Prona që vrasin

Intervista - - AKTUALITET -

(Vazhdon nga faqja 3)

Ekspertët, ndryshe nga gjyqtarët, nuk caktohen me short, por në bazë të preferencave të gjyqtarevë, në mënyrë selektive, gjë që lë vend për abuzime. Ndaj, edhe pse në Tiranë janë rreth 200 ekspertë të liçensuar, që duhet të jenë pjesë e gjyktave të shkallës së parë e të dytë, vetëm një pjesë e vogël e tyre, qe janë miqësuar me gjyqtarët, ose, ta themi troç, që janë punësuar pranë tyre, si asistentet, ose sekretaret e tyre, thërriten nëpër gjyqe. Pikërisht për këtë është krijuar një grup ekspertësh që marrin çdo çështje dhe të tjerët “ngrohen në diell”.

Ndodh shpesh që ekspertët e lidhur me gjyqtarët bëjnë edhe sekserin dhe, pse jo, ndajnë edhe fitimet me ta. Ndaj nuk mungojnë edhe rastet kur shumë qytetarë shprehin indinjatën që paguajnë ekspertët që zgjedhin gjyqtarët. “Unë paguaj, gjykatësi zgjedh...”, thonë shpesh ata me ironi... Kuptohet sesa të pavarur janë këta ekspertë që zgjedhin gjykatësit... Ndaj, unë dhe shumë kolegë të ndershëm dhe profesionale, kemi ngulur këmbë e kemi kërkuar që ekspertët të zgjidhen me short, ashtu siç zgjidhen gjyqtarët. Por, deri më sot, kjo kërkesë “ka rënë në vesh të shurdhët”, edhe pse ekspertët kanë një rol të madh në dhënien e vendimeve dhe zgjidhjen e konflikteve... Pikërisht për këtë, shumë konflikte nuk zgjidhen nga gjykatat, por përfundojnë edhe në vrasje... Madje në një nga gjykatat tona, në qytetin e Lezhës, për difekte dhe kompromise të ekspertit me gjyqtarin është qëlluar me armë brenda në gjykatë duke pasur të vrarë e të plagosur.

Por, në fund të përgjigjes dua të theksoj se, nuk janë të gjithë ekspertët të korruptuar dhe të paaftë. Ka edhe prej tyre që punojnë me ndërgjegje, profesionalizëm dhe përkushtim për të dhënë drejtësi në çështjet e pronave.

- Thuhet se në këto ngatërresa që janë bërë për pronat, kanë gisht edhe noterët, fallsifikimet që bëjnë ata. E vërtetë është?

-Shiko, dihet që të gjitha transaksionet për pronat kryen tek zyrat noteriale. Vitet e fundit në qeverisjen e të djathtëve, nën përkrahjen e madhe të ishministrit të Drejtësisë së asaj kohe, kur u bë ligji mbi Noterinë, noterëve ju dhanë shumë kompetenca për të vepruar me pasuritë e patundshme. Dhe pyetja juaj është e drejtë. Ka noterë dhe notere që kanë bërë falsifikime në aktet e trashëgimisë, apo prokurat që kanë lidhje me shitblerjet e pronave, që janë bërë edhe burim konfliktesh jo të vogla. Kështu, për shembull, në një rast që jam marrëv unë, të një familjeje me shtatë anëtarë, noteri kur ka bërë aktin e trashëgimisë e ka nxjerrë me pesë, duke lënë pa gjë dy anëtarë të familjes gjë që solli sorollatjen për dhjetë vjet nëpër gjykata e deri ne konflikt civil. Sot një nga anëtarët e kësaj familjeje gjendjen në burg për krim ndaj bashkëfamiljarit. Të gjitha këto erdhën si pasojë e një veprimi abuziv noterial.

Tani zyrat noteriale janë bërë si kioskat e dikurshme, ose farmacitë, çdo 20m gjen një noter. Një pjesë e tyre i kanë marrë me zotësi liçensat, por një pjesë, mund të them me plot gojën, që i kanë blerë ato... Po ta krahasojmë me botën perëndimore, statusi i shërbimit noterial, lë për të dëshiruar te ne. Ndaj qytetarët duhet të mendohen mirë dhe të zgjedhin zyrat ku duhet të bëjnë transaksionet për pronat.

- Në konflikte besoj se ndikon edhe puna jo e mirë në disa raste e Zyrave të Regjistrimit, apo hipotekave, siç quhen...

- Po, ka raste të tilla, siç ka edhe raste pozitive, siç është Zyra e Regjistrimeve të Tiranës, ku ka filluar të përmirësohet ndjeshëm shërbimi, sidomos pas futjes së projektit pilot të aplikimeve “Adisa”. Megjithatë ka vend për përmirësime. Sot kisha në dorë një vendim të formës së prerë nga gjykata e shkallës së parë në Tiranë, në lidhje me një pronë në lagjën “Ali Demi”, zona kadastrale 8150, ku qytetarit i është dhënë 400 m truall që nga viti 2004 dhe akoma zvarritet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë duke ja pasuar Komisionit të Kthimit të pronave dhe, këta të fundit, ja kalojnë problemin e Bashkisë së Tiranës. Qytetarit nuk i mbetet veç të zvarritet nëpër zyra....

