24 fenomenet më të bukura në Tokë

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

(vijon nga numri i kaluar)

13. Ekualipti ylber

Ky ekualipt haset në Filipine dhe Indonezi dhe njihet edhe me emrin “goma ylber”. Ai mbase është pema me më shumë ngjyra në botë. Lëvorja e tij është ngjyra- ngjyra dhe rripet pjesë- pjesë duke shfaqur ngjyra të tjera. Lëvorja e re është jeshile e ndezur sepse përmban klorofil ( që zakonisht gjendet në gjethe), pastaj kthehet në ngjyrë vjollcë, pastaj në të kuqe dhe më pas kafe kur vjetërohet, humbet klorofilin dhe krijon taninën ( që gjendet zakonisht në verë). Për ironi të fatit, sasi të mëdha të drurit të kësaj peme përdoren çdo vit për të prodhuar letër të bardhë.

14. Syri i Saharasë

Syri i Saharasë, i njohur edhe me emrin “Struktura Richtat” ndodhet në Mauritani. Shkencëtarët ende po përpiqen të konfirmojnë mënyrën se ai është formuar, por ata mendojnë se janë mbeturinat e gërryera të një shkëmbi gjigand. Nëse kjo është e vërtetë, është formuar në fillim kur magma ka shtyrë lart sipërfaqen e tokës, duke krijuar një gungë, si një puçërr. ] do rreth i unazës është krijuar nga tipet e ndryshme të shkëmbit që është gërryer me shpejtësi të ndryshme. Ky është një sinjal që “gati kanë arritur në shtëpi” për astronautët që ulen në Floridë. Në fakt astronautët e kanë vënë re të parët, sepse është e vështirë ta njohësh këtë formacion kur ecën mbi të.

15. Liqeni i kuq Natron

Liqeni Natron në Tanzani mund të arrijë temperaturën 60 gradë celsius dhe, falë vullkanit që ndodhet pranë, uji i tij bëhet aq alkalin sa edhe amoniaku. Kjo do të thotë se ky liqen është pothuajse i pabanueshëm, me përjashtim të një peshku veçanërisht rezistent, mikrobeve që e bëjnë të duket i kuq dhe disa flamingove. Këta zogj e përdorin liqenin si vend riprodhimi, jo sepse koordinohen me ngjyrën e tyre, por sepse nuk ka shumë grabitqarë rreth e rrotull për të ngrënë të vegjlit. Kafshët që ngordhin në liqen vishen me sodë buke dhe kimikate të ngjashme me të, sa duken sikur janë kthyer në gur.

16. Kolonat e ujit

Kolonat e ujit ngjajnë si tornado prej uji, por ato nuk formohen vetëm gjatë stuhive, por edhe në oqeanin e hapur dhe të qetë- kulla të larta rrotulluese që shkojnë nga sipërfaqja e ujit në qiell. Ato hasen më shumë në Floridë, por janë vënë re në Liqenet e Mëdha (në kufirin mes SHBA- së dhe Kanadasë).

17. Pylli me pemët e klonuara

Duket si një pyll i vërtetë, apo jo? Të shëtisësh mes pemëve. Gabim, bëhet fjalë për një pemë të vetme, të klonuar. Nën tokë, një rrjet i dendur rrënjësh lidh gjithë filizët mbi tokë me njëritjetrin. Quhet plepi drithërues për shkak të gjetheve të tij që dridhen dhe zakonisht rritet në grupe pemësh të një kloni identik, megjithëse ka raste të veçanta që riprodhohet edhe me pistil. Ky pyll, i quajtur Pando, është një nga organizmat e gjalla më të vjetra dhe më të mëdha në botë, megjithëse pema origjinale ka kohë që është zhdukur.

18. Liqeni Marakaibo

Në liqenin Marakaibo, Venezuelë, bien më shumë rrufe se kudo tjetër në tokë. Në fakt në të bien rrufe 300 ditë në vit, sipas një studimi të fundit të NASA-s. Këtu bien kaq shumë rrufe, sepse era e ftohtë e malit dhe ajri i ngrohtë, i lagësht përplasen mbi liqen, duke krijuar elektricitet.

19. Ujëvarat e flakës së përjetshme

Në veri të SHBA-së, afër kufirit me Kanadanë, ka një ujëvarë të vogël që fsheh brenda një surprizë të madhe: Një flakë afro 20 cm të lartë. Pas ujëvarës ndodhet një dalje gazi që ushqen flakën. Ai është i mbrojtur nga ujëvara aq sa të qëndrojë i ndezur, megjithëse alpinistët e rindezin nëse e shohin që është shuar ( për hir të vërtetës duhet thënë se kjo nuk është 100% natyrale, megjithatë është një fenomen fantastik). Këto dalje gazi janë në fakt të zakonshme, por ky është më interesant dhe më i ri se të tjerët dhe shumë fotozhenik.

20. Liqeni me pika

Liqeni me Pika i Kanadasë ( ndryshe quhet edhe liqeni Kliluk) është i njohur se në verë ai bihet gjithë pika-pika. Kjo ndodh sepse uji i liqenit avullon çdo verë dhe lë pas njolla të mëdha, me ngjyra, për shkak të mineraleve të shumta që përmban. Një provë tjetër që Liqeni me Pika është i një bote tjetër: Shkencëtarët po e përdorin si model për të parë se si mund të kenë funksionuar liqenet e lashtë të Marsit.

21. Dhitë në pemë

Dhitë marokene kanë mësuar të hipin në pemë, për të shijuar më mirë frutat e arganit. Fermerët lokalë i duan kaq shumë dhitë (dhe frutat e arganit, të cilët i përdorin për vaj), sa ata kanë sjellë më shumë dhi për t’i shijuar ato.

22. Rete e sedefta

Retë e sedefta zakonisht vihen re afër poleve dhe formohen shumë lart në atmosferë (dy herë më lart se lartësia që fluturojnë aeroplanët), ku ajri është veçanërisht i ftohtë dhe i thatë. Shkëlqimi plot ngjyra vjen ngaqë dielli perëndon më ulët sesa retë dhe kështu këto të fundit pasqyrojnë rrezet e tij drejt Tokës. Për fat të keq, megjithëse janë të bukura, retë e sedefta gjithashtu shkatërrojnë ozonin, përbërësin që na mbron nga rrezet më të rrezikshme të diellit.

23. Plazhi me rërë jeshile

Mbase ky nuk është plazhi tipik që ju vjen në mend kur ëndërroni për plazhet tropikale. Papakolea, i njohur edhe si Plazhi me Rërë Jeshile, është një nga dy plazhet e vetme në botë me këtë lloj rëre. Ngjyra vjen nga shkëmbi me përbërje silikati magnezi dhe hekuri që është formuar gjatë shpërthimit të vullkanit aty afër.

24. Dielli i zi

Një gargull i vetëm nuk përbën ndonjë pamje kush e di se çfarë, por vini së bashku qindra dhe mijëra nga këta zogj dhe do të krijohet një kërcim fantastik, i njohur zyrtarisht me emrin mërmërima dhe me nofkën “dielli i zi”. Tufat e zogjve mund të shihen në SHBA dhe Europë, sidomos në Angli, megjithëse popullsia e këtyre zogjve në këtë vend është vetëm një e treta e asaj që ka qenë 40 vjet më parë. Koreografia e ndërlikuar përbëhet në fakt vetëm nga disa rregulla të thjeshta, si ajo të ndjekësh fqinjin tënd.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.