Radiografitë e gjoksit mund të tregojnë gjithashtu edhe ndryshime karakteristike brenda dhe në mes të mushkërive. Pasi antraksi është përhapur në trup, ai mund të shihet edhe në gjak me një mikroskop. Sigurisht, nëse antraksi shpërndahet me qëllim, manifestimet e sëmundjes mund të jenë të pazakonta. Në një sulm bioterrorist në SHBA, në vitin 2001, sporet e antraksit u shpërndanë nëpërmjet postës amerikane, bashkë me letrat, në formën e një pluhuri të bardhë. - Si trajtohet antraksi? - Në shumicën e rasteve, një trajtim i hershëm mund ta shërojë antraksin. Forma e lëkurës mund të trajtohet me antibiotikët e zakonshëm, si penicilinë, tetraciklinë, eritromicinë dhe ciproflaksinë. Forma e frymëmarrjes përbën një urgjencë mjekësore, terapia e hershme dhe e vazhdueshme nëpërmjet gjakut mund të shpëtojë jetën. Në një sulm bioterrorist, njerëzve të ekspozuar ndaj antraksit mund t’u jepen antibiotikë para se të sëmuren. Në rast se ka një rast antraksi, duhen paralajmëruar organet shëndetësore për të marrë masat e duhura.

- Si mund të parandalo- het antraksi?

- Organet e shëndetit publik duhet të marrin masa për parandalimin e kontaktit me kafshët e infektuara. Ekziston një vaksinë që mund t’u bëhet njerëzve që rrezikohen ( si veterinerët, laborantët, blegtorët, ata që punojnë në industrinë tekstile dhe që merren me leshin e kafshëve). Ndërkohë, po punohet për zbulimin e vaksinave më efikase. Për momentin, ato bëhen me injeksion nën lëkurë, por eksperimentet me kafshët janë premtuese për vaksina të marra nga goja. Sigurisht, pilulat merren më lehtë dhe ato mund të jenë më të sigurta dhe më efikase se injeksionet.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.