24 fenomenet më të bukura në Tokë

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Është e lehtë të humbasësh në rutinën e jetës së përditshme dhe të harrosh se ekziston një botë më e madhe, më e bukur, të cilën nuk e shohim zakonisht. Megjithatë, gjëra befasuese ndodhin çdo ditë, në disa raste edhe fare pranë nesh. Pra, le të bëjmë një shëtitje nëpër fenomenet më të pabesueshme që na ofron Toka jonë, të shpjeguara shkencërisht me pak fjalë.

1. Rrufetë vullkanike

Kjo është e vërtetë: vullkanet mund të shkaktojnë rrufe. Këto janë fenomene të vështira për t’u studiuar, por studiuesit kanë disa hipoteza se çfarë i shkakton ato. Një nga më të përhapurit është se gjatë një shpërthimi, hiri pëson një fërkim që krijon elektricitet statik, duke shkaktuar rrufenë.

2. Ylberi i zjarrtë

Këto “piktura” të mrekullueshme në qiell nuk kanë asnjë lidhje me zjarrin apo me shiun, siç kujtojnë disa. Ato shkaktohen shumë lart në qiell nga dielli, i cili reflektohet në disa re prej akulli. Shpeshtësia e vrojtimit të këtyre fenomeneve varet nga largësia që kemi nga polet.

3. Aureola

Ashtu si ylberet e zjarrta, aureolat shkaktohen kur krijohet një pozicion i caktuar i kristaleve të akullit shumë lart mbi sipërfaqen e Tokës, që e përthyejnë dritën e diellit në formën e një unaze të përkryer. I njëjti fenomen mund të ndodhë edhe me dritën e hënës, megjithëse aureolat e hënës zakonisht janë të bardha, ndërsa ato të diellit, mund të jenë me ngjyrat e ylberit, si kjo në figurë.

4. Tornado zjarri

Është pak a shumë e qartë se si një fenomen i tillë e ka marrë emrin e tij. Ai duket si një tornado, por është i përbërë nga zjarri. “Është si një kolonë flakësh që rrotullohet”. Kjo formohet kur era e rrotullon zjarrin duke krijuar një kolonë. Afro një herë në vit në SHBA shihet një kolonë e tillë zjarri, 300 metra e lartë. Shkulmet e erës mund ta përhapin zjarrin jo vetëm drejtpërdrejt, por edhe duke shpërndarë mbeturinat që digjen.

5. Shkëmbinjtë e akullit

Këta shkëmbinj akulli me majë, që i quajnë edhe “pendestarë” (nga mënyra se si rrinë), formohen në lartësi të mëdha, ku drita e diellit i kthen akujt drejt e në avull, në vend që t’i kthejë në ujë. Rrezet e diellit avullojnë akullin duke krijuar vrima të vogla në sipërfaqen e tij, pastaj sipërfaqja e palëmuar e drejton diellin nëpër këto gropa, larg majave, duke e theksuar edhe më shumë këtë fenomen. Këta shkëmbinj mund të arrijnë edhe lartësinë 5 metra.

6. Lavë si fole zogu

E di që jeni duke menduar se na janë ngatërruar imazhet në tru, se kjo në figurë është një fole zogu dhe nuk ka asnjë mundësi që të ketë dalë nga vullkani. Megjithatë, është e vërtetë, bëhet fjalë për vullkanin e malit Kilauea të Havait. Era mund të kapë pikla të vogla lave dhe t’i hapë ato duke i bërë si lesh xhami. Fijet mund të arrijnë gjatësinë deri në 2 metra. Në Havai ky fenomen quhet Pele, si perëndesha e vullkaneve, por ai është i njohur edhe në Norvegji, ku quhet Flokët e Shtrigës.

7. Kriporja e Ujunit

Kriporja e Ujanit në Bolivi është rrafshira më e madhe me kripë e botës (afro 10 000 km2) dhe vendi ku ndodhet gjysma e litiumit të planetit, një përbërës kyç ky për bateritë elektronike. Gjatë stinës së shirave, ky vend kthehet në një liqen shumë pasqyrues.

8. Gjinkallat periodike

Nëse jeton në Ohajo, në Virgjinian Perëndimore, ose në rrethinat e saj, mund të vësh re një mrekulli të botës së insekteve: Gjinkallat periodike. Këto gjinkalla kanë një cikël jete prej 13- 17 vjetësh. Sivjet dalin mbi tokë gjinkallat 17 vjeçare, të cilat kanë lindur më 1999-ën dhe i kanë kaluar gjithë këta vjet të varrosura nën tokë, duke thithur lëngun e rrënjëve të bimëve. Në fakt, këto janë insektet më jetëgjata të Amerikës së Veriut. Tani ato dalin mbi tokë, u këndojnë partnerëve të mundshëm, çiftëzohen, bëjnë vezë e vdesin dhe e gjitha kjo ndodh për një periudhë të shkurtër, vetëm disa javëshe. Fëmijët e tyre do të dalin mbi tokë në vitin 2033.

9. Kristalet e bismuthit

Bismuthi është një metal i ngjeshur, gri dhe me shumë shkëlqim, që gjendet në vende të tilla, si valvulat e sigurisë dhe piktura, por edhe në Pepto-Bismol (ilaç për stomakun). Nëse ju e shkrini (qoftë edhe në furrën tuaj) dhe pastaj e ftohni shumë ngadalë, bismuthi formon kristale kubike të ylberta.

10. Ujëvarat e përgjakura

Ujëvarat e përgjakura hasen në njërën prej zonave më të thata të Antraktidës, të ushqyera nga një liqen i nëndheshëm. Ky është i mbushur me baktere, të cilat shkencëtarët duan t’i studiojnë, sepse ato ushqehen me sulfate, në vend që të ushqehen me sheqer, si ne. Uji ka kaq shumë hekur sa ai ndryshket kur takon ajrin, duke i dhënë ujëvarës ngjyrën e kuqe karakteristike.

11. Trëndafili i shkretëtirës

Stingu nuk e ka shpikur nga mendja; trëndafili i shkretëtirës ekziston vërtet. Është një formë e veçantë e mineralit gips, që mund të zhvillohet në zona të thata, me rërë, që ka raste që përmbyten. Ndryshimi nga e thata në të njomë shkakton formimin e kristaleve të gipsit mes kokrrave të rërës, duke i kapur “në kurth” këto të fundit.

12. Shpërthimet gjigande

Ndërkohë që klima ndryshon, po zhvillohen fenomene të reja, por asnjë kaq shpërthyese sa këto. Nëse metani i ngrirë ngrohet në permafrostin (quhet sipërfaqja e tokës e ngrirë që nuk shkrin as dimër, as në verë) siberian, ai kthehet në një gaz, i cili grumbullohet dhe krijon një presion të tillë, sa toka shpërthen. Zhurmat e forta dhe vrimat e mëdha gjigande që shkaktohen nga ky shpërthim, u raportuan për herë të parë në vitin 2013. (vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.