Nxorra gjyshen jashtë për të shpëtuar njerkën

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(Vijon nga java e kaluar)

Kur unë u bëra dy vjeçe mamaja pati ca probleme shëndetësore që në pamje të parë i kaloi.

Po nuk mjaftuan problemet shëndetësore. Atyre ju shtua edhe sherri i vazhdueshëm i gjyshes.

-Se kuptoj se ç’grua je, që nuk bën dot një djalë, pse djali im do mbetet me tri vajza? Ç’të shkon mendja ty, se ti s’do të pjellësh më? Ta dish e kam tjetrën gati mbas dere po nuk bëre djalë, - i tha gjyshja. Këto të fundit i kam dëgjuar me veshët e mi dhe kam qenë shtatë vjeç. Nuk është se e kam dashur ndonjë herë gjyshen time se, edhe pse kam qenë fëmijë e kam kuptuar që gjithmonë sillej keq me mamnë time. Dhe veç kësaj sa herë vinte ajo në shtëpi, të nesërmen pasi ikte babai im zihej me mamanë time e na rrihte ne të triave na bënte peshk. Mamaja pak lodhej se me tre fëmijë dhe gjithë punët në shpinë për vete, pak gjyshja ime që është sjellë me të si ajo njerka tek filmi Borëbardhës, e pak babai im që përpiqej të ruante burrërinë me atë ashpërsinë e tij dhe ja kanë nxirë jetën. Mes gjithë këtyre sherreve, na doli edhe një problem tjetër. Shtëpia ku ne banonim do t’i jepej pronarit të tokës.

Kur ime më mbushi tridhjetë e tetë vjeçe dhe unë isha vetëm dhjetë vjeç mjekët i thanë që ishte me kancer në gji. Mjekët i thanë se duhej të operohej por ajo nuki donte. Madje daja i madh që jeton në Itali iu lut që ta merrte e ta mjekonte në Itali, por ajo nuk pranoi.

-E di që do vdes. E di që është e kotë gjithshka. Ndaj këto ditë që më kanë mbetur dua të rri me vajzat, - thoshte mamaja. – E ju të dyja që jeni më të mëdha, ju lutem duajeni motrën e vogël. Nuk është faji i saj pse doli vajzë e jo djalë, siç donte babai juaj, - u thoshte pothuajse çdo ditë motrave. Edhe ato dy vite që ime më lëngonte në shtrat gjyshja ime nuk ka rreshtur së torturuari mamanë time.

-Ja tani duhet të gjejmë një nuse tjetër djalit, e ishalla do na bëjë ndonjë djalë, - i tha një ditë motrës së vet, ndërsa mendoi që mamaja po flinte. Mamaja hapi sytë dhe i tha:

- Akoma te djali e ke mendjen? Ishalla ia plotëson Zoti dëshirën vajzave të mia atëherë, - dhe e la se e dinte që me atë ishte e kotë. Ajo vdiq e ne tre vajzazve na la një boshllëk në shpirt.

Pasi vdiq mamaja gjyshja kishte gati nusen tjetër. Këtë radhë shyqyr që babai mundi t’i kthente fjalë.

-Pa u bërë një vit që gruaja vdiq nuk do shkoj të marr tjetrën, je në terezi ti? – i tha babai.

-Po kush do kujdeset për ty? – tha gjyshja

- Do kujdesen vajzat edhe unë për veten e do ta shtyjmë. Pastaj nuk dua të më gjesh nuse, do ta gjej vetë, edhe mos të të dëgjoj më të flasësh për këtë muhabet, - dhe me kaq ai mendoi se e mbylli.

Gjyshja vazhdoi t’i binte gajdes së saj deri sa babai gjeti një vajzë tjetër e u martua me të. Eshte grua shumë e mirë, e them me plot gojën, edhe pse është njerka ime. Xhaxhai im, është mirë ekonomikisht, dhe duke menduar që mos të ndihemi keq me njerkën na tha që të na blinte një garsonierë ngjitur me shtëpinë e babait dhe të rrinim në vete.

-Jo, në asnjë mënyrë, - kundërshtova e para. –Do rrimë me babin e me gruan e tij, për ne s’ka asnjë problem.

-Po ndoshta do jeni më mirë këtu ngjitur, ai do ju shohë çdo ditë, ne do vijmë t’ju takojmë s’do ju mungojë asgjë. Shpresoj të vazhdoni edhe shkollën e lartë dhe ju betohem që do ju përgjigjem unë për gjithçka që do ju duhet. Eshtë më mirë të jetoni më vete, - këmbënguli, jo vetëm atë ditë xhaxhi, por disa kohë më pas. Por personi që kundërshtoi më fort isha unë. Dhe kisha arsye. Motrat e mia po rriteshin dhe e dija që të dyjave u pëlqente nga një djalë. Ato sapo mbaruan shkollën e mesme u martuan, e para një vit pas vdekjes së mamasë e motra tjetër dy vjet pasi vdiq mamaja.

Kështu mbeta vetëm edhe pa motrat, por, të paktën tani babai im nuk më shihte me përbuzje si më parë.

Një mbasdite nusja e babait më tha që ta pija kafen me të se s’e pinte dot vetëm. U ulëm të dyja bashkë dhe, ndërsa po pinim, unë theva heshtjen dhe i thashë:

-E di pse nuk pranova që xhaxhi të na e blinte këtë garsonierën këtu afër?

-Jo, sigurisht që nuk e di, - më tha krejt e qetë.

-Për motrat e dija që do martohen shumë shpejt, vetë nuk e di se kur më del fati, por të jesh e sigurt se më mirë më duron mua edhe tri-katër vjet sa të martohem sesa duron gjyshen këtu. – Po ç’ne gjyshja këtu, ajo është në shtëpinë e saj?

-Po nëse unë do martohesha ajo do të vinte të banonte këtu në garsonierën time dhe do të të mbetej ty në qafë. E do të ta nxinte jetën ashtu siç ka bërë me mamanë time. E meqë njëra vdiq, ti të paktën rrite vetë djalin e shumëpritur. –Po ja do vdesë nusja tjetër është me të, njësoj është, ma priti. -Jo nuk është njësoj, se xhaxhi nuk e pyet fare gjyshen, ndërsa babai bën ç’ti thotë gjyshja. Prandaj të jesh e sigurt që të kam shpëtuar.

Ajo la filxhanin, u ngrit në këmbë e më përqafoi. Qava në krahët e saj sepse më kishte marrë malli për time më, e ajo më shtrëngoi edhe më shumë.

-Do përpiqem të të mbaj afër si të jesh e imja, po dua pak ndihmë edhe nga ty, - më tha ndërsa më përqafonte.

Tashmë jam fejuar dhe martohem sivjet po e lumtur që të paktën shpëtova nusen e babait nga gjyshja meqë time më se shpëtonte dot askush.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.