Më kërkon seks me ngulm

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Ka një muaj që jam lidhur me një djalë 6 vjet më të madh. Me thënë të drejtën, u lidha se m’u duk i pjekur e i duruar, jo si këta të vegjlit, por ja që qenkam gabuar, më duket. Ai ka filluar të më kërkojë marrëdhënie seksuale, ndërkohë që unë nuk ndihem gati në këtë pikë. I kam thënë se kam nevojë ta njoh akoma më shumë, dua ta ndiej, pa ta hedh një hap të tillë. Këtë herë kisha nevojë ta njihja më shumë shpirtërisht e psikologjikisht, pa kaluar akoma në anën seksuale. Tani ai më bën një lloj presioni i cili më lë të kuptoj se, nëse nuk bëj marrëdhënie seksuale, mund të më lërë, pasi e kam vënë re që është më i ftohtë. Nuk di si të veproj. Më ka zhgënjyer pak, por kjo gjë më bën të dyshoj edhe te ndjenjat e tij. Unë e njoh prej një viti, por siç thashë, ka një muaj që jam lidhur me të. Ai është shprehur se më dashuron, por kushti i tij për seks më bën të mendoj të kundërtën. Kisha filluar ta mendoja si person të rëndësishëm në jetën time. Ju lutem, më thoni, si e shikoni ju këtë gjë si psikologe? Si të veproj unë?

Borana Marku, psikologe: - E dashur vajzë, kryerja e marrëdhënieve seksuale është një akt që kërkon përfshirjen e të dy partnerëve që duhen, si akt fizik e shpirtëror dhe me dëshirën e të dy partnerëve. Është një akt që kryhet me dëshirë nga të dyja palët dhe jo i imponuar. Një marrëdhënie e imponuar nuk do të ishte e drejtë. Në qoftë se ai ju do vërtet do të dijë t’ju presë, do të dijë t’ju bëjë për vete në atë mënyrë që ju ta pranoni dëshirën e tij për marrëdhënie, pa hezitim dhe pa u frikësuar. Ju keni të drejtë që ndiheni pak e zhgënjyer, sepse ai ka vepruar në një mënyrë jo të mirë ndaj jush. Është ftohur pasi keni refuzuar të bëni seks me të. E kuptojmë që meshkujt janë shumë më të ndjeshëm se ne femrat përsa u përket marrëdhënieve seksuale, e ndiejnë më shumë se ne nevojën për ta finalizuar marrëdhënien, ama nëse është i pjekur, ai duhet të dijë të presë. Një person që ju dashuron vërtet, siç shprehet edhe ai, nuk ka pse të ftohet sepse ju e refuzuat, sepse në fund të fundit, ju jeni me të, i keni treguar se ndieni për të, përderisa jeni lidhur.

- Do t’ju këshilloja që të flisni hapur me të. Nëse është me të vërtetë i rëndësishëm për ju dhe nuk doni ta humbisni, flisni me të për këtë temë, si ndiheni, çfarë ju pengon, sa i rëndësishëm është ai për ju, etj. Në këtë mënyrë, do të gjeni gjuhën e kompromisit, duke respektuar nevojat dhe ndjenjat e gjithsecilit. Nëse ai vërtet ju dashuron, siç ka thënë, do të dijë të presë. Ose e kundërta, nuk do të largohej në atë mënyrë, por do të tregohej aq i zgjuar sa t’ju bënte për vete. Por, ai qenka pak egoist dhe i ashpër ndaj jush. Unë do t’ju thoja të mos bëni asgjë pa e ndier edhe ju vetë. Marrëdhënia seksuale është një hap i rëndësishëm për një çift, duhet ta ndiesh nëse do ta shijosh vërtet dhe të kesh një marrëdhënie të shëndetshme.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.