Ju pyesni mjeku përgjigjet Pse kam kaq shumë qime?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam 28 vjeçe, kam shumë qime në fytyrë, më duket vetja si burrë dhe i heq me piskatore. A ka efekte anësore nëse unë i heq ato përgjithmonë? Përse kanë shumë femra qime? Asnjë femër në familjen time s’i ka. Si e shpjegoni këtë fenomen? A hiqen?

Dr. Albana Lufi, Ph.D në Dermatologji: - Hirsutizmi është një gjendje klinike që karakterizohet nga prania e tepërt e qimeve te femrat, në ato zona të trupit ku normalisht nuk duhet të ketë qime, si në fytyrë, mbi buzën e sipërme, në mjekër, në gjoks, në vijën e barkut (sipër pubisit deri te kërthiza) etj. Hirsutizmi vjen ose si rezultat i rritjes së sasisë qarkulluese të androgjeneve (hormoneve mashkullore), ose nga rritja e ndjeshmërisë së folikulave të qimes ndaj niveleve normale të androgjeneve. Androgjenet janë hormone seksuale që prodhohen si nga vezoret, ashtu edhe nga gjëndrat adrenale te femrat dhe nga testikujt, te meshkujt.

- Shkaktarët e hirsutizmit janë disa: 1. Hirsutizmi hiperandrogjenik, i shkaktuar nga prodhimi në sasi të tepërt të hormoneve androgjene ose mashkullore (Sindroma e Vezoreve Policistike PCOS, tumoret ovariane apo adrenale) 2. Hirsutizmi i shkaktuar nga faktorët jo-androgjenikë, i cili nuk është i lidhur me veprimin e tepërt të hormoneve androgjene, por në përgjithësi shkaktohet nga medikamentet 3. Hirsutizmi idiopatik (pa shkak). Hirsutizmi idiopatik është një nga format më të hasura të hirsutizmit. Diagnostifikimi i hirsutizmit idiopatik bazohet në kriteret e mëposhtme: Prania e hirsutizmit, funksion ovu- lator normal, nivele normale të hormoneve androgjenike. Shumica e grave me hirsutizëm paraqiten me një formë të mesme apo të lehtë të mbiprodhimit të hormoneve androgjenike, por ndonjëherë, hirsutizmi është i shoqëruar edhe me çrregullime të tjera që shoqërojnë hiperandrogjenizmin si për shembull: alopecia androgjenike, acne vulgaris, çrregullime të menstruacioneve, infertilitet, seborrhea. Në pjesën më të madhe të rasteve, hirsutizmi konsiderohet si një problem kozmetik, por që shkakton stres, ankth dhe një shmangie sociale të femrave që e vuajnë atë. Por, përveç anës estetike të padëshirueshme, hirsutizmi mund të jetë një shenjë që tregon për një prishje të ekuilibrit hormonal apo që ndonjëherë tregon për praninë e një tumori në një nga gjëndrat që prodhojnë hormone. Femrat mesdhetare, ku bëjnë pjesë edhe greket, shqiptaret etj., karakterizohen nga një tendencë më e madhe për të zhvilluar hirsutizëm. Ekzaminimet laboratorike të hirsutizmit përjashtojnë mundësinë e çrregullimeve të brendshme. Pas konsultës me mjekun dermatolog, endokrinolog ose gjinekolog, përcaktohen ekzaminimet e nevojshme që duhet të bëjë pacientja përpara fillimit të trajtimit të hirsutizmit.

- Trajtimi i hirsutizmit varet nga shkaku përgjegjës që çon në shfaqjen e hirsutizmit. Hirsutizmi mund të përmirësohet si rezultat i metodave kozmetike dhe terapive hormonale. Zakonisht, mund të shikohet një përmirësim në shkallën e hirsutizmit pas 6 muajsh terapi hormonale, por në qoftë se përdoren njëkohësisht edhe metodat kozmetike, atëherë mund të vihet re një përmirësim më i shpejtë. Metodat mekanike për trajtimin e hirsutizmit janë: zbardhja e qi- meve, përdorimi i briskut, i dyllit, i piskatores etj. Largimi i qimeve me dyll si dhe shkulja e qimeve, mund të shkaktojnë folikulitis (infeksion të rrënjës së qimes). Përdorimi i briskut për heqjen e qimeve shkakton një dalje të shpejtë të qimeve të shkurtra e të ashpra. Metoda të tjera efikase që rezultojnë në depilimin e përhershëm të qimeve janë depilimi me elektrolizë dhe depilimi me lazer. Depilimi me lazer ose IPL realizon shkatërrimin termik të rënies së qimeve, pa shkaktuar ndonjë ndikim në indet përreth. Depilimi me dritë pulsante ose me lazer nuk arrin t’i eliminojë të gjitha qimet në një seancë, pasi çdo folikul i qimes ka një cikël të vetin të zhvillimit, të pavarur nga folikujt e qimeve të tjera. Pra, shkatërron vetëm qimet që ndodhen në fazën e rritjes (anagene) sepse në këtë fazë qimet kanë një sasi të bollshme të melaninës. Kjo është arsyeja përse nevojiten disa seanca për të patur efektin e dëshirueshëm.

- Depilimi i përhershëm i qimeve me elektrolizë, siguron depilimin 100 % të qimeve. Elektroliza është e vetmja procedurë e aprovuar nga FDAja (Food and Drug Administration) për depilimin e përhershëm të qimeve, pa shkaktuar efekte anësore në lëkurë. Energjia e krijuar nga lëvizja e shpejtë e elektroneve (kationeve dhe anioneve), shkatërron substancat ushqyese të qimes dhe bën shkatërrimin e saj përfundimtar. Nëse lazeri siguron deri në 70 % të reduktimit të qimeve në zonën që trajtohet, elektroliza realizon depilimin 100 % në zonën e trajtimit. Nëpërmjet kësaj metode mund të heqim jo vetëm qimet e zeza, por edhe qimet e bardha ose të kuqe, të cilat nuk mund të trajtohen me lazer. Gjithashtu, nëpërmjet elektrolizës mund të sigurojmë depilimin e zonës afër syve, si vetullat, ose në hapësirat midis dy vetullave, që nuk mund të realizohen me depilim me lazer. Gjithashtu, depilimin në zonën mbi buzën e sipërme ku lazeri vepron deri në masën 40 %. Për të arritur rezultatin përfundimtar nevojiten disa seanca, pasi çdo folikul i qimes ka ciklin e vet të zhvillimit, të pavarur nga folikujt e qimeve të tjera. Aparaturat e mëparshme të elektrolizës shkaktonin dhimbje, kurse aparaturat e teknologjisë së fundit të elektrolizës nuk shkaktojnë aspak dhimbje dhe efekte anësore. Një aparaturë e tillë e elektrolizës që ju siguron një depilim të përhershëm dhe pa dhimbje ndodhet dhe në klinikën Dermatologjike dhe Estetike Dermovita. Stafi i klinikës Dermovita i trajnuar për përdorimin e elektrolizës, do t’ju mundësojë depilimin e përhershëm të qimeve deri në masën 100 %.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.