Dashuroj vajzën që e njoha rastësisht

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

(Vijon nga java e kaluar)

Hapa telefonin kur u zgjova e pashë disa zile të humbura nga zevëndësuesi që kisha lënë në dyqan.

“Paska defekt prapë, - mendova me vete”

-Ç’kemi ,ka defekt prapë që më ke marrë?

-Jo,jo nuk të kam marrë për atë punë, por se këtu erdhi një grua e nuk dilte nga dyqani pa ardhur ti.

- Po tani ku është?- e mora me mend se ishte ajo.

- Tani i dhashë lekë se kishte uri e po ha tek fast foodi përballë.

Nuk kisha rrugë tjetër vetëm të nisesha e të shkoja që të flisja me të. E kështu është puna edhe e mora e i bëra nder e tani nuk më hiqet nga shpina.

-Çfarë ke që më kërkon? A mbaruam punë bashkë? Unë kam punët e mia e nuk mund të merrem me ty.- i thashë sapo e pashë.

Kur i fola kështu ajo uli ata sy të bukur përtokë dhe ia nisi të qante.

-Tani dhe po qan. Nuk më mallëngjen me lotë jo. Po hajt më thuaj çfarë do nga unë?

- Asgjë!- u përgjigj ajo mes lotëve,por me krenari.

- Si asgjë? Ti po më kërkon poshtë e lart e tani thua asgjë.

-Doja të më ndihmoje të shkoja jashtë shtetit.

Po si mund të të ndihmoj unë për këtë?

-Vetëm më blej biletën e asgjë më shumë. Sapo të bëhem me para do të t’i kthej. Të betohem.Nuk kam asnjë njeri tjetër që të mund të mëndihmojë.

Nuk e di se ç’më kishte gjetur që çdo fjalë e kësaj femre ndikonte tek unë. Më kishte pëlqyer që në çastin e parë kur i ishte afruar dritares së makinës e tani isha i gatshëm ta ndihmoja në çdo kohë.

-Do të të blej një biletë autobusi për në Greqi e të jap adresën e një mikut tim. Ai mund të të ndihmojë.

Ajo u gëzua pa masë.Ia preva biletën dhe prita sa ajo hipi në autobus e më pas i hipa makinës e u nisa për të familja në plazh.

-E rregullove problemin në dyqan zemër?- më pyeti gruaja.

- Po e rregullova. – në fakt tani më kishte dalur një problem më i madh, por asaj nuk mund t’i thoja asgjë. Gruaja nuk duhej të dinte për asgjë që kishte ndodhur me atë grua. Nuk kishte pse të shqetësohej përderisa ajo tani gati ishte jashtë kufijve të Shqipërisë. Mirëpo gruaja e kuptoi se isha pak i stresuar. Ishte e çuditshme që më rrinte mendja se si do të shkonte udhëtimi i saj. Eh ç’bela! U nisa shumë mirë ditën më parë për Tiranë e ç’më bëri ajo femër që të shpërqëndrohesha tërësisht.

Pas dy ditësh më mori në telefon miku nga Greqia.

-E dija se të kam mik për kokë. Më ke sjellë një kukull si me porosi!

Këto fjalë më bënë të çmendesha. E di se mund të duket budallallëk, por u xhindosa se mendova se ai do ta bënte për vete. Vendosa të shkoj në Greqi. U justifikova te gruaja se kisha një punë biznesi. Mora avionin se nuk më durohej derisa të shkoja me autobus.

- Po ti këtu?- më tha shoku kur më priti në aeroport.- Paske rënë në dashuri me të,ë?

-Ej ç’thua ashtu? Ti e di që jam i martuar.

-Hë se edhe ajo po vdes për ty. Unë thashë se më erdhi fati në derë, po ajo ka simpati të madhe për ty.

Nuk ia vuri veshin shumë fjalëve të tij. Në fakt nuk doja t’ja vija veshin sepse e dija se shumica ose të gjitha ishin të vërteta.Kisha marrë rrugën si i çmendur vetëm se kisha frikë se mos e humbja.

Megjithatë kur u takova me të nuk dhashë shenja se kisha ardhur për të.

-Kisha pak punë biznesi e thashë të të shihja dhe ty. Ndjehesh mirë tani që je larg njerëzve të tu?

-Po mirë jam,vetëm se nuke di se si do më vejë halli. Të kisha gjetur ndonjë punë mirë do ishte se nuk do të rri shumë këtu tek miku juaj.

-Do të mundohem të gjej punë tek pronari im se i duhej një grua që të kujdeset për të ëmën, - tha shoku im.

-E sheh sa me fat je? – i thashë. Sa erdhe e do gjesh punë.

Ashtu u bë. Por bashkë me punën ajo gjeti dhe dashurinë tek unë. Unë u marrosa pas saj e tradhëtova gruan time, gjë që nuk më kishte shkuar ndërmend se do ta bëja ndonjëherë. Që nga ajo kohë unë endem nga Shqipëria në Greqi e takohem me të se nuk mund të rri larg saj. Gruaja ende nuk ka kuptuar gjë,se kam krijuar lidhje biznesi e gjithmonë bëj dhe biznes kur shkoj,ama tani jam plotësisht i dashuruar pas asaj femre.

Se si do të vejë filli i kësaj dashurie nuk e di.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.