Ishujt më të mirë në botë për 2016-ën

Intervista - - TURIZEM -

Lexuesve të revistës “Udhëtim&Pushime” iu kërkua të bënin një klasifikim të ishujve sipas atraksioneve të tyre natyrale dhe plazheve, ushqimit, mikpritjes dhe aktiviteteve që zhvillohen në to. Ndër to bien në sy plazhet e Filipineve, një nga destinacionet e preferuara të kohëve të fundit.... 10. Bali, Indonezi

Bali ka plazhe të bukura, sërf, zhytje dhe rezorte. Por, është atmosfera e përgjithshme dhe mikpritja e njerëzve që e bën këtë ishull indonezian kaq të pëlqyer. Shto këtu kulturën e pasur dhe të shumëllojshme dhe është e lehtë ta kuptosh pse bën pjesë në listë.

9. Kaua’i, Havai

Kaua’i është i përkryer për zhytje, not, vozitje ose sërf në dallgët e larta dhe në gjiret e tij ngjyrë blu. Shihni breshkat e detit, delfinët e egër dhe balenat, të cilët notojnë në horizontin pa limit të Paqësorit. Është një nga ato vende të cilat nuk do t’i lësh kurrë.

8. Hilton Hed, Karolina e Jugut, SHBA

Hilton Hed është një nga vendet më të mira të SHBA-së për të bërë golf. Ka me dhjetëra fusha golfi, shumë prej të cilave janë të përfshira në zonat residenciale private, të quajtura “plantacione”. Hilton Hed është një parajsë për adhuruesit e zogjve, sepse është pikë ndalimi në rrugën e tyre të migracionit. Aty ka rezervate natyrore dhe plazhe të gjera e të bardha për t’u eksploruar, pra, nuk është çudi që mbi 200 mijë njerëz e vizitojnë ishullin çdo verë.

7. Maui, Havai

Janë të pakta gjërat që Maui nuk i ofron dot: Sërfin e klasit të parë, balenat, zhytjen me tub e atë në thellësi dhe ngjitjen në mal, pa përmendur këtu kraterin e mrekullueshëm vullkanik, Haleakala dhe qetësinë e ishullit të vogël, Hana.

6. Cebu, Filipines Megjithëse është ishulli me dendësi më të lartë i Filipineve, Cebu është përsëri i mrekullueshëm. Atraksionet kryesore janë plazhet e tij të bardha dhe vendet spektakolare për zhytje, sidomos në bregun juperëndimor, në Moalboal. Ndërkohë, qyteti i Cebut është plot bare me gjallëri, restorante të mrekullueshme dhe mundësi për të shkuar nga njëri ishull në tjetrin.

5. Santorini, Greqi

Nuk është çudi që Santorini bën pjesë në këtë listë. Sido që të jetë, turizmi në të vazhdon të lulëzojë dhe ia vlen të durosh ngarkesën me turistë për të kundruar pamjet e mrekullueshme të ishullit. Me sitin e civilizimit minoan, Akrotirin dhe fshatin e bukur Ia në majë të kodrës në pjesën e vjetër të ishullit, nuk do të mërziteni kurrë. Nga ana tjetër, Santorini modern ju ofron kantinat e verës dhe restorantet e mrekullueshme, pa harruar këtu edhe plazhet plot ngjyra, sidomos në perëndim të diellit.

4. Uaiheke, Zelandë e Re

Jo larg nga Oklandi ndodhet ishulli i Uaihekes, në të cilin do të gjeni plazhe fantastike, restorante dhe afro 30 kava vere, sa do të ishte e pasjellshme të mos provoje një gotë ose dy. Për ata që duan aventurat, ka shëtitje me kajak, në mal, ose me litarë nëpër pemë.

3. Iskia, Itali

Iskia është e mbushur me kopshte të mrekullueshme, varreza të lashta dhe peizazhe spaktakolare, me pyje, vreshta dhe qytete të vogla piktoreske. Megjithatë, ajo tërheq vetëm një pjesë të udhëtarëve që shkojnë nga Napoli në Kapri në verë (ne mendojmë se plazhet janë më të mira në Iskia!). Edhe ushqimi është spektakolar, sidomos rukolinoja (vera e Iskias) dhe lepujt e fermave.

2. Borakai, Filipine

Nuk është hera e parë që Borakai del e dyta në lista të tilla. Ngado që ta shohësh, pamjet të duken si të një kartoline, përfshi edhe plazhin e tij 4 km të gjatë. Afër kasolleve të vogla janë ndërtuar prona shumëmilionëshe, prandaj tani është koha të futeni në veprim (dhe të provoni koktejin uang ueng), para se ishulli të bëhet shumë komercial.

1. Palavan, Filipine

Dhe fituesi është... Palavani! Vizitorët përshëndeten nga malet e rrethuara me ujërat gurkali, ndërkohë që anijet e mbytura dhe shkëmbinjtë nënujorë janë të përkryer për zhytjen në thellësi dhe me tub. Palavanin e përshkon edhe një lumë nënujor 8 km i gjatë, një nga mrekullitë natyrale të botës, kështu që mos e humbisni rastin të përshkoni me varkë shpellat e tij prej guri gëlqeror. Me një fjalë, është mrekullia vetë!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.