Apartamenti sekret i kullës Eifel

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Jeni të kënaqur se keni gjetur më në fund një apartament me qera në Paris, pas shumë kohësh kërkimesh? Imagjinoni sikur të banonit në katin e pesë të kullës Eifel! Është një kënaqësi e vockël që i ofroi vetes Gustav Eifeli pas ndërtimit të Zonjës së Hekurt në vitin 1889. Një apartament në një lartësi prej 285 metrash. Ja një apartament që do të donim të merrnin me qera!

E dinit që ekzistonte një apartament në kullën Eifel? Sigurisht, ai i përkiste vetë zotit Gustav Eifel! Inxhenieri i famshëm kishte parashikuar gjithçka gjatë ndërtimit të Zonjës së Hekurt dhe kishte lënë për vete një hapësirë prej afro 100 m2. Apartamenti parizian nuk i zotëron të gjitha rehatitë që pritet nga një ndërtesë e tillë, por të paktën ai ka një pamje të mrekullueshme mbi qytetin e Dritës. Një apartament ëndrre në një lartësi prej 285 metrash! Në fund të ndërtimit të kullës Eifel, në vitin 1889, Gustav Eifel ndërtoi për veten e tij një apartament sekret në katin e pestë të monumentit, afro 285 metra mbi shëtitoren Fusha e Marsit. Në atë kohë ai e mobiloi atë me mobilje druri, me letër muresh me motive me ngjyra sipas tendencës artdeko të epokës, kolltuqe prej pelushi me thekë dhe një piano të madhe. Gjithçka që mund të kesh nevojë për një frymëzim deko vintage. Apartamenti përmbante gjithashtu edhe një laborator të vogël, që inxhenieri e kishte pajisur me veglat shkencore më të përparuara të kohës. Nëse ju jeni xhelozë, nuk jeni të vetmit. Kur pjesëtarët e shtresës së lartë pariziane morën vesh për ekzistencën e kësaj rezidence dytësore, iu lutën Gustav Eifelit t’ua jepte me qera, qoftë edhe për një ditë. Megjithatë ai nuk pranoi kurrsesi të fuste njeri tjetër aty brenda. Edhe sot, 92 vjet pas vdekjes së tij, tradita vazhdon, pasi apartamenti është i dukshëm për publikun vetëm nëpërmjet një dritareje të vogël.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.