-Thuhet se pothuajse të gjitha pronat e vjetra, me përjashtim të apartamenteve, janë problematike dhe me konflikte... Çfarë duhet bërë?

-Eshtë e vërtetë që një pjesë e pronave, jo vetëm të vjetra, por edhe të reja, kryesisht troje dhe toka bujqesore, pyje, kullota, livadhe, kanë probleme serioze dhe mbartin konflikte. Nuk ndodh kështu me apartamentet. Sepse me privatizimin e apartamenteve dhe njësive tregtare, u punua në mënyrë profesionale, nga inxhinierë dhe grupe pune profesionistë. Problemet më të mëdha ishin në tokat dhe trojet ku kanë vepruar ligji 7501 dhe komisionet e kthimit të pronave të cilët ishin të përbërë nga ekspertë joprofesionalë dhe të papërgjegjshëm, militantë partie, të paaftë e të korruptuar. Këtu ndikoi edhe fakti se Kuvendi Popullor bëri ligje të arnuara, duke favorizuar njerëz të lidhur me pushtetin dhe ishpronarë me dokumente të fallsifikuara.

- Si do zgjidhet ky problem?

- Për këtë duhet një impenjim nga gjithë institucionet e linjës, ministria e Drejtësisë dhe studiot tekniko-ligjore. Ato duhet të bashkërendojnë punën për përmirësimin e kuadrit ligjor, azhornimin dhe futjen sa më shpejt në sistem të pasurive të pronave. Këtu kanë rol kryesor Zyrat e Regjistrimit ( hipotekat). Ato duhet të punësojnë njerëz profesionistë dhe të përgjegjshëm. Kështu ky problem do të vijë dalëngadalë duke u zbutur, deri ën zgjidhje të plotë.

- Kam vënë re se të huajt që duan të blejnë prona të patundshme në Shqipëri, sidomos toka, ngurrojnë, sepse janë të çorientuar, sepse siç kishte shkruar njeri prej tyre, në Shqiperi ka tre lloj tapish, të Turqisë, të Enverit, të privatizimeve. Shtoji këtu edhe legalizimet e ndërtesave pa leje... Eshtë vërtetë problem kjo?

- Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti. Nuk ke vend tjetër në botë ku në 28000 km2 të gjesh në gjithë gjatesinë vijë bregdetare të mrekullueshme, fusha pjellore, kodrina dhe vargmale me 300 ditë me diell në vit. Pikërisht, për këtë të huajt e lakmojnë këtë vend dhe duan të blejnë prona në Shqipëri. Por është për të ardhur keq që ata ngurrojnë sepse, edhe pas 25 vitesh në demokraci, këtu ende nuk është zgjidhur çështja e pronave.

Në lidhje me atë që thoni ju për tapitë, të huajt kanë shumë të drejtë. Ka prona, jo me tre, por me katër tapi: të kohës së Turqisë, Enverit, privatizimit dhe, se fundmi, nga Aluizmi. Kështu ka ndodhur, për shembull, për një tokë te Unaza e re në Tiranë, afër pronave të fisit Tafaj. Aty është një pjesë toka e cila pretendohet nga ish-pronarët e vjetër, që janë pajisur me vërtetim pronësie nga Komisioni i Kthimit të Pronave. Por kjo tokë është regjistruar edhe si tokë bujqësore (që nuk është tillë) nga ish-punëtorët e fermës. Ndërkohë, Aluizmi i kohës së Memisë, ka pajisur me tapi qytetarë që kanë bërë ndërtime informale. A i jepni dot ju zgjidhje këtij mishmashi?!

Por meqë ngritët problemin e tapive të vjetra unë dua të theksoj diçka të rëndë që ka ndodhur dhe që ka shkaktuar shume konflikte, madje edhe vrasje. Kam patur fakte që kanë treguar fallcifikime të tapive të vjetra edhe në arkivat ku janë dhe ruhen dokumentat e pronësise ndër vite dhe këto më pas janë përdorur në gjykata si prova dhe, si rrjedhojë, pronat e vjetra janë rregjistruar në zyrat e ZRPP nga pronarët e rinj që kanë paguar para në dorë. Faktë të tilla ka zbuluar edhe Prokuroria në zonën e Jugut, në vijën bregdetare.

Po kështu, edhe gjatë procesit të privatizimit, shumë ndërrmarje u blenë me ankand e me letra me vlerë nga ish- drejtorët, ndërsa një pjesë e pronarëve të vjetër, edhe pse me tapi, u nxorrën jashtë loje. Prandaj, pronarët e vjetër enden dyerve të gjykatave të korruptuara, ndërsa pronarët e rinj kapardisen me tapitë në dorë nëpër fuoristrada e lokale lluksoze.

- Përmendët disa herë gjatë intervistës legalizimet e banesave në zonat informale. Nuk jeni dakord me mënyrën si po bëhet? (VAZHDON JAVEN E ARDHSHME

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.