A mund të bëj bashkim familjar me djalin invalid?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam një emigrant me banim në Torino, me leje afatgjatë qëndrimi dhe i punësuar me sigurime. Në Shqipëri kam një djalë 27 vjeç, i cili është i sëmurë në kushtet e invaliditetit të plotë dhe nuk ka kush të kujdeset për të. A ka mundësi të bëj bashkim familjar me djalin në kushtet që është?

- I nderuar letërshkrues, sipas legjislacionit të ri italian, mund të aplikohet për bashkim familjar me kategoritë e mëposhtme: Bashkëshorti, jo i ndarë ligjërisht dhe që nuk është nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, fëmijët e mitur, të bashkëshortit apo të lindur jashtë martese, të pamartuar, në kushtet që prindi tjetër ka dhënë pëlqimin e tij, fëmijët në moshë madhore në ngarkim, në qoftë se për arsye objektive nuk mund të sigurojnë nevojat e tyre thelbësore të jetës për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore (përfshihet invaliditeti i plotë), prindërit në ngarkim, në qoftë se ata nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes, prindërit mbi gjashtëdhjetë e pesë vjeç, nëse fëmijët e tjerë nuk janë në gjendje për t’i mbështetur ata, për arsye shëndetësore serioze, të dokumentuara.

- Nisur sa më lart, për ju është i mundshëm bashkimi familjar me djalin tuaj, duke patur në konsideratë edhe kërkesat dhe procedurat për bashkim familjar. Kërkesa paraqitet online përmes portalit të Ministrisë së Brendshme. Është e domosdoshme që i interesuari të regjistrohet në rubrikën e rezervuar ku duhet të përpilojë e të nisë online formularin S, “Richiesta di Nulla Osta per Ricongiungimento Familiare” (Kërkesë autorizimi për Bashkim Familjar), për të krijuar mundësinë për lëshimin e vizave hyrëse për këtë qëllim, për anëtarët e familjes nga ana e Konsullatës Italiane kompetente. Në formular shënohen para së gjithash të dhënat personale dhe ato të familjarëve që kërohet të sillen në Itali. Më pas duhet specifikuar puna dhe të ardhurat e kërkuesit, po të jetë nevoja, me ato të familjarëve të tjerë për të dëshmuar që ai është në gjendje të mbajë ekonomikisht ata që dëshiron të sjellë në Itali. Ky është vetëm hapi i parë. Më pas, i interesuari do të thirret në Sportelin Unik për Emigracionin të provincës së rezidencës për të paraqitur dokumentacionin origjinal (për shembull, mbi punën e të ardhurat). Pasi lëshohet nulla-osta për bashkimin, familjari mund të fillojë procedura në konsullatën përkatëse për të marrë vizën e hyrjes për të ardhur në Itali. Për të përfituar bashkimin familjar, është e nevojshme për të demonstruar vlefshmërinë e strehimit dhe të ardhura vjetore, që variojnë sipas numrin e anëtarëve të familjes. Në fillim të janarit, si çdo vit, INPS ka rivlerësuar shumën e Pagesën Sociale për vitin 2016, duke e çuar atë në 5.824,91 euro në vit që është minimum jetik për vitin 2016. Në rastin tuaj që bashkimi familjar kërkohet vetëm për 1 person, të ardhurat vjetore që kërkohen duhet të jenë jo më pak se 8.737,36 euro. Për hartimin dhe dorëzimin e kërkesës elektronike për bashkim familjar, është mundësia për të kërkuar asistencë dhe ndihmë pranë zyrave të Patronatit Inas (ndihma dhe asistenca ofrohet pa asnjë pagesë), i cili ka zyra në çdo zonë të Italisë, si dhe në Shqipëri e që në çdo kohë do të jetë i gatshëm për të asistuar dhe ndihmuar për procedurat që ndiqen. Për të gjitha tipologjitë e bashkimit familjar, janë të domosdoshme dokumentet e mëposhtme;

- formulari i kërkesës për vizë (duhet përdorur një formular për secilin aplikant për vizë, i plotësuar në secilën pjesë të tij dhe i firmosur. Në rastin e të miturve, formulari duhet firmosur nga të dy prindërit (ose kujdestari) pranë Kancelarisë Konsullore;

- pasaporta e vlefshme (skadenca e pasaportës duhet të jetë të paktën tre muaj pas mbarimit të afatit të vizës që kërkohet); - një fotokopje e pasaportës; - 2 fotografi të kohëve të fundit të formatit teser;

- certifikatë personale (vetëm nëse është kërkesa e parë për vizë, për të verifikuar përkatësinë territoriale të Kancelarisë Konsullore të Ambasadës së Tiranës);

- fotokopje e lejes së qëndrimit të vlefshme të qytetarit shqiptar me qëndrim të rregullt në Itali. Në rast se është e skaduar, duhen paraqitur 3 faturat e pagesës për kërkesën për rinovim;

- fotokopje e Autorizimit (Nulla Osta) lëshuar nga Sporteli i Vetëm për Emigracionin (SUI).

Për kërkesat për bashkim familjar me fëmijë të rritur në ngarkim, të cilët janë në kushtet e paaftësisë totale shëndetësore kërkohen edhe këto dokumente: a) certifikatë mjekësore lëshuar nga mjeku i besuar i Ambasadës; b) certifikatën e lindjes së djalit/ vajzës me foto; c) certifikatën e gjendjes familjare. Së fundi, duhet shënuar cila Konsullatë italiane në vendin e origjinës duhet të lëshojë vizën e hyrjes familjarit dhe të lihen kontakte ttë vlefshme për të marrë lajme lidhur me bashkimin familjar. Sporteli Unik që merr kërkesën, fillimisht merr vlerësimin e kuesturës që kontrollon mos ekzistojnë motive penguese për ardhjen e familjarit në territorin italian dhe, pasi merr vlerësim pozitiv, thërret personin që ka paraqitur kërkesën për dorëzimin e dokumenteve mbi strehimin e të ardhurat dhe për lëshimin e autorizimit (nullaosta). Pasi merret autorizimi nga Sporteli Unik, familjari në vendlindje shkon në konsullatën italiane për të kërkuar vizën e hyrjes dhe aty paraqet dokumentet mbi lidhjen e gjakut ose atë martesore me personin që jeton në Itali. Nga paraqitja e kërkesës deri në lëshimin e autorizimit apo hedhjen poshtë të kërkesës nga sipas ligjit, kalojnë deri në 180 ditë. Konsullata italiane në vendlindje ka vetëm 30 ditë kohë për të lëshuar apo mohuar vizën e hyrjes. Nëse Sporteli Unik apo Konsullata kërkojnë aktualizimin e praktikës, afati rifillon nga e para, nga dita e dorëzimit të dokumentacionit përkatës. Nëse Sporteli Unik nuk përgjigjet brenda afatit 180 ditësh, aplikuesi ka të drejtë të paraqesë ankesë me të cilën t’i kërkojë zyrës të marrë një vendim: të lëshojë autorizimin apo ta hedhë poshtë atë. Ju falënderoj për besimin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.