Zoti bëri mrekulli për besimtarët...

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(Vijon nga java e kaluar)

- More, lum miku në shtëpinë time gjithmonë janë festuar të gjitha festat qysh me krishtlindjen, kreshmët, Pashkët, të martat e Shna Ndoit e të gjitha, siç i kemi festuar dikur, - tha gjyshi dhe priti përgjigjen.

- Po si s’më keni thënë asnjëherë? Më paske borxh ti edhe jot bijë, kjo nusja e djalit tim. Ajo e di që unë besoj dhe kur jam në shtëpi veç me fëmijët e mi flas për besimin në Zot. Kjo e reja ime më ka parë që kur kanë lindur të dy fëijët e saj unë u kam bërë kryqin në ballë kur më kanë ardhur në shtëpi, - dhe dukej sikur po i merrej fryma.

- Epo na ka hyrë frika në palcë, -ishte përgjigjur gjyshi.

- Po si i llogarisni që ta di dhe mos t’ju bezdis, - kish pyetur Gj. K.

- Ato i llogarit kjo plaka ime me gruen e vëllait tim. D.-ja di të shohë Hënën e sipas ndryshimit të Hënës ato llogarisin të gjitha festat, - e kishte sqaruar gjyshi.

- Epo atëherë duhet të mi sqarojnë e t’i mësoj edhe unë. -Ja sa të vijnë nga puna në arë e po u them që të të tregojnë.

Kur gjyshja ime me të kunatën ishin kthyer nga puna vjehrri i tezes u kishte thënë:

- Darka më e mirë për mua do të ishte të mësoj të bëj ato llogaritë, mos harxhoni kohën duke gatuar. Peshku e miku qelben nga koka e unë duhet të dal nesër sa të zbardhë drita.

Megjithëse dy kunatat ia shpjeguan ai nuk i fiksoi kështu ato llogaritë i bënin e ia tregonin tezes sa herë që shkonte në të pame.

- Ishte edhe qarri im se shkoja më shpesh te nana ime, - thoshte tezja. Kur erdhi pranvera e do të fillonin të martet e Shna Ndoi vjehrri i tezes time e kishte bërë listën me njerëz të besuar që do t’i çonte në kishë. Dhe kështu ai për katër vite rresht ka shoqëruar me dhjetëra njerëz të afërm të tij në Kishë. Niseshin natën e arrinin në shtëpinë e tij pa zbardhur akoma dita. Në një nga këto rrugë Gj.K., Pranoi që të merrnin edhe fëmijët me vete. Sigurisht rreziku ishte më i madh se fëmijët mund të qanin dhe çdo gjë e merrte lumi. Kushëriri i mamasë time kishte një vajzë të sëmurë. Sa ishte bebe kishte kaluar mil- ingjitin nga temperatura e lartë dhe prindërit e saj e shihnin shpëtimin vetëm te kisha. Atëherë Gj. K., pranoi kur tezja i tha se ç’hall kishte D. L., me vajzën e tij katër vjeçare.

- Epo një fëmijë që nuk ecën, nuk flet, nuk dëgjon në moshën pesë vjeçare duhet ndihmuar. Po ky fëmijë përderisa nuk flet a dëgjon? - pyeti ai.

- Mjekët thonë që dëgjon, po vajza nuk e kthen kokën po t’i thërrasë njeri, - i ishte treguar tezja.

-Epo mirë, dy të martet e fundit të Shna Ndoit dhe natën e Shna Ndoit thuaji kushëririt tënd të vijë. Por tek ne mund të vijë vetëm një herë si mik, se po erdhi tre javë rresht do kuptohet, - i kujtua dhe me shumë turp kishte shtuar: -Si t’i them unë mikut që mos hajde? - dhe shihte sa me keqardhje e sa i mendueshëm tezen. -Po ato të vijnë vetëm një natë këtu te ne, caktoni vendin dhe orën se ku do takoheni dy herët e tjera dhe ai e di arsyen se pse nuk i presim dot në shpi.

Dhe kështu GJ., ishte miqësuar atë natë në shtëpinë e tij me vajzën që ajo të mos trembej nga ai vetë dhe në orën dymbëdhjetë të natës ishin nisur. Rruga për te kisha ishte e gjatë dhe e gjitha ishte malore kështu që duheshin ndihmuar prindërit e saj për të

Rruga e parë u kishte shkuar shumë mirë.

Javën tjetër ata ishin takuar në vendin ku e kishin lënë dhe ishin nisur. Për belanë e tyre një nga fshatërt që kishtë shtëpinë andej kishte hasur në rrugë tek ato.

