Ju rrëfej torturën që bëhet në Spitalin Psikiatrik në Elbasan

Intervista - - MËKATE -

(Vijon nga numri i kaluar)

Kur e kujtoj tani, më ngjethet mishi e më vjen për të qarë. Kushedi sa kam qarë pas praktikës! Sa na panë neve të veshur me përparëse të bardha, ata shtangën dhe mërmërisnin “eeee eee”, me atë zërin që të therte shpirtin. Ishin shtrirë në krevat dhe ne do t’u merrnim gjak me radhë.

Pasi shpjegoi pedagogia, ndërhyri një vajzë e përkedhelur: - O zyshe, a t’i marr gjak unë e para se kam për me ik, aman?! Si do ta shtyj unë një muaj këtu? Dhe se harrova, zyshe, ke të paguar një kafe te lokali përballë.

- Po, hajde, direkt! – ia ktheu pedagogia e cila u korruptua nga një kafe. Imagjinoni sa femër e ulët është!

Sa erdhi kjo studentja që nuk kishte qenë njëherë në mësim, por e mbaja mend vetëm nga makinat që ndërronte sa herë vinte në shkollë, tha: - Ku e ke damarin, moj lumëmadhe? - Të gjithë qeshën dhe ajo vazhdoi: - Boh, sa e shpifur qenka, korba! - tha dhe duke i mbyllur sytë, ia ngjeshi me shpejtësi agen, thithi gjakun edhe ia hoqi direkt, pa e fërkuar me alkool.

Menjëherë, erdhi batuta e disa djemve aty pranë: - Oj, Ilva, e dëgjove si klithi? Oh, na eksitoi! - dhe qeshën në grup.

Unë shtrëngova duart fort dhe mezi e përmbajta veten. Kur iku kjo vajza e parë, pedagogia i tha: - S’ka gjë, se e mëson nesër.

Më pas erdhi një djalë, i cili pasi i kërkoi shokut t’i bëjë një selfie, i futi edhe një batutë:

- Kush e di sa seksi ka qenë kur ka qenë e re!

Unë u demoralizova dhe u zbeha aq sa po bija në sy. Kjo tufë rinie e shthurur po më dukej si një tufë majmunësh në cirk. Pasi morën të gjitha kampionet e gjakut, mishi i të sëmurëve u bë copë. Pedagogia na futi në sallë e na shpjegoi leksionin, pasi supozohej të kishim kuptuar mënyrën e marrjes së gjakut për analiza. Pastaj ajo na çoi në një paradhomë ku ishte një legen i madh e i pisët e na tha t’i derdhnim aty të gjitha shiringat me gjak. Pasi i derdhëm, ato shkonin në tualet e përfundonin pa u për- dorur në vazhdim për studim ose analiza sepse shumë studentëve u vinte pështirë, por edhe pedagogia nuk kishte kohë. U terrorizova komplet. Takova pedagogen më vete dhe i thashë:

- A është normale kjo, që t’u marrësh gjithë atë gjak e pastaj ta derdhësh pa u bërë të paktën analizat?

- Ti, djaliiiii, nëse do ta mbarosh ndonjëherë këtë shkollë, mos bëj shumë pyetje! - më tha dhe m’i nguli sytë me inat për disa minuta.

Unë prapë e ktheva pllakën dhe e mora me të mirë se thashë me vete “një kundër rrymës nuk bën dot asgjë”. E mora me të mirë dhe i dhashë edhe një kafe që ta harronte atë që i thashë e të mos dyshonte tek unë. U ndjeva shumë keq sidomos kur më erdhi radha mua. Unë i trajtova me dashuri, me buzëqeshje, ia bëra me lehtë gjilpërën dhe monstrat e gjakut i ruajta për lëndët në vazhdim. Gjatë një muaji praktike nuk mora më shumë seç duhet gjak, pasi nuk doja që ata njerëz të vdisnin. Aq më shumë që e dija se spitali nuk do t’ua zëvendësonte ato me lëngje apo ushqim me mish. Ditën e parë të praktikës jam ndier shumë, shumëëëë keq. U ula te kafja përballë ku ishte një zonjë e vjetër që bënte byrekë. Më tha që t’i flisja hapur si djali i saj se çfarë kisha, pasi nuk dukesha mirë.

- Je sikur ke dalë nga varri, mor djalë! Më thuaj, ç’ke? Ishte hera e parë aty brenda? Fol me mua se të bën mirë…

Ajo, shitësja e byrekëve, ishte tamam si psikologe. Në ato momente, unë thjesht kisha nevojë të flisja me një njeri dhe ia shpjegova të gjitha se si gjaku që merrej aty brenda nga praktikantët shkonte dëm, se si praktikantët i trajtonin keq pacientët që nuk kishin asnjë mundësi mbrojtjeje dhe shfryva se kur do të bëhej ndonjëherë ky dreq vendi. Pasi ma vuri dorën në qafë, shitësja e vuajtur më tha:

- Më dëgjo mua, si më e madhe që jam. Ti qenke djalë flori, por nuk ke çfarë të bësh. Ky fenomen ka gjithë ato kohë e ti e sheh se si çdo gjë në Shqipëri është rrumpallë. Nuk kemi çfarë të bëjmë. Mua mu bënë 20 vjet që bëj byrek këtu dhe kam parë edhe më keq. Nga bisedat që bëjnë tek unë, edhe kanë shitur kampionet e gjakut nëpër bankat e spitaleve apo në mënyrë private. Por, ji krenar për veten dhe mes këtyre kafshëve ndihu njeri. Ishalla po ndryshojnë gjërat, por mos u tundo…

- Edhe këtë e paskan bërë?! - u habita unë. - Po çfarë dreqin u bëkërka këtu?!

- Shsht, pusho! - më tha. - Vetëm studio shumë që t’ua zësh vendin këtyre njerëzve të papërgjegjshëm e ta ndryshosh këtë gjë. Kjo është ndihma më e madhe që mund të japësh për momentin.

U ndieva mirë pas kësaj që më tha zonja me shumë eksperiencë dhe sikur u qetësova pak. Shkova edhe në shtëpi dhe fola me familjen. Ata më sugjeruan që të mos hiqja dorë, por të qëndroja në Shqipëri, pasi ky vend kishte nevojë për humanizëm. Dhe, kështu do të bëj. Ka ende shpresë, mendoj, edhe sikur të jetë vetëm një person. E di që edhe përmes historisë time ka shumë që do të më kuptojnë dhe do të sensibilizohen me mua. Unë, pasi e rrëfeva, ndihem i çliruar sadopak dhe do të mundohem me mënyrat e mia që sadopak t’i luftoj këto gjëra. Hapin e parë sapo e bëra dhe ishte ky, denoncimi publik. Në Shqipërinë e vogël të skandaleve të mëdha, le të mundohemi ta bëjmë punën tonë të pastër, sepse duke ndryshuar veten tonë, do të ndryshojmë të tjerët. Në atë spital çfarë nuk bëhej dhe çfarë nuk kam dëgjuar. Kam dëgjuar madje se kur shtrohen pacientët, vidhen nga infermierët që u kontrollojnë jastëkët e xhepat. Situata nuk është e tillë vetëm në Elbasan. Ata infermierë janë shokët e mi që unë nuk i pata kurrë shokë, por në fund të fundit janë nëj brez i tërë. Por, gjithçka në këtë jetë shlyhet dhe unë mezi po pres ditën kur të dal në punë. E di se do t’ju duket çmenduri, por dua ta ndryshoj botën duke filluar nga qyteti im… Me respekt, një stu

dent i penduar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.