Komunikimi sekret RamaTahiri për hashashin

Intervista - - HUMOR -

Para disa ditësh Edi Rama, nëpërmjet Facebook, u kërkoi njerëzve që t’i shkruanin për probleme të ndryshme që kishin. Por, siç mund ta keni parë edhe ju, të dashur lexues, shumica e pyetjeve kishin të bënin me Hashashin, me pakënaqësinë ndaj sulmit të policisë kundër kultivuesve te kanabisit. Pikërisht për këtë, sapo mbylli Facebookun, Edi Rama filloi t’i shkruajë Sajmir Tahirit...

I dashur Sajmir, m’u bë shumë qejfi që kishit bërë ato fotot duke sekuestruar drogë. Megjithatë, unë të falenderoj që nuk e mësove kurrë që detyra jote’ nuk është vetëm që të kapësh drogë dhe mbjellësh drogë, por të mos e katandisësh situatën në atë lloj derexheje që Shqipëria të kthehet si Lazarati. Nuk kam fare problem që po mbillet hashash në çdo cep të Shqipërisë, por na ka dalë një tjetër problem për të cilin po ankohen qytetarët. Është rritur shumë çmimi i zarzavateve, sepse nuk mbjell njeri perime, po vetëm hashash. Me pak fjalë po kthehet prodhimi i zarzavateve në monopol duke u zëvendësuar me hashashin.

Unë personalisht, nuk kam gjë kundër faktit që po mbillet më shumë bar se zarzavate, madje përkundrazi, kam një plan gjenial urbanistik në Tiranë. Dua që pjesa e sheshit “Skënderbe”, të mbillet me hashash. Kjo do i lërë me gojë hapur turistët...

Kam pasur shumë ankesa nga njerëzit këto ditë, i dashur Sajmir. Njerëzit ankohen për aksionet që ti ke bërë kundër hashashit. Unë i kuptoj që këto ankesa nuk kanë të bëjnë me faktin që ata nuk duan që në Shqipëri nuk duhet të mbillet hashash, por me faktin pse kapet hashashi i kultivuesve. Kujdes I dashur se pas 8 muajsh kemi zgjedhjet. Ndaj, i dashur Sajmir kap dhe sekuestro hashash, vetëm sa për të bërë të lumtur gazetarët që vijnë e bëjnë selfie në fushat e hashashit, por jo më tëpër.

E meqë ra fjala, ato fotot e gazetarëve në fushat e hashashit që ti sekuestrove. më bënë të kuptoja që pas asgjesimit, ata i ka kapur një trishtim i thellë për dëmtimin e mjedisit. Me mend në kokë e mos ju prish gjakun miletit, se më sulen mua të gjithë në Facebook. Ti je rehat, poston një herë në vit në facebook dhe nuk të ngacmon njeri, por unë treçerekun e ditës e kaloj aty…

Edhe diçka: Vishu me të verdha kur të shkosh herës tjetër për aksion me policinë se kombinohesh me jeshilen e hashashit. Nejse, do të bëj dhuratë një kollare me topa që të duket sikur je në kopësht me lule”.

“I dashur Edi , ke shumë të drejtë për atë që ke shkruar lidhur me sekuestrimin e hashashit. Ankesa të tilla më kanë ardhur dhe mua pafund, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Që të ta shpjegoj më saktë situatën, po marr një rast konkret. Para një muaji vajti policia në një fushë me kanabis, sepse pati një denoncim. I thamë pronarit të shtëpisë:- “Zotëri, çfarë ka te baçja juaj, mbrapa shtëpisë?” U mblodhën gjithë komshinjtë dhe policëve ju mbush mendja që hashashi që kishin parë nga ajri me helikopter ishte domate podomorini dhe kastraveca nga të Lushnjës. Pra, i dashur Edi, nëse ka kështu rastesh që banorët e kamuflojnë denoncimin, ne nuk ja u sekuestrojmë por, në të kundërt, ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Ne kemi sekuestruar vetëm hashashin e amatorëve. Me pak fjalë është ajo që ke thënë ti, që punë ka sa të duash, por mungojnë profesionistët.

Sa për kombinimin unë mora komplimenta, jeshilja kombinohej perfekt me bluzën time të kuqe. Gjthësesi, unë do të ta dëgjoj fjalën dhe herës tjetër do vendos kollaren tënde me topa nëse jam me fat dhe ti nuk ja ke bërë dhuratë Ilir Beqajt për të përuruar ndonjë spital.

Shpresoj të bëhet më e mira. Të puth me mall nga një fushë me hashash këtu në breg të lumit. Yti Sajmir

( E- mailet janë marrë nga serveri i Kryeministrisë)

PS. Çdo ngjashmëri me Wikileaksin e vërtetë është e rastit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.