VETTINGU

• Çfarë është • Si do të bëhet • Çfarë do të sjellë • Pse nuk votoi PD ?

Intervista - - FAQE 1 - - Me Avokat Idajet Beqirin-

Artan Kristo: - Këtë javë në Parlament u votua ligji i Vetingut. Përpara se të nisim intervistën, a mund të na shpjegoni se cfare do te thote kjo fjale se jam i bindur se shume lexues nuk e njohin...

Av. Idajet Beqiri: - Pyetje shumë e bukur. Ka shumë njerëz që nuk e dijnë se ç’do të thotë. E di ç’ndodhi këto ditë? Kishin dalë në protestë para Kuvendit të Shqipërisë për Reformën në Drejtësi disa shoqata, por shumica e protestuesve e ngatërronin “vetingun” me “mitingun”...!

Unë e di shumë mirë kuptimin e kësaj fjale, e di prejardhjen e saj, kur është përdorur për herë të parë kjo fjalë etj. Por, sinqerisht, jam i befasuar nga përputhshmëria ideale e kësaj fjale me realitetin shqiptar! Prejardhja e kësaj fjale vjen prej foljes “vet” të gjuhës angleze. “Vet” është edhe shkurtim i fjalës “Veteriner”. Ndërsa “Vetting” do të thotë “kontroll i imtësishëm shëndetësor i kafshës”!

Fjala “Vetting” është përdorur për herë të parë kur ka lindur sporti i garës së kuajve. Një kalë, para se të hynte në garë, i nënshtrohej një kontrolli të rreptë prej një veterineri me integritet të lartë profesional lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe të rezistencës.

Aleatët tanë strategjikë perëndimorë, posaçërisht SHBA, duke e njohur mirë sistemin e kalbur të drejtësisë në Shqipëri, vlerësuan se kjo fjalë mund të përdorej, jo vetëm për kuajt, por edhe për “gjyqtarët”, “prokurorët” dhe punonjësit e tjerë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, të cilët me “bekimin” e politikës, dhe nën shembullin e saj personal, e degraduan gjyqësorin në vendin tonë deri në këtë shkallë turpi të paimagjinueshme. Dhe është interesant fakti i ndjeshmërisë së popullit ndaj “Vettingut”. Nëse më parë, shqiptarët e “vrarë” nga mosdhënia e drejtësisë për shkak se gjyqtarët dhe prokurorët e kishin kthyer atë në “mall”, që shitet e blihet, i mallkonin duke ju thënë “ju rëntë murtaja”, tani kanë filluar të thonë shpesh “ju rëntë vetingu”!

- Pra, këtë javë u votua një ligj që do përzgjedhë më të miret, më të pakorruptutarit prokurorë e gjykatës. Kush do e bëjë këtë? A mund ta shpjegoni pak me gjerë për lexuesit edhe këtë?

- Vetingun, ose thënë shqip, procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe subjekteve të tjera të sistemit të drejtësisë do ta kryejë Komisioni i Vettingut, Kolegji i Apelimit, Komisioneri Publik, në bashkëpunim me vëzhguesit ndërkombëtarë.

Anëtarë tëe Komisionit dhe të Kolegjit të Apelimit do të zgjidhen shtetasit shqiptarë që plotësojnë disa kërkesa si, të ketë përfunduar studimet në nivelin e dytë të studimeve në drejtësi, të ketë eksperiencë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues ose në një aktivitet të njohur në fushën e së drejtës administrative, ose sfera të tjera të së drejtës, të ketë marrë një vlerësim të lartë për aftësitë e tij profesionale, etike dhe moral. Ky Komision si dhe Kolegji i Apelimit do të punojnë dhe do të veprojnë për të rivlerësuar gjyqtarët dhe prokurorët në bashkëpunim të ngushtë me ndërkombëtarët. Pa dhënë pëlqimin ndërkombëtarët, asnjë prokuror apo gjyqtar nuk mund të kaloj rivlerësimin. Kjo është garancia më e madhe për realizimin me përgjegjësi të lartë të këtij Vettingu.

- Ky ishte edhe konflikti i madh PS- PD gjatë diskutimit të Refromës, pra, se kush do i zgjidhte gjyqtarët. PS ngulte këmbë për ndërkombëtarët e PD, për vendasit. Kaq rëndësi ka? Si mendoni jua?

- Basha, ose zëdhënësi i Berishës, nuk kanë lënë rrugë e mjet pa përdorur për ta penguar reformën në drejtësi. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Pse, ka ndonjë rast në këtë jetë që “cjapi” të shkojë me dëshirë për t’ju “prerë koka” te “kasapi”?!