-A u lodhët o Gj. K., - i kishte thënë ai. -Jo fort, faleminderit, po ti o mik a u lodhe? -ishte përgjigjur vjehrri i tezes. -Po nga pak për besë u lodha. Po ça ka ndodh që je tu ardh kësaj ane natën?

Vjehrri i tezes i zënë si në çark e kuptoi se mundësia e vetme për të shpëtuar veten dhe ato që shoqëronte ishte të tregonte të vërtetën.

-Po ndonjëherë njerëzit kanë halle shumë. E nji hall i madh i ka zan këta dy prind, kërkuen ndihmë në spital këtu e në Tiranë po prap nuk gjetën derman. Vajza pesë vjeçe nuk u flet, e nuk ec, e tash ti mundesh me na than a ta vazhdojmë kët rrugë e të kthehena shnosh e mirë, apo të hidhena në naj humnerë se në dorë të disave nuk du me ra.

-A e din ç’ka i ka ba vaki vllaut tim o lum miku. Meqë ti mu drejtove me “mik” o Gj. K., edhe unë mik po të quj e po të tregoj. A e man mend djalin që e tallnin te gjithë se fliste gjysma gjysma?

-Po tash po më kujtohet, - u përgjigj Gj. K. -Atëherë vllau im që nuk gjet derman në spital shkoi e fjeti me djalin te gurt te shpella natën e Shna Ndoit para pesë vitesh. E të nesërmen djali foli si gjithë të tjerët. Kshtu që më mbetet veç me të than Zoti ta priftë mar. Edhe nji menim tjetër, ma mirë do ishte me ardh të hanën tjetër e me fjet aty dytri orë.

-Prej teje faleminers që je t’u na fal udhën po ma mirë me u nda që mos të na dëgjojnë qent e katundit. Kështu secili vazhdoi rrugën e tij. Gj.K., shkoi jo vetëm atë natë në Kishë me prindërit e vajzës së sëmurë por ndoqi edhe këshillën e mikut që takuan rrugës.

Të martën tjetër ata fjetën afër te gurt e shpellës ku u kishin thënë. Mrekullia kishte ndodhur sërish. Vajza e sëmurë pas një jave filloi të ngrihej në këmbë, ecte po ta merrje vetëm me njërën dorë, ndërkohë që deri atë kohë ajo e kishin ngritur vetëm në krahë, kishte thirrur nanë e babë.

Prindërit e vajzës u nisën me i dhan peshqesh vjehrrit të tezes dhe ai kishte thënë:

-Boll në hall e i vobektë jam unë, por M.D., vllau i atij mikut që takum para tri javësh rrugës ash ma në hall se unë. Ka babën plak të verbër në shpi, ka nanën që s’lun vendit se nuk lun kamt prej pleqnisë e ka tetë kalamaj. Kështuqë nëse doni me më respektu shkojmë bashkë e ia çojmë atij, zene se e ke lan në Kishë.

-Po si t’më thush ti, - tha babai i vajzës. Ata u nisën atë ditë e shkuan sa ishte ditë te familja e M.D., ku rastësisht gjetën dhe vëllain e tij që kishte ardhur për të takuar prindërit.

Pas përshëndetjeve, vjehrri i tezes i kishte thënë se si u ishte pri e mara dhe ia dinte atij për nder që si kishte spiunu dhe se vajza ishte shumë ma mirë se ç’kishte qenë më përpara. Kështu që kishin mendu me i dhan diçka vëllait të tij.

-Prej jush faleminderit. Peshqeshin e pranon dhe e do edhe mbreti, por unë e kam ba vetëm se e di që atje kena gjet vetë derman gjithmonë e meqë s’mundem me i ndi- hmu ndryshe njerzit të paktën mos me u ba keq. Nuk kam ba asnjë gjë tu mendu shpërblimin.

-Për mu e rëndësishme është që vajza ime është më mirë, - kishte thënë kushëriri i tezes, - dhe të jesh i sigurt që e kam nis më gjithë shpirt. Tani që mos të biem në sy për keq për kët vizit se unë nuk jam rrethi juaj miqësor po çohena tu të falenderu prap. Qofsh i nderum gjithë jetën.

Ky babai i vajzës pas shumë vitesh dëgjoi që vjehrri i tezes ashtu edhe miku i tij kishin vdekur, por pa vuajtje edhe pse në moshë. Të dy kishin vdekur nga infartkti. Kjo ndodhi vetëm pse ata kanë bërë sevap, se në ato kohë të vështira kanë ndihmuar njerëzit që nuk kishin asnjë shpresë dhe besimi në Zot i ka mbajt të fortë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.