Nxorra gjyshen jashtë për të shpëtuar njerkën

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

E nderuar redaksi! Të nderuar lexues. E di që do më paragjykoni e ndofta nuk do më besoni, por e gjitha çka do ju tregoj është e vërtetë. Zanafilla e urrejtjes time është e hershme, para se unë të lindja...

Mamaja ime është lindur e rritur në një fshat në veri të Shqipërisë në një shtëpi të madhe më shumë vëllezër. Njëri nga dajat e mi u martua me një vajzë nga Shqipëria e mesme, të cilën e njohu në shkollë. Ajo ishte vajzë shumë e mirë dhe kishte familje të rregullt.

Pasi nusja erdhi në shtëpinë e dajave të mi, asaj i kishte pëlqyer mamaja ime dhe kishte vendosur të hynte shkuesi për djalin e tezes së saj. Gjyshi me gjyshen nuk u menduan shumë kur nusja e djalit u tha për shkuesinë që kishte menduar. Ata e kishin me shumë sy të mirë atë. Pastaj ata mendoni se i njihnin pak a shumë si rreth miqësie. Dhe kështu shkuesia u bë, dhe mamaja ime u fejua me babin tim... Tre muaj pas fejese, sapo erdhi vera prindërit e mi u martuan.

Babai im kishte filluar punë në qytet qysh kur ishte i fejuar e rrinte me shpresën se pasi të martohej do merrte gruan e do jetonin në Durrës. Po, sapo u martuan filloi sherri me gjyshen time. Dua të theksoj se gjyshi nga babai është një burrë i urtë e i mençëm si pleqtë e motit. Mund t’i kërkosh mendim edhe sot që ai është tetëdhjetë e pesë vjeç dhe mendimi i tij zë vend. Por gjyshja është e kundërta, mos ta sjelltë Zoti në fshat një njeri të tillë e jo më ta kesh në shtëpi thonë nga anët tona.

-Nusen e dua në shtëpi, ne s’e morëm që ta shohë Durrësi, - i thoshte ajo babait.

- Po unë nusen e kam marrë për vete, moj nëna ime, e jo për fshatin, apo për Durrësin, po, nejse, deri sa t’i gjej një punë, le të rrijë këtu me ju, - kishte gjetur zgjidhjen më lehtë babi im.

Kështu babai vinte një herë në javë në shtëpi që takohej me time më, lahej e ndërrohej e të hënën në pikë të mëngjesit në punë. Kësh- tu ime më mbeti shtatzanë qysh muajin e dytë të martesës. Kur ajo ishte tre muajshe shtatzënë e mori vesh gjyshja se filloi t’i dukej barku mamasë. Të shtunën kur kishte ardhur babai në shtëpi gjyshja i kishte vënë kujën:

-Ç’ke bërë, nusja është shtatzanë? Si do dal në fshat unë kur nusja është shtatzanë? – kishte thënë gjyshja në sy të gjyshit e të dy djemve të tjerë.

-Po mirë moj nanë, po unë e di që fëmija është i imi, pse ke ndonjë dyshim ti, - ishte përgjigjur babai im.

-Jo, more, po nusja duhet të nuserojë ca kohë pastaj të pjellë fëmijë, - ishte përgjigjur gjyshja.

-E para, nusja ime nuk do pjellë, por do lindë, se ai fëmijë është i imi e nuk është kafshë që ti të thuash do pjellë, - i kishte thënë babai dhe e kishte lënë muhabetin e ishte mbyllur në dhomë. Kjo se i vinte turp të debatonte për kësi gjërash e të bënte veten lolo e gruan më lolo në sy të gjyshit e vëllezërve. Të nesërmen në mëngjes kur mamaja ime kishte dalë nga dhoma e gjumit gjyshja e kishte pritur mbas dere.

-Vëre këtë brezin e të të mbledhë një çikë, - dhe i kishte lënë në dorë një brez prej leshi.

-Po s’e duroj dot, se shtrëngoj dot, - i kishte thënë mamaja ime me gjysmë zëri se helbete nuse, vajzë fshati.

-Ta vë unë meqë se vë dot dhe se duron dot, - ishte përgjigjur gjyshja dhe e kishte tërhequr për krahësh e në dhomën e saj të gjumit. Aty i kishte ngritur bluzen e shtrënguar brezin aq sa kishte fuqi dhe pasi kishte admiruar punën e saj i kishte thënë:

-Tani po, kështu shkon nusja ime bel hollë e jo ashtu si copë trungu.

Kështu ime më e mbajti tri ditë brezin e leshit shtrënguar në bark dhe sigurisht që e humbi fëmijën. Po gratë e fshatit që e njihnin gjyshen time u përpoqën të qetësonin mamamin me fjalë që dihet se s’të ngushëllojënë. Babi im ishte i ri, jo vetëm që s’i ndenji afër mamasë, por edhe i hodhi fajin asaj për dështimin e fëmijës. Ndërkohë dy vëllezërit e babit i rrinin mamit para mbrapa gjatë gjithë ditës si badigardë me urdhër të gjyshes. Mamaja ime me roje në punë në fshat kur gjithë gratë shkonin bashkë, me rojë te burimi, me roje kur ishte në shtrat me babain. Dhe në një moment që babi gjeti një punë për mamanë në Durrës gjyshja filloi sherrin.

-E kush do t’i lajë rrobat, kush do i bëjë punët e shtëpisë këtu?! Deri sa të vijë nusja tjetër kjo do të rrijë këtu me mua. Unë jam plakë e nuk bëj dot punë, -kishte thënë gjyshja.

-Po, lere, moj plakë, djalin, të marrë nusen e të vazhdojë jetën. Ne nusen e morëm për djalin e jo për vete, - kishte thënë gjyshi.

-Po unë që e rrita djalin, s’e rrita që t’i bëj qefin në shtrat nuses, e kam rritur që të dy bashkë të më bëjnë shërbim mua, -ishte përgjigjur gjyshja.

Dhe sigurisht babai im ishte i gatshëm të sakrifikonte mamanë për t’i bërë hatrin nënës së tij. Kështu mamaja ime ka jetuar në fshat për dhjetë vite. Në fshat lindën e u rritën të dy motrat e mia. E madhja mbaroi klasën e tretë, ndërsa motra e dytë mbaroi të parën kur më në fund babai vendosi që duhej të jetonte me gruan.

Sapo prindërit e mi u vendosën në Durrës, ata vendosën të kishin dhe një fëmijë tjetër me shpresën se do të ishte djalë. Linda unë, që për babain dhe gjyshen time isha fatkeqësia e shtëpisë. Ndërsa mamaja ime më ka dashur e përkëdhelur jo si çdo nënë fëmijën, por dyfish për kompensuar edhe përbuzjen që kishte gjyshja e babai për mua. Kur unë u bëra dy vjeçe mamaja pati ca probleme shëndetësore që në pamje të parë i kaloi.

(Vijon javën e ardhsme)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.