U martova me të vetëm për inat të së dashurës...

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(Vijon nga java e kaluar)

- Mendoj se e kuptova. Të t’i përsëris ashtu siç i kuptova? - dhe pashë që kisha edhe pak rrugë për të folur...

- Sigurisht, t’i përsëritësh ashtu sikurse unë. - Atëherë edhe unë po t’i them me pika; një, unë jam tipi i djalit që ty të pëlqen dhe dy, që mua s’më pëlqen fare është se me ty do të takohem vetëm pas dy vitesh, se ti do edhe dy vite të mbarosh shkollën e mesme. Isha i saktë?

- Ishe shumë i saktë. Të garantoj që dy vitet kalojnë shumë shpejt, por nuk di nëse do të kesh të njëjtin mendim edhe pas dy vitesh, - tha dhe në atë moment fytyra iu bë shumë melankolike.

- Atë do ta shohim, koha do ta vërtetojë, - i thashë gjithë qejf. Ndërkohë kishim arritur te shkalla e pallatit të saj. - Të lutem do më lësh vetëm të marr pak aromë nga qafa jote ta kem gjatë pritjes? - i thashë kur ajo sapo ishte ngjitur në shkallën e parë.

Z., u përkul, më puthi në faqe dhe ktheu shpinën e filloi të ngjiste shkallët. Kur arriti në shkallën e fundit, u kthye të më shihte. Unë kisha vënë dorën aty ku më kishte puthur dhe kisha ngrirë. Ajo qeshi dhe pastaj ne çdo ditë përshëndeteshim rrugës, sigurisht, pak më ndryshe se më parë.

Unë shkova në universitet dhe asnjë vajzë tjetër nuk më hyri në sy, edhe pse kam patur shumë shoqëri. Pas dy vitesh, kur Z.- ja mori përgjigjen se kishte fituar konkursin, më foli sapo më pa para pallatit:

- Përshëndetje student, si e keni zakon ju, i mbani premtimet apo i harroni? - më tha. - Sipas rastit, nëse edhe pala tjetër i mban premtimet atëherë ne studentët sigurisht që i mbajmë, - i thashë në kulmin e lumturisë se e kuptova që ajo kishte fituar konkursin. - Mendoj se na ndajnë vetëm dy javë nga takimi ynë i shumëpritur? - i thashë. - Po, vetëm dy javë na ndajnë, po unë s’do të di të të gjej, ti do të mundesh të më gjesh? - tha Z. - Mileti kanë gjetur Stambollin duke pyetur e unë s’po të gjej ty, - i thashë ndërkohë që pashë babain e saj dhe i thashë urime e u largova.

Filloi shkolla dhe unë shkova e prita qysh ditën e parë para fakultetit. E pashë kur doli dhe dallova edhe lumturinë e saj kur më pa. Ne u lidhëm dhe kaluam shumë mirë bashkë jo vetëm dy vitet që unë isha në shkollë, por edhe një vit e gjysëm që ajo do vazhdonte mbas meje. Ndërkohë që unë isha kthyer në qytezën time dhe kisha filluar punë me Z., takoheshim në Tiranë. Dy muaj para se ajo të mbaronte shkollën kur unë shkova për ta takuar e gjeta në oborrin e shkollës që fliste me një djalë. Fliste e qeshte me të shumë lirshëm, bënte shaka. Bile ai djali për një moment i hodhi krahur në qafë. E pashë që Z., u largua menjëherë po ishte e kotë. Mua më kishte hipur gjaku në kokë. U afrova dhe i thirra. Ajo erdhi drejt meje e mu hodh në qafë si gjithmonë, por unë se përqafova dot.

- Çfarë ke, ka ndodhur gjë, - më tha sapo pa fytyrën time. Ndërkohë ai tjetri po na shikonte gjithë habi.

- Në fakt je ti ajo që duhet të më shpjegosh, - i thashë. - Kush është ky djalë që flet e qesh me ty e të hedh edhe krahun në qafë? - i thashë direkt edhe pse ai tjetri na dëgjonte.

- Të lutem, është vetëm një shok kursi nuk kam asnjë lidhje, - më tha ndërsa në sy i lexova tmerrin. Me siguri fytyra ime shprehte gjithçka. - Shoku, përshëndetje! - tha ai tjetri. - Jam A., jam në një kurs me Z., Të dëgjova ti thuash që i hodha krahun në qafë. Mendoj që duhet të të kërkoj falje. Ne të gjithë e dimë që Z., është e dashura jote qysh kur ju keni qenë në shkollë të mesme, dhe sinqerisht nuk ka asgjë për të cilën ti të dyshosh. Je djalë me fat, - tha dhe na përshëndeti e iku.

Nuk po më shihnin më sytë. E mora Z., për krahu e shkova në kafe me të. Ndenja në kafe deri në darkë me të dhe jo vetëm që nuk u qetëso- va, por prisha çdo gjë të bukur që kisha jetuar me atë vajzë. Atë natë kur e përcolla për te konvikti i thashë që lidhja jonë mori fund. Sapo e nxora atë fjalë u pendova por kjo krenaria idiote mashkullore nuk më la të kthehesha prap te ajo vajzë. Të nesërmen u ktheva në shtëpi dhe prindërit e morën me mend që kisha patur “probleme dashuriçkash” si i thotë mamaja ime dhe më gjetën një vajzë tjetër. Unë u fejova pas dy muajsh. Kur Z., u kthye nga shkolla më gjeti të fejuar. Kur e pashë në rrugë herën e parë mezi e njoha ngaqë ishte dobësuar shumë. Z., u nis të më fliste, unë bëra sikur do kaloja nga ana tjetër e nuk i fola. Por, kur e pashë pas një muaji ajo ishte përgjysmuar. Sigurisht e kishte marrë vesh se isha fejuar. Ajo erdhi me shpresën se do të pajtoheshim, por unë e kisha hedhur i pari hapin e gabuar. Z., sot është martuar dhe e shoh sa herë vjen tek prindërit e saj. E ruaj ballkonin e saj që mos të më ikë asnjëherë pa e parë. Ka një djalë që është kopja e saj.

Unë u martova dhe kam një grua të mrekullueshme, por unë rri me të për hir të fëmijëve. Ajo nuk e meriton po dashuria nuk vjen me zor. Përpiqem të paktën të mos e mërzis me çikërrima atë dhe fëmijët, se unë lumturinë time e hodha tutje vetë nga një xhelozi idiote. N.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.