U martovaa me të vetëm për inat të së dashurës...

Intervista - - MËKATE -

“Asnjëherë mos fillo një punë kur je me nxitim. Gjithë gjërat bëhen se duhen bërë, u vjen koha vetë”, ka qenë shprehja e preferuar e gjyshes time. E kam dëgjuar më qindra herë t’ia thoshte mamasë time kur e shihte mamanë që nxitonte të bënte gjithë punët njëherësh.

- Epo, ti mama je pensioniste e nuk të duhet të kapësh asnjë orar, prandaj e merr me aq qetësi, - thoshte mamaja ndërsa nxitonte.

- Po unë nuk kam lindur pensioniste, moj nuse, kam qenë e re dhe i kam bërë të tëra.

- Po në punë s’ke shkuar asnjëherë ama, gjithmonë ke qenë zonjë shtëpie dhe s’të ka kërkuar orar njeri, - përgjigjej zjarr mamaja. Ndërkohë, kishte bërë disa punë, kishte bërë dhe kafet e uleshin e pinin bashkë në të njëjtin cep të divanit. Gjyshja që bënte gjithmonë ose çorape leshi, ose shalle me grep e mamaja që pastronte qepën, qeronte patatet apo zarzavatet e tjera që do të ziente për darkë. Ndërsa gjyshi që lexonte gazetën e pinte kafenë u thoshte: “Shy- qyr që gratë e kanë kuptuar që deri këtu arrijnë”...

- E posi, nga gratë u ka ardhur e keqja juve burrave, - vijonte gjyshja.

Kështu i kalonin ditët gjyshërit kur nuk u duhej të mbanin radhë për të blerë fruta e zarzavate. Ndërsa babain tim e mbaj mend gjithmonë serioz, por jo të ashpër. Ai ishte personi që ishte apo s’ishte i lodhur kontrollonte me shumë kujdes detyrat e mësimet e mia. Me dy apo tri pyetje e merrte vesh nëse kisha mësuar apo jo. Kështu, u rritën dhe dy vëllezërit e motra ime.

Jeta jonë ka qenë e vështirë me dy rroga e një pension, ndërkohë që ne ishim gjashtë persona. Gjithsesi, në atë kohë të gjithë ishin ngushtë, po asnjë nuk ndihej sepse nuk e njihnim edhe më të mirën siç është sot.

Zakonisht, fëmijëve që janë të parët u bie të ndihmojnë prindërit për rritjen e fëmijëve të tjerë, por unë nuk pata nevojë. Këtë “detyrë” timen e bënë gjyshërit me shumë përkushtim. Kur u rrita dhe shkova në shkollë të mesme, jo vetëm që isha nxënës i mirë, por shyqyr Zotit isha edhe i bukur. Mamaja ime ka qenë natyrë e rregullt dhe shumë e pastër e kështu edhe pse me të njëjtat rroba kam shkëlqyer nga kryet e deri në fund të rrugës për në shkollë. Sigurisht që si adoleshent, edhe unë kisha preferencat e mia. Në pallatin që kisha mbrapa pallatit tim kisha dy vajza që më pëlqenin shumë. Nga njëra hoqa dorë shumë shpejt sepse ishte motra e një djali me të cilin luaja me të gjithë kohën. Tjetrën sigurisht nuk lija njeri që t’i afrohej apo ta ngamonte. Kështu kur komshija ime shkoi në vitin e dytë të gjimnazit fola me të për ndjenjat e mia, (sa ishte e vogël nuk mundesha).

- Z., ta bëjmë rrugën bashkë sot? - i thashë sapo ajo arriti te porta e shkollës teksa kishte mbaruar mësim.

- Epo, ne njëri para e tjetri mbrapa e bëjmë gjithmonë rrugën pothuajse bashkë, - tha Z., gjithë ojna. - Gjë e mirë kjo që e paske vënë re që unë jam gjithmonë pas teje. Po të shkon mendja pse të rri gjithë kohën mbrapa? - e pyeta ndërsa i shihja profilin e bukur.

- Epo, ti e ke klasën në katin e tretë të shkollës e unë në të dytin, kështu që unë dal para teje dhe jam para teje, - dhe qeshte taman si njeriu që të vë në lojë.

- E di që e paske menduar mirë, po sikur unë të të arrij çdo ditë, ti a do jesh dakord ta bësh rrugën me mua? - i thashë për ta kaluar përgjigjen e saj të hidhur.

- Po ne nuk mbarojmë gjithmonë njëkohësisht, si do më shoqërosh ti gjithmonë?

- Mua thjesht më duhet orari yt i mësimeve dhe është puna ime se si do të dal të bëj rrugën me ty?

- Po nëse ti do lësh orët e mësimit atëherë unë nuk dua të më shoqërosh, e kupton, ti je nxënës shumë i mirë dhe duhet të vazhdosh që të shkosh në shkollë apo do të mbytesh këtu e të punosh me turne në uzinë?

U habita nga serioziteti i bisedës së saj. E kisha menduar gjithmonë çupë të vogël, që e ka mendjen te kukullat, fustanet apo manikyret. Biskota ime ishte rritur me të vërtetë.

- Jo, Z., nuk e kam ndërmend të rri e të punoj në uzinë, por me ty dua të flas e të rri gjithë kohën.

- Atëherë nëse do të flasësh me mua, ti duhet të shkosh në universitet i pari e unë pas teje. Vetëm kështu mund të kemi ndonjë të ardhme. Po më ngacmove kështu rrugës e sigurt që unë s’do të jem në gjendje të lexoj asnjë rresht dhe përfundimi unë do mbetem pa shkollë se ti ia hodhe edhe një muaj, provimet e pastaj... valixhet e në universitet, - ndërsa po më shihte shumë serioze. - Mbeta pa fjalë për momentin dhe po e shihja për të kuptuar që kjo ishte një “jo” e saj apo një më prit edhe pak.

- S’po të kuptoj Z., nuk do që të shoqëroj unë, ke ndonjë tjetër në mendje? - i thashë gjithë nerva.

- O Zot, s’më paske dëgjuar asnjë fjalë nga ato që të thashë. Atëherë do të t’i përsëris, por tashmë me pika dhe kje mendjen te kjo që po them. - Dhe ia filloi: - Një, nuk kam asnjë në mendje, përveçse ty; dy, duhet të shkosh në universitet, unë nuk dua që burri im të jetë veç punëtor; tre, në këtë qytezë ku jetojmë ne nuk bëhet fjalë që të më takosh sa herë të duash, kështu që do më takosh kur të vi edhe unë në universitet dhe katër nëse do më flasësh çdo ditë do humbas mendjen pas fjalëve të tua dhe unë nuk do mundem të mësoj. Po tani a më kuptove?

- Mendoj se e kuptova. Të t’i përsëris ashtu siç i kuptova? - dhe pashë që kisha edhe pak rrugë për të folur... (Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.