Dhimbja e saj nuk ka fund

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Përshëndetje gazetës “Intervista” dhe gjithë lexuesve të rregullt të kësaj gazete! Ajo që do t’ju rrëfej nuk më ka ndodhur mua, por një të afërmes time, e cila dëshiron të mbetet anonime, kështu që po përdor një pseudonim duke e quajtur Esli. Me pëlqimin e saj mora mundimin t’ju rrëfeja për jetën e saj… Jeta i ngjan një shfaqeje, ku shpesh, njerëz mjaft të këqinj zënë vendet më të mira. Drama e Eslit nis në martesë… Ende s’kishte mbushur dekadën e parë që ishte martuar dhe jeta i dha asaj një goditje të fortë: Bashkëshorti ndërroi jetë për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme. Humbja për familjen ishte e dyfishtë. Fëmijët humbën babanë e tyre, ndërsa Esli, burrin e saj. Ajo mbeti vejushë në një moshë të re, pa mbushur ende të tridhjetat dhe tashmë i duhej të përballej me sfidat e jetës, krejt e vetme, për të rritur fëmijët e saj jetimë. Me shumë punë dhe sakrifica ajo përpiqej sadopak t’u plotësonte ndonjë dëshirë fëmijëve të privuar nga shumë gjëra. Njerëzit kudo që e njihnin kishin një opinion të mirë për të, ndërsa fëmijët e konsidero- nin një nënë të mirë që donte të bënte shumë për fëmijët e saj, por mundësitë i kishte të pakta. Megjithëse të gjitha këto fjalë të mira i shkonin në vesh, ajo ndjehej e trishtuar. Esli, duke qenë grua, kishte nevoje të ndjehej si e tillë, të ndjehej e dëshiruar, kishte nevojë për mbështetje, për një fjalë të mirë, pasi vitet që kishte kaluar e vetmuar e kishin lodhur tej mase. E gjendur në këto kushte ajo u lidh me dikë, me shpresën se do të gjente sadopak mbështetje, si dhe për të ndarë me të sfidat që haste në jetë.

Fatkeqësisht, gjërat nuk shkuan ashtu siç Esli kishte parashikuar, pasi ajo u zhgënjye shumë shpejt prej tij. Ai nuk ishte tipi i saj dhe më shumë se me zemër vepronte në mënyrë mekanike edhe në marrëdhënie intime. Kështu, edhe me dikë pranë vetes, Esli përsëri ndihej e paplotësuar shpirtërisht dhe kjo gjendje për të zgjati një periudhë të mirë kohore. Esli është tepër e ndjeshme, e butë dhe si e tillë prekej shpejt. Nëntorin e vitit të kaluar, në mënyrë fare të rastësishme ajo u njoh me dikë tjetër nëpërmjet telefonit. Personi që sapo njohu kishte një zë të ëmbël, që e bëri Eslin për veten. Ata filluan të flisnin shpesh në telefon me njëri-tjetrin dhe ky person me mënyren e tij po i plotësonte Eslit atë boshllëk shpirtëror që nuk kishte mundur t’ia plotësonte ai që kishte pasur përkrah gjatë gjithë kësaj kohe.

Njeriu e në veçanti gruaja, nuk ka nevojë vetëm për kushte të mira dhe të ardhura materiale, por ka nevojë edhe që të ndjehet mirë shpirtërisht, ka nevojë për komunikim, ngrohtësi, i pëlqen ta ndjejë veten të dëshiruar. Ndaj edhe ekziston ajo shprehja që u drejtohet burrave të martuar: “Burra, bëni kujdes! Nëse s’jeni në gjendje të shuani zjarrin e gruas, mos u ankoni kur t’ju marrë flakë shtëpia”.

Edhe Esli nuk kishte faj që u lidh me një person tjetër, pasi zjarri i saj ishte ende i pashuar dhe ajo këtë njohje të re e kishte marrë me shumë pasion, pasi ai po e bënte ta ndjente veten mirë në shoqërinë e tij dhe që në hapat e para të kësaj dashurie të re, Esli kishte mbjellë një lule, duke e quajtur në mënyrë simbolike “lulja e dashurisë”.

Të gjitha këto veprime ajo i bënte se po ndjehej me të vërtetë një grua e dëshiruar dhe për t’i treguar atij se e donte shumë. Jeta dukej sikur po i buzëqeshte pak edhe Eslit pasi ajo po kalonte momente kënaqësie që s’i kish provuar kurrë më parë dhe kjo lumturi zgjati për muaj me radhë, por fatkeqësisht, nuk mundi të ishte e përjetshme. Thonë se “interesi është ai që nuk e lë pasionin të zhvillohet plotësisht”, ndaj sado që Esli ia kishte demonstruar shumë herë që e donte, duke i thënë edhe se do të kalonte në ekstrem nëse ai do të ndahej prej saj, pas muajsh që ai kishte kaluar me Eslin, i ishte krijuar përshtypja se ajo e donte vetëm për para. S’ishte aspak e vërtetë pasi ajo ende vuan pasojat e asaj dashurie. Duke i thënë këtë justifikim, dashuria e tij për Eslin filloj të zbehej, derisa një ditë ai njeri iku fare pa lënë gjurmë, pa patur guximin t’i tregonte arsyen e vërtetë se përse ishte larguar prej saj. Ndoshta ai të gjithë atë që përjetoi me Eslin mund ta konsiderojë thjesht një aventurë kalimtare, por për Eslin nuk ishte kështu. Ajo për hir të dashurisë që kishte për të i kishte kompozuar edhe një këngë, që shpesh ia këndonte me atë zërin e saj melodioz e të veçantë. Humbja e kësaj dashurie për të ishte pothuajse e njëjtë me humbjen e bashkëshortit vite më parë. Megjithëse kjo dashuri që nuk ishte reciproke nuk i rezistoi kohës, lulja, simboli i dashurisë së tyre vazhdon të rritet dhe sa herë që Eslit i duhet të kujdeset për të, i kujtohet ajo kohë kur gëzimi ndiqej nga lotët.

Jo shumë kohë më parë Eslit i vdiq edhe babai, të cilin e donte shumë. Kjo ishte për të një goditje tjetër që jeta i jepte pas shpine, pas gjithë atyre traumave që ka kaluar. Në këto momente që po ju përshkruaj dhimbjen e saj, pyes veten me të drejtë: “A do të marrë fund ndonjëherë drama e saj”?

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.