Anxhela Peristeri: Pse rri vetëm?

Intervista - - FAQE 1 -

Është e bukur, e dashur, e talentuar dhe vjen gjithmonë ndryshe për publikun. Është nga ato këngëtare që kur vjen më një këngë apo klip të ri, di ta surprizojë publikun. Është e gjatë, e bukur, nuk ka asnjë ndërhyrje në fizik, ka një zë të veçantë dhe kush e ka dëgjuar live ka pasur dëshirë për ta dëgjuar përsëri. Bukuroshja nga Korça, Anxhela Peristeri pas klipit me Gold Ag dhe Labin, tregon se ishte një bashkëpunim mjaft interesant që u prit mjaft mirë nga publiku. Këtë herë Anxhelën e kemi pyetur jo vetëm për këngët por i kemi bërë edhe disa pyetje me “spec” të cilave ajo iu përgjigj me sportivitet dhe çiltërsi. Kush tjetër si ajo?!

Fabjola Kuburi:Anxhela, fundi i verës të ka gjetur në super formë dhe je bërë goxha bronz!

Anxhela Peristeri:- Kjo ndoshta ngaqë më zë dielli shpejt.(Qesh) Maksimumi 6 ditë plazh kam bërë, 3 në det dhe 3 në pishinë.

- Vijmë tek “Llokum”, bashkëpunimi me Gold AG dhe Labin, që ishte një surprizë e këndshme për publikun! Mendon se qëlluat në shenjë?

- Patjetër që po! Ishte një hit veror, që njerëzit e mirëpritën, dhe për këtë, sigurisht që na u bë shumë qejfi. Ishte një bashkëpunim shumë interesant për mua. Goldi, përveçse një artist me vlera, është dhe një njeri i përkryer! Gjithashtu dhe Labi, me zërin e tij aq të ëmbël!

- Si është të menaxhosh Anxhelën? Cilat janë kushtet që ti do patjetër të të plotësohen?

- Unë për momentin vetëmenaxhohem. Kushti i vetëm që unë dua të më përmbushet, është korrektesa!

- Në pamje të parë, parë nga të tjerët, një këngëtare duket, një këngëtare duket që nuk bën aspak një jetë monotone apo të mërzitshme, për shkak të angazhimeve të shumta. Çfarë mund të kthehet në monotone për një këngëtare?

- Jeta e një këngëtareje kurrsesi nuk është monotone, të paktën imja! Monotonia më e madhe për mua është papunësia, gjë që nuk e kam ndeshur kurrë.

- Je e mendimit se ëndrrat e mëdha realizohen me hapa të vegjël?

- Patjetër! Shkallët duhen ngjitur një nga një, sepse duke i ngjitur shumë menjëherë, rrëzohesh.

- Dielli dhe deti... çfarë ndjesie të japin?

- Dielli më jep ndjesinë e rilindjes, kurse deti, një ndjesi të thellë romanticiteti.

- Më mirë shprehesh përballë një gotë vere, apo përballë detit?

- Përballë të dyjave!(Qesh) Madje dhe para pasqyrës ose para njerëzve, por më mirë shprehem në muzikë.

- Bën pjesë tek personat që mendohen disa herë para se të marrin një vendim, apo je e prerë?

- Jo, nuk mendohem shumë. Zakonisht ndjek instiktin tim dhe deri tani, nuk kam gabuar.

- Diçka për të cilën nuk e ke patur të lehtë të vendosësh?

- Vendimi më i vështirë që kam marrë, ishte ikja në Greqi.

- Çfarë bën kur nuk je në humor të mirë?

- Kur nuk jam në humor të mirë, më pëlqen të rri vetëm.

- Nëse do ishe një zile alarmi, çfarë tingulli do doje të kishe?

- Do doja të isha një cicërimë zogu.

- Cili është krimi yt, dhe partneri në të?

- Krimi im është ushqimi, dhe partneri im, buka (qesh).

- Cila gjykon se ka qenë pika jote e fortë për të pasur sukses?

- Të qenurit vetvetja.

- Muzika të jep sukses, famë, të ardhura, fansa, dhe

tepër vëmendje! Çfarë të merr?

- Muzika, mbi të gjitha më jep motiv. Deri tani nuk më ka marrë asgjë.

- Ku qëndron magjia e muzikës për ty?

- Bota pa muzikë do ishte pa kuptim.

- Kanë qenë ndonjëherë problem ose shqetësim bërrylat që ekzistojnë mes kolegëve?

- Jo, asnjëherë! Bërrylat e japin shpejt efektin pikërisht tek krahët që ndodhen!

- Je e aftë të përballosh çdo lloj sfide që mund të të dalë përpara?

- Mendoj se jam, sepse jam përballur me shumë sfida dhe ia kam dalë!

- Çfarë ke pasur të vështirë tek njerëzit me të cilët ke bashkëpunuar deri tani?

- Në shumë raste, komunikimin. Janë të shumtë ata që nuk dinë të komunikojnë.

- Një vajze të bukur si ti, sigurisht që nuk i kanë munguar ofertat. Cila është oferta, së cilës i ke thënë “Jo”, dhe cila është ajo që e pret, dhe nuk do ta refuzoje?

- I kam thënë “Jo” shumë ofertave, për shkak se njerëzit shpeshherë nuk e kanë sensin e bashkëpunimit. Nuk do refuzoja një bashkëpunim me Simon CoUell.

- Nëse të pyes në je single dhe më thua “Po”, nuk do ta besoja...!

- Nëse më pyet a jam single dhe të them “Jo”, do ta besoje?

- Cili është koncepti yt për dashurinë?

- Dashuria është një përjetim magjik, që pak njerëzve iu vjen në jetë.

- Nëse një mashkull të zhgënjen, e fal?

- Nëse zhgënjimi është më i vogël se dashuria jonë, po!

- Çfarë ngjyre mendon se ka shpirti yt?

- Mendoj se shpirti im ka ngjyrë të kuqe.(Qesh)

- Të gjithë ne, ruajmë një mori me kujtime të bukura nga e kaluara. Ti, cilat do veçoje?

- Kujtimet e fëmijërisë...

- Pas çdo arritjeje, kë merr direkt në telefon?

- Mamin. Ajo është e shtrenjta ime me të cilën ndaj çdo gjë.

- Kënga që të pëlqen ta dëgjosh me zë të lartë aktualisht?

- “All of me” nga John Legend.

- Më bëj një mbyllje “alla Anxhela Peristeri”..!

- Jeta është e bukur. Shijojeni!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.