Kapobanda e krimeve barbare të kryera në këtë vend gjatë mbi 20 vjetëve, Berisha, si dhe beniaminët e tij Basha dhe të tjerë eksponentë të PD- së, kanë vrarë shqiptarë, kanë shitur pjesë të atdheut dhe interesat kombëtare, kanë vjedhur, grabitur, djegur dhe plaçkitur Shqipërinë e

shqiptarët. Këto krime, në mos sot, mot, do të marrin ndëshkimin e merituar penal. Për rrjedhojë, ata, si ai “i mbyturi” që do të mbahet edhe pas një gjetheje peme për të shpëtuar jetën nga thellësia e ujit, kërkojnë të shpëtojnë sa të mundin prej atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, “kuaj” të korruptuar, pa integritet dhe “të ngordhur” profesionalisht e moralisht, të cilët i kanë emëruar me qëllimin e vetëm që t’i mbrojnë nga ndëshkimi. Mirëpo shpikja ndërkombëtare “Vetting”, vendosmëria e SHBA dhe BE për të mos lëshuar pe në gjërat parimore të reformës në drejtësi, e ka qorollepsur në një shkallë të paimagjinueshme këtë Bandë kriminale, e cila po shkon nga faj në faj.

- Besoni se do të përzgjidhen tamam prokurorët dhe gjykatësit?

- Vetingu synon nxjerrjen e personave të korruptuar jashtë sistemit të drejtësisë përmes një procesi, i cili parashikon plotësimin e katër formularëve me rëndësi. Këta formularë janë me të dhëna të hollësishme dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe me familjarët e tyre deri te brezi i katërt dhe te krushqia e tyre deri te brezi i dytë.

Formulari i parë kërkon deklarimin e pasurisë të personit dhe familjarëve të tij. Të dhënat e rreme në këtë drejtim mund të çojnë në ndjekje penale të prokurorëve dhe të gjyqtarëve.

Formulari i dytë synon kontrollin e pastërtisë së kandidatit për gjyqtar dhe prokuror nga çështjet që lidhen me krimin e organizuar.

Formulari i tretë kontrollon aftësitë profesionale të gjyqtarëve dhe të prokurorëve.

Ndërsa dokumenti i katërti është një deklaratë e cila nënkupton heqjen dorë të gjyqtarëve dhe të prokurorëve nga privatësia, duke pranuar që të pajisen me një celular të veçantë dhe me një adresë elektronike të veçantë, të cilat do të jenë nën kontroll të vazhdueshëm gjatë njëzetë e katër orëve të ditës.

- Pra, ju mendoni se reforma në drejtësi do të japë frytet e saj, se do ndëshkohen të korruptuarit dhe të dënohen ata që e meritojnë?

- Nga përmbajtja e dispozitave kushtetuese që u miratuan me konsensus në Kuvendin e Shqipërisë, nga përmbajtja e Ligjit të Vettingut, nga përmbajtja e projektligjeve të tjera që plotësojnë paketën tërësore ligjore të reformës në drejtësi, duket qartë se kemi të bëjmë me një revolucion të thellë në sistemin e drejtësisë. Kjo reformë e fut shtetin tonë, i cili këto 25 vjet u bë një “zhele pa fytyrë”, në rrugën normale të ligjshmërisë dhe të drejtësisë. Kjo është garancia kryesore që do ta bëjë efektive reformën në drejtësi. Kjo do ta thyejë mitin e të pandëshkueshmëve në këtë vend. Të korruptuarit e derisotëm të prokurorive dhe të gjykatave nuk do gjejnë vrimë ku të futen. Ata nuk i justifikojnë dot pasuritë marramendëse që kanë vënë gjatë kohës që kanë qënë prokurorë, apo gjyqtarë. Vetëm me pagën e tyre mujore nuk bëheshin milionat dhe miliardat pasuri dhe depozita të tyre. Për rrjedhojë, këta gjyqtarë dhe prokurorë, duke patur mbi supe barrën e rëndë të provës, sepse ligjet e kësaj reforme prezumojnë fajësinë e tyre, dhe do të jenë ata që do të provojnë me akte dhe dokumente pafajësinë e tyre, jo vetëm që do të zhduken nga sistemi i drejtësisë, por mbi të gjitha, pasuritë dhe depozitat e tyre do të sekuestrohen dhe do të kalojnë në buxhetin e shtetit. Ky proces nuk do të japë rezultatin e dëshiruar menjëherë, por gradualisht. Rruga e progresit, e ligjshmërisë dhe e drejtësisë është pa kthim prapa.